Në një lidhje me emisionin “Quo Vadis”, deputeti Pirro Vengu tha se sot as Shqipëria dhe as Evropa nuk e ka më luksin për hatërmbetje politike. Vengu shtoi se sa i përket organizimit në terren të PS, kjo është tejet normale të ndodhë. Duke u ndalur tek përplasjet e fundit në PS, Vengu komentoi edhe qendrimet e Elisa Spiropalit në mbledhjet e grupit socialist.
“Shqipëria ka çështje shumë më jetike sesa hatërmbetja ime apo e dikujt tjetër. Ne kete kontekst rajonal dhe nderkombetar, hatermbetjet jane nje luks qe nuk e kemi. Ky është një vit sfidash ndërkombëtare dhe na duhet pjekuri kombëtare. Debatet e brendshme janë normale. Skam asnjë koment për znj. Spiropali, pasi e konsideroj një çështje të pikëpamjes së saj personale. Sikundër nuk kam asnjë koment për deklaratën e kolegut Braçe për t’u ofruar si kandidat për Tiranën. Nuk ka asgjë të pazakontë që dikush në politikë të jetë i gatshëm për të kandiduar. Në kontekstin e sfidave aktuale, çfarë është më e rëndësishme për publikun? Ku u ul dikush dhe çfarë tha, apo çfarë punësh po bëhen për qytetarët? Janë më të rendësishme rritja e çmimeve, nafta, ndikimi i zhvillimeve ndërkombëtare në jetën e përditshme, apo kush është ulur në karrigen e ministrit në mënyrë të përsëritur? Prandaj e konsideroj të pavend zhvendosjen e mbulimit mediatik tek detaje periferike”, tha Vengu për Vizion Plus.











