Në një postim në Facebook, Duka shkruan se në mënyrë kolegjiale PAA vendosi që të hyjë në rrugëtimin e zgjedhjeve lokale. “Për t’ju përgjigjur kërkesave të elektoratit tonë, duke mbetur njëkohësisht të hapur ndaj çdo grupi interesi apo kategorie sociale që kërkon të jetë pjesë e alternativës sonë, kryesia vendosi ngritjen e një grupi pune të posaçëm për zgjedhjet vendore”, shkruan më tej Duka.
NJOFTIMI I PLOTË
Të vetëdijshëm për situatën sociale dhe ekonomike në të cilën lëngon vendi; për pakënaqësinë e rrënjosur në të gjitha shtresat e popullsisë; për krizën e thellë morale që ka shembur besimin e qytetarëve ndaj politikës, sot, në mënyrë kolegjiale, kryesia e PAA-së vendosi rrugëtimin drejt zgjedhjeve të 30 qershorit.
Të bindur se beteja jonë e drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk do të jetë pjesë e agjendës politike të partive kryesore, të cilat po mbajnë peng “Reformën Zgjedhore”, zgjodhëm të shkruajmë me dorën tonë fatin e këtyre zgjedhjeve, pavarësisht krijimit apo jo të kushteve dhe standardeve demokratike.
Për t’ju përgjigjur kërkesave të elektoratit tonë, duke mbetur njëkohësisht të hapur ndaj çdo grupi interesi apo kategorie sociale që kërkon të jetë pjesë e alternativës sonë, kryesia vendosi ngritjen e një grupi pune të posaçëm për zgjedhjet vendore.
Grupi i punës që do të përcaktojë, në koordinim me strukturat e çdo qarku, listat për kandidatët e Këshillave Bashkiake dhe, gjithashtu, do të përzgjedhë kandidatët për kryetarë bashkie në gjithë ato njësi vendore ku PAA ka potencialin për të qenë jo vetëm një alternativë, por një shumicë qