Koreja e Veriut reagoi sot kundër SHBA-së dhe Koresë së Jugut, duke i akuzuar si luftëdashës një ditë para fillimit të manovrave ajrore të përbashkëta më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë nga amerikanët dhe koreanojugorët.
Manovrat Vigilant Ace, që mbledhin rreth 230 avionë, mes të cilëve avionë luftarakë “F-22 Raptor”, fillojnë të hënën dhe do të zgjasin pesë ditë.
Këto manovra zhvillohen pak kohë pas zhvillimit nga Pheniani të një testi me raketë balistike ndërkontinentale që mendohet se mund të arrijë deri në kontinentin amerikan.
“Ky është një provokim i hapur, i gjithanshëm, kundër Koresë së Veriut që mund të përfundojë në një luftë bërthamore në çdo çast”, shkruan në një editorial gazeta “Rodong” e partisë të vetme në pushtet në Kore të Veriut.
Koreja e Veriut thekson se ka testuar në ICBM (raketë balistike ndërkontinentale) të re, modelin “Hwasong-15”, që mendohet se mund të transportojë një mbushje shumë të rëndë në gjendje të godasë krejt kontinentin amerikan./b.d