Nga Carlo Bollino
Siç parashikohej, Sali Berisha dhe klani i tij mbështetës, nuk e njohin vendimin e gjykatës së apelit që faktikisht i dorëzon kontrollin ligjor të PD-së kundërshtarit të tij Enkeled Alibeaj. Diçka nuk funksionoi në strategjinë manipuluese të Sali Berishës, i cili bëri rikurs në gjykatë vetëm e vetëm se ia doli, kushedi se si, t’ja besonte çështjen gjykatësit të familjes Agron Zhukri (mes të tjerash klient i studios ligjore të Ivi Kasos, pikërisht avokatit që përfaqëson Berishën në gjyq). Në fakt Zhukri i dha fitoren në shkallë të parë. Por PD-ja akoma jo në duart e tij, bëri apelim dhe 3 gjykatësit e shkallës së dytë dje fshinë në uninamitet vendimin e Zhukrit. Këtë Berisha e konsideron një skandal.
Nuk ka vend për habi: Gjithmonë ai është mësuar të njohë si korrekte vetëm “ndeshjet” ku del fitues. Është kjo sjellja tipike e diktatorëve, të cilët nuk ia lejojnë asnjë institucioni tjetër shtetëror lirinë për të vendosur në mënyrë autonome apo në kundërshtim me pritshmërinë e ”bosit”. Institucionet konsiderohen si “të lira dhe të ndershme” vetëm nëse zbatojnë urdhërat (apo ëndrrat) e diktatorit. Ndodhi kështu me zgjedhjet, që Berisha i njeh vetëm kur fiton. Është kështu me drejtësinë, që Berisha e konsideron të pavarur vetëm kur e liron nga çdo akuzë ose kur e bën të fitojë proceset gjyqësore. Në të kundërt, kur në kuti fiton kundërshtari, zgjedhjet janë të manipuluara dhe kur humb një gjyq, për Berishën gjykatësit janë të korruptuar.
Është pikërisht kjo sjellje, e provuar tashmë prej vitesh përtej çdo dyshimi, që shtyu Departamentin e Shtetit ta përkufizojë Sali Berishën dhe familjen e tij “minues të Demokracisë”. Provat që Berisha pretendon për dënimin dhe damkosjen e tij politike të marrë nga Shtetet e Bashkuara, gjenden përditë në veprimet e tij, në deklaratat e tij, në sjelljet e mbështetësve të tij dhe të mediave që ai kontrollon. Cfarë mund të ketë më të rëndë për një Demokraci sesa minimi i institucioneve kryesore, duke filluar nga sistemi gjyqësor, i cili në ato raste të rralla kur gjen kurajon të vendosë kundër vullnetit të Sali Berishës, kriminalizohet dhe deligjitimohet?
Të akuzosh Edi Ramën se ka korruptuar gjykatësit për t’i dhënë vulën e partisë grupit Basha-Alibeaj siç përsërisin sot papagajtë e Sali Berishës, është një gënjeshtër qesharake, e qartë fare për kë njeh sadopak situatën politike të vendit. Sali Berisha prej 2013 (dhe deri sot) mbetet aleati jovullnetar më i mirë i Edi Ramës, sepse derisa të ekzistojë emri i Sali Berishës në krye të partisë kryesore në opozitë, Rama e ka fitoren të siguruar. Do ta votojnë edhe ata që nuk e duan më. Sepse është shumë më e fortë frika e kthimit në pushtet të një njeriu të dhunshëm dhe joliberal si Berisha (i vetmi që e çoi Shqipërinë në greminën e një lufte civile) sesa pështirosja e grumbulluar në vite nga gabimet e Edi Ramës. Dhe, nëse Lulzim Basha i ka humbur gjithnjë zgjedhjet, nuk është vetëm për shkak të paaftësisë së tij, por edhe për faktin se zgjedhësit e moderuar e kanë parë gjithnjë si fytyrën e qeshur të një killeri që në hije vazhdonte të godiste.
