Zgjedhjet lokale të 2015 shënuan një suprizë të madhe për koalicionin e djathtë. Për herë të parë, opozita uli ndjeshëm numrin e bashkive të fituara, duke marrë vetëm 15 kundrejt 45, që fitoi koalicioni i majtë dhe një bashki, atë të Finiqit, që u mor nga ish aleatja e demokratëve, Partia e Minoritetit Grek “Mega”.
Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2011, e djathta asokohe përfshi edhe LSI-në, fitoi 30 bashki dhe 179 komuna, ndërsa në këto zgjedhje, koalicioni opozitar jo vetëm që mori 15 bashki, por humbi mbështetjen edhe në ato njësi vendore të konsideruara si bastione të saj në veri të vendit.
Akoma më e zymtë është panorama që ofron rezultati i dalë nga kutitë e votimit për këshillat bashkiakë. Aleanca Popullore për Punë e Dinjitet, nga 61 bashki kryeson shumicën vetëm në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, duke fituar 27 këshilltarë, kundrejt 24 të marrë nga Aleanca për Shqipërinë Europiane.









