Policia e Kosovës ka gjetur armatim, uniforma dhe pajisje të tjera ushtarake gjatë një aksioni në një fshat të Komunës së Zubin Potokut, në veri të Kosovës.
Policia ishte duke kërkuar një të dyshuar, lidhur me një laborator droge të gjetur në fshatin Qukiq disa vjet më parë, kur në lokacionin ku dyshohej se gjendej ai, u gjet armatim.
“I dyshuari nuk është gjetur në lokacionin ku dyshohej se mund të jetë, mirëpo në pronën e tij në mal në një vend të mbuluar me dhe janë gjetur uniforma dhe pajisje tjera ushtarake”, u tha në njoftim.
Policia tha se gjatë kontrollit edhe në tri vende të tjera janë gjetur të groposura edhe pajisje të tjera ushtarake.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se armët që po gjenden në veri nuk janë thjesht mbetje e bandave kriminale e terroriste, por edhe vendstrehim i armëve për planifikimet e tyre të errëta.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës bashkë me Policinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera jemi të përcaktuar qartë që rendi juridik e kushtetues, sovraniteti e integriteti, rendi dhe ligji, liria, barazia e drejtësia do të mbizotërojnë gjithandej shtetit tonë”, shkroi ai në Facebook.
Një ditë më herët, Policia e Kosovës gjeti një sasi të konsiderueshme armatimi gjatë kontrolleve në Zveçan.
/a.r