Eshtë pikërisht kjo konsideratë që rrëzon edhe pretendimin e dytë nga ana e mbështetësve të Berishës, domethënë se duke i hequr atij kontrollin e Partisë Demokratike, vritet opozitarizmi në vend. Përkundrazi, jam i bindur se një Parti Demokratike më në fund e lirë nga Sali Berisha (e de-berishizuar), shndërrohet e bëhet një forcë politike shumë më e fortë dhe e rrezikshme për Edi Ramën. E pastruar nga influencat kërcënuese të doktorit plak, Pd-ja mund të mbledhë votat edhe të atyre zgjedhësve të moderuar të zhgënjyer nga socialistët në mandatin e tyre të tretë. Pa Berishën, Partia Demokratike mund të shpresojë të ringjallet, pak për meritën e vet por dhe për faj të kundërshtarëve të saj. Ky është revolucioni i vërtetë që, pa e ditur, levizija e Berishës ka shkaktuar. që, pa e ditur, levizija e Berishës ka shkaktuar.
Dhurata më e madhe që sot Sali Berisha mund t’ja bëjë Partisë Demokratike është të vazhdojë të përdorë epitetin “Alibasha” duke iu referuar lidershipit zyrtar, sepse kjo u sjell në mendje të gjithëve se si urrejtja e pamasë që ushqen për ta, e ruan PD-në nga një kthim i mundshëm i tij. Sigurisht, PD duhet të përforëcojë sa më shpejt këtë avantazh duke nisur një proces real reformimi, duke zgjedhur një sekretar të ri dhe duke mbajtur të hapur derën për të gjithë ata militantë që me kohë do të lodhen duke i shkuar pas gënjeshtrave të doktorit. Një operacion ”ringjallje” që duhet të fillojë me përzgjedhje shumë të kujdesshme të listave të kandidatëve për 61 bashki, që duhet të jenë sa më shumë larg partisë dhe sa më shumë afër njerëzve dhe rinisë.
Berisha humbi dje sfidën për ta marrë me forcë kontrollin e Partisë Demokratike, ashtu si me 14 shtator 1998 humbi sfidën për të marrë me forcë kontrollin e vendit. Puçi i tij dështoi, e megjithatë askush nuk e dënoi me vdekje, pra edhe jeta e tij politike mund të vazhdojë. Por duhet të çlirohet logjika nga urrejtja e tij duke kuptuar se rruga më dinjitoze që i mbetet është të krijojë një parti të re dhe në këtë mënyrë mund t’ju tregonte të gjithëve se sa zgjedhës të PD-së do të duan ta ndjekin pas. Në fund të fundit, kështu funksionon demokracia dhe gara politike (deri dhe një gjeni si Steve Jobs u pushua nga puna nga shoqëria që e kishte themeluar, sapo aksionerët e kuptuan se me idetë e tij i bënte keq brand-it të tyre). Alternativa e Berishës është të mbetet peng në duart e Ilir Metës që sot, për herë të dytë, është i gatshëm të mirëpresë kandidatët e tij (pa logo) në listat e veta për zgjedhjet e 14 majit, por një ditë, mund ta dëbojë nga shtëpia si një qiraxhi që nuk paguan.
Berisha me megallomaninë e tij beson se përfaqëson edhe pluralizmin shqiptar, ndërsa provë që ai gabon është pikerisht fakti se ka mbetur një pakicë në vend. Pluralizmi është diku tjetër, për fat jashtë kontrollit të tij, i garantuar nga 12 televizione informative, njëqind radio, 1500 portale online, qindra analistë në pjesën më të madhe anti-Rama, nga udhëtimi i integrimit euro-atlantik të ndërmarrë nga vendi dhe sidomos nga miliona qytetarë brenda dhe jashtë Shqipërisë që kanë të gjitha mjetet për t’u rebeluar nëse do të shihnin me të vërtetë të kërcënuar lirinë e tyre. Por, edhe të gjithë këtë, Berisha e mohon, si një burrë tashmë jashtë historisë që ka humbur dhe sensin e realitetit dhe jo vetëm të kohës. Ai beson se jeton ende në fillim të viteve ’90, kur vepronte si të ishte pronar jo vetëm i Drejtësisë dhe i Shteti, por edhe i shumë ëndrrave të shqiptarëve. Shqiptarë që ai e ka mashtruar siç vazhdon ta bëjë me atë numër të papërfillshëm militantësh që i kanë mbetur e që e ndjekin në shesh, të gatshëm t’i binden verbërisht vendimeve të tij delirante të marra në emër të një partie që nuk i përket më.