Nga Ben Blushi
Është e vështirë të kuptosh se c’punë ka një shtet që sulmon një shtet tjetër, pasi ky i fundit po mbrohet nga një shtet i tretë. Irani sulmoi Izraelin sepse ushtria e këtij vendi çmontoi Hezbollahun që prej vitesh e sulmon nga Libani.
Kjo duket absurde. Është njëlloj sikur Greqia të sulmojë Shqipërinë, sepse kjo ka neutralizuar një bandë që vepron në Mal të Zi dhe që aty hedh bomba mbi fshatrat e Shkodrës. Dhe kur Greqisë i thonë po ti ç’punë ke, ajo të thotë, kjo bandë është e imja se është ortodokse.
Këtë po bën dhe Irani. Megjithatë nuk është dhe aq e thjeshtë dhe absurde sa ç’duket.
Irani po mbron tre banda që i ka krijuar prej dhjetëra vitesh duke i furnizuar me para, me armë dhe kurajo. Këto banda që sulmojnë çdo ditë Izraelin janë Hamasi ,Hezbollahu dhe Huthi në Jemen. Megjithëse nuk kanë pasur sukses ta shkatërrojnë Izraelin, ato kanë shkatërruar me sukses tre vendet ku veprojnë : Gazën, Libanin dhe Jemenin.
Prej lashtësisë Irani ka një aftësi të lartë vetëshkatërruese që mesa duket është ngjitëse.
Sulmi i djeshëm me më shumë se 200 raketa që nuk vrau asnjeri shembi vetëm çatinë e një restoranti në gjithë territorin e Izraelit ishte një fishekzjarr mbi qiejt e mjegulluar të Gazës, Libanit dhe Jemenit për t’u dhënë këtyre bandave të rrënuara, një rreze drite. Ishte një shkrepse në tunelin ku ato jetojnë prej kohësh.
Militantët e fshehur nëpër bodrumet e Gazës dhe Libanit mbrëmë nxorën kokat dhe sytë ju shkëlqyen nga flaka që po derdhej mbi Izrael.
Por kur nata ra dhe shkëndijat u larguan, ata e u furën prapë në bunker sepse e dinë se e nesërmja do jetë edhe më keq. Irani i përgjaku qiejt, por nuk bëri dot asnjë dëm në tokë. Ky sulm i nisur në gjaknxehtësi dhe pa bërë asnjë llogari taktike do të bëjë pa dyshim efektin e kundërt, aq sa Irani duket sikur ka hedhur raketa kundër vetes së vet.
Dhe ja pse. Së pari, sulmi ishte ushtarakisht aq i dobët saqë përveçse ekspozoi inferioritetin ushtarak të Iranit nuk pati asnjë vlerë në terren. Shumica e raketave nuk ra në tokën e Izraelit, por u shkatërruan në ajër. Artileria e rëndë e Iranit nuk gjeti asnjë shënjestër të rëndësishme. është njëlloj sikur ti gjuash me automatik një xhami që nuk thyhet. Nëse nuk ndërron dot xhamin duhet të ndërrosh automatikun, por mesa duket Irani kaq mundësi ka. Izraeli është poligoni i dështimit ushtarak të tij. Pak ditë më vonë Izraeli do e sulmojë edhe ai Iranin dhe dëmi që mund t’i shkaktojë, do duket edhe më i madh pas kësaj grope ushtarake.
Së dyti, pas këtij sulmi, hyrja e ushtrisë izraelite ne Liban nuk do të ndalet pasi shkatërrimi përfundimtar i Hezbollahut të plagosur është edhe më i justifikuar. Pa Hezbollahun, Irani është më i dobët, siç është më i dobët sot edhe pa Hamasin. Militantët e frikësuar të Hezbollahut të shpërndare nëpër bunkerë në Liban do kapen, do eliminohen ose do zhduken, por derisa kjo të ndodhë plotësisht, për fat të keq miliona njerëz do kthehen në refugjatë siç po ndodh këto ditë kudo në Liban.
Së treti, Libani po kthehet në një vend pothuajse të pajetueshëm dhe kjo situatë do vazhdojë gjatë. Ky vend që dikur ishte perla e Lindjes së Mesme, ishte i dobësuar nga krizat e brendshme financiare dhe politike prej vitesh dhe goditja që po merr nga Izraeli, rrezikon ta nxjerrë totalisht jashtë funksionit për disa vjet. Një vend i padministrueshëm, me një ekonomi të rrënuar dhe me një ushtri që nuk ekziston, do të thotë një aleat më pak për Iranin që u nis të shkatërrojë një armik por po shkatërron miqtë e vet.
Së katërti, ky konflikt që ka një vit që nuk mbaron dhe që filloi me masakrën e 7 tetorit mbi qytetarët civilë të Izraelit, e ka vënë seriozisht në diskutim shtetin palestinez apo tëo state solution, pra zgjidhjen e dy shteteve. Shteti palestinez i penguar prej disa dekadash nga Izraeli, u plagos për vdekje nga Hamasi një vit më parë dhe pothuajse po vritet nga Irani tani.
