As ditën kur u tërhoq demarkacioni, e as një javë më pas, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli nuk është në dijeni të ndonjë kushti të vënë nga Lista Serbe. Por, ajo që shefi i parlamentit po pretendon se e di mirë është që askush nuk mund të kushtëzojë për asgjë.
Me gjithë turbulencat e krijuara ditëve të fundit, e që kanë të bëjnë me raportet e Listës Srpska me autoritetet e qeverisë dhe shtetit të Kosovës, lista po vlerësohet me kujdes nga kryeparlamentari.
“Lista serbe është e integruar dhe brenda kuvendit janë shumë pozitivë, po ashtu edhe në qeveri”, ka thënë Veseli, njofton Klan Kosova.
Pa treguar nëse do të marrë pjesë në takimin e paralajmëruar me opozitën, nga kryeministri, Veseli ka thënë se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, do të përfundojë.
Sipas kryedeputetit, Kosova duhet t’i ruajë marrëdhëniet e mira me Malin e Zi, e po ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (b.an)