Nga Drini Kuqo/
Çfarë ka të përbashkët Sali Berisha në studion e emisionit të mbrëmshëm “Opinion”, me Sali Berishën e 20 vitëve më parë? Përgjigja është e thjeshtë: Idenë e marrjes së pushtetit me dhunë, nëpërmjet grushtit të shtetit.
Shumë prej 20-vjeçarëve të sotëm, ndoshta nuk e dijnë se në historinë e demokracisë në Shqipëri, viti i zi 1997, u pasua nga një tjetër ngjarje e rëndë, në 1998-ën: grushti i shtetit i 14 shtatorit. Partia Demokratike e udhëhequr nga Kryetari i saj, Sali Berisha, organizoi një grusht shteti, me qëllim marrjen me dhunë të pushtetit, dy ditë pasi kishte ndodhur vrasja e Azem Hajdarit.
Për më të mëdhenjtë në moshë, janë të ngulitura në mendje ngjarjet e asaj dite. Televizionet dhe agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, transmetonin papushim pamje, me tanke ushtarakë të vendosura para selisë së Partisë Demokratike. Një prej dëshmitarëve të asaj dite, që sot është kthyer në qendër të vëmendjes për dëshmitë e tij pa doreza, Izet Haxhia, ka pranuar se ai dhe shumë të tjerë janë manipuluar prej Sali Berishës atë ditë, në të gjitha veprimet e tyre për goditjen e institucioneve të shtetit.
Kulmi i grushtit të shtetit berishian ndodhi kur një prej aleatëve të tij, përfaqësues i Legalistëve, hyri bashkë me njerëz të armatosur në televizionin kombëtar dhe para ekranit shpalli se qeveria kishte rënë, dhe tashmë pushtetin e kishte… Sali Berisha.
Ishte një ëndërr që zgjati vetëm pak orë. Ndërhyrja e ndërkombëtarëve i bëri të qartë Sali Berishës, se ai me dhunë, ishte një pushtet që as mund ta merrte dhe as mund ta gëzonte. Dhe kështu, kryetari i PD dha urdhër për tërheqjen e të tijëve, ndërkohë që në godinën e Partisë që ai drejtonte, nisi aksioni i fshehjes së arsenalit nëpër skutat e fshehta të godinës.
Por thonë se “vesi” del me shpirtin. Edhe pse mori një mësim të mirë, se në këtë vend pushteti nuk do të merret kurrë me dhunë, Sali Berisha duket se nuk ka zënë mend. Me një thirrje ku nuk mund të mos dallosh shenjat e dëshpërimit për gjendjen ku është katandisur partia e tij, i lënduar edhe prej faktit që pasardhësi që emëroi në krye të partisë është shndërruar në një objekt talljeje kombëtare, Berisha ka lëshuar sërish një thirrje për marrje të pushtetit me dhunë. Kryetari de facto i demokratëve ka thënë se Edi Rama nuk mund të rrëzohet nga pushteti me votë dhe se për të arritur këtë qëllim, “duhet të nxirret për leckash nga zyra”.
Sigurisht, nëse përpiqesh të përsërisësh historinë për së dyti, do të përfundosh në një komedi. Siç kanë përfunduar aksionet e bujshme të opozitës, qëkurse udhëheqësi i saj e katandisi Partinë Demokratike, nga kokosh, në thelë. Sepse po të shikosh premtimet e bujshme që bëjnë Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, çifti i ritakuar i opozitës, për aksione opozitare si ato që nuk janë parë ndonjëherë në këtë vend, dhe të shohësh më pas braktisjen spektakolare që u bëjnë njerëzit, atëherë e kupton që historia është shndërruar vërtetë në një komedi, e cila veç të fut në dilemën e kahershme: të qeshësh, a të qash.