As vetë partitë palestineze nuk kanë më fuqi dhe aleatë ndërkombëtarë për të mbrojtur shtetin e tyre që sot duket sikur ka humbur në shkretëtirë. Ndoshta kjo mundësi e pashfrytëzuar mirë, ka përfunduar përgjithmonë, sepse kushdo që vjen në pushtet në Izrael nuk do pranonte t’i jepte më shumë të drejta palestinezëve pas ngjarjeve të vitit të fundit. Gaza e shkatërruar mund të administrohet nga Perëndimi, por jo më nga Hamasi. Hamasi është një kafshë e ngordhur. Por plagët e kthetrave të tij mbi lëkurën e Izraelit nuk mbyllen dot vetëm me ilaçe, por edhe më barut siç edhe po ndodh. Konfliktin në Lindjen e Mesme, tani po e ushqen urrejtja e futur në mes të sanduiçit të kalkulimeve politike të Izraelit dhe Amerikës.
Së pesti, mbështetja e lëkundur e Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj Izraelit do të forcohet. Të gjithë ata që e kanë kritikuar Izraelin për ndërhyrjet e dhunshme me pasoja civile në Gaza dhe Liban do të tërhiqen pak.
Nga çdo cep i botës që ta shohësh, Irani duket më i zi se Izraeli, sepse i pari po sulmon, kurse i dyti po mbrohet. Irani po sulmon një shtet tjetër duke qenë vetë i pasulmuar prej tij. Kjo do ta izolojë Iranin dhe më shumë dhe ndoshta do krijojë efektin që të gjithë presin prej dekadash që diçka të ndryshojë nga brenda. Por edhe nëse kjo nuk ndodh, pra nëse regjimi i Iranit nuk bije nga brenda, siç kanë shpresuar liberalët kudo në perëndim, ndoshta Irani do rrëzohet nga jashtë.
Një sulm i plotë i Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kundër Iranit nuk është asnjëherë i përjashtuar, pas ngjarjes së fundit. Ndoshta do kishte ndodhur nëse zgjedhjet në SHBA nuk do ta kishin penguar.
Së gjashti, ky sulm do ta ndryshojë politikën e Amerikës ndaj Iranit duke patur dhe ndikim në zgjedhje ç’ka ka qenë prej kohësh një nga qëllimet kryesore të Netanyahut. Netanyahu ka venë bastin më të fortë në planet për rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Edhe në ditët më të vështira të Izraelit ai ka refuzuar me dinakëri kërkesat e Presidentit Biden për armëpushim në Gaza.
Netanyahu e dinte që armëpushimi do shitej si fitore në Amerikë dhe prandaj e ka përdorur Gazën si një votë kundër administratës së butë të demokratëve. është e qartë që Netanyahu po pret kthimin e Donald Trump në pushtet me shpresën se ai do ta ndihmojë ti japë fund rrëgjimit të Iranit. Dhe pavarësisht se Trump është i paparashkueshëm kjo nuk përjashtohet. Irani pra ka gabuar dy herë sepse duke rënë në kurthin e Izraelit, ka forcuar krahun më agresiv kundër tij në zgjedhjet amerikane. Me sulmin e fundit Irani po ndihmon zgjedhjen e armiqve të vet. Qëllimi kryesor i Izraelit është të tërheqë Amerikën në luftën përfundimtare kundër Iranit dhe këtë po e arrin me ndihmën bujare të vetë Iranit.
Së shtati, vendet arabe sunite në rajon që nga Arabia Saudite, Jordania, Egjipti etj, të gjitha do rrisin shkallën e bashkëpunimit kundër Iranit. Ato e dinë se Irani i rrezikon më shumë se Izraeli. Izraeli do të nënshtrojë Gazën, kurse Irani do të nënshtrojë rajonin. Irani i ngjan një banditi që pretendon se ka armë bërthamore dhe sa herë del nëpër lagje të gjithë komshinjtë duhet të fshihen. Çështja palestineze do ishte shumë më e zgjidhshme nëse Irani do ishte një vend më miqësor dhe demokratik. Sikur Gaza të ishte një vend normal ku bëheshin zgjedhje dhe ku partitë ndryshohen me vota s’do kishte Hamas dhe nuk do kishte dhunë.
Atëherë Izraeli do ishte në vështirësi dhe zgjidhja me dy shtete do ishte një e drejtë e fituar me rrugë politikë dhe e mbështetur nga gjithë Perëndimi. Por Irani është përgjegjës direkt për favorizimin e linjës së ashpër duke vrarë demokracinë në Gaza dhe duke forcuar banditët lokalë të Hamasit të cilët para se të vinin në pushtet, eliminuan gjithë liberalët palestinezë. Edhe për shkak se mbjell vetëm autoritarizëm dhe vret çdo filiz demokracie, Irani ka çdo ditë e më pak aleatë dhe sulmi i fundit duket më shumë si një vetëvrasje e paralajmëruar. Si një bombë e shpërthyer në xhep.
Prandaj fishekzjarrët që Irani hodhi mbrëmë mbi qiejt e botës janë një lajmërim publik se vetëvrasja filloi dhe nuk do ndalet.
Amin. Ben! U bëftë plani yt shumë pikësh.
Irani i ka sjellë jo pak shqetësim Shqipërisë . Ndoshta ishte një vendim i drejtë i qeverisë Rama që zboj ambasadën iraniane në Tiranë. Me pak kujdes duhet të spostojë drejt një shteti europian dhe Met organizatln “anti iraniane” në Shqipëri.