Nga Lorenc Vangjeli/
Vetëm dhjetë minuta lavdi
Dy tema kushtezuan vëmendjen e shqiptarëve në këtë verë. E para politike, falli për të nesërmen e koalicinit qeverisës PS-LSI duke u nisur që nga e djeshmja e zgjedhjeve lokale të qershorit. E dyta, historia gati e pabesueshme e një familjeje të zakonshme shqiptare me tre vajza, dy nga te cilat u bënë protagoniste të saj e me pas, edhe prindërit dhe motra tjetër.
Në rastin e fallit politik, pra të fatit të koalicionit ishte e lehtë të spekullohej. Ajo cfare harrohet më lehtësisht në Tiranë është pikërisht parashikimi politik. Eshtë një fushë ku gjithkush mund të thotë gjithcka dhe askush të mos ketë asnjë problem me të vërtetën. Sepse sa kohë që pritet të verifikohet një tezë, është shpikur tjetra menjëherë dhe vëmendja është zhvendosur gjetkë. Marrëzia dhe paaftësia, shpesh edhe ligësia e shoqëruar me mungesën e informacionit, i ngjajnë ëmbëlsirës sonë tradicionale, bakllavasë që shtresëzohet petë pas pete. Me ndryshimin e vetëm në shije. Bakllavaja është e ëmbël edhe për shijen e sofistikuar nga diabeti i gushtit.
Në rastin e dytë, telenovela e trishtuar mbërriti pothuaj në epilog. Të paktën e parë në interesin e medias që e përgatiste atë si ushqim për publiku. Një nga vajzat ndodhet në paraburgim, një tjetër në “gjysëm arrati zyrtare”, prindërit dhe motra tjetër nën shok të jashtëzakonshëm psikologjik. Histori të tilla nuk i urohen as hasmit, por ajo është shprehje e jashtëzakonshme e asaj sesi funksionon shoqëria shqiptare duke nisur që nga qeliza e saj, familja, e duke përfunduar tek institucionet.
Ishte një qark i mbyllur që nisi me prindër që jepnin intervista të njëpasnjëshme në media, ndoshta me idenë që të nxisnin policinë të bëhej më energjike në kërkimin e vajzave të humbura, me vajza të arratisura që pikërisht kur shihnin zhurmën e krijuar, trembeshin të riktheheshin. Adoleshente të dëshpëruara që duke dashur të krijojnë alibi për veten, tentojnë të fajësojnë në maksimum prindërit dhe motrën e mbetur në shtëpi, pra vetëm duke shtuar diametrin e të njëjtit rreth vicioz.
Brenda logjikës së skenarit më të keq të mundshëm, fatmirësisht ndodhi më i miri i mundshëm: askush nuk humbi jetën edhe pse humbi përfundimisht qetësia, intimiteti dhe normaliteti.
Vite më parë, një tjetër adoleshente pati një fat shumë herë më të zi. Duke vrarë dhunuesin e saj, ajo hapi dyert e burgut për veten. Edhe pse drejtësia provoi se ajo ishte gishti që shkreu armën e krimit, pakkush nga ata që duhet të japin drejtësi, përfshi vite më pas edhe Presidentin që refuzoi një falje të pjesshme për atë vajzë, nuk u ndalën më gjatë në gjetjen e të carës mes shkak-pasojës. E bëri në fakt media dhe shumë individë të tjerë që u dëshmuan në disa raste, shumë më të kthjellët se ata që paguhen për të dhënë drejtësi. Sot, atë vajzë pakkush e kujton, vec Eni Vasilit, gazetares që nuk i ndahet qelisë së saj me një bast gati personal, me shpresë tek liria.
Nesër do të harrohet dhe drama e familjes me tre vajza. E gjitha cfare do të mbetet nga këto dy histori është dhjetë minutëshi i lavdisë. I emrit që del në faqe të parë të gazetave, i fotove, i fjalive të cituara dhe gazetarëve që kërkojnë intervista me të njëjtin ngulm që do të kërkonin nëse ka apo jo të brendshme poshtë fustanit të “artistes së madhe nga Shqipëria” që cmendi…gjithë botën. Sepse gjithkush, sidomos në gusht, jeton në botën e superlativave. Dhjetë minuta lavdi ka dhe debati me fall brenda për të nesërmen e koalicionit PS-LSI. Për mendjet parapolitike, në marrëdhëniet politike mes individësh dhe partish duhet të ketë patjetër dashuri. Në fakt politika, por dhe koalicionet që politika krijon, jane si një martesë interesi dhe logjike. Ndodh që ato e shpien shumë më larg një cift sesa do t’i conte pasioni i cmendur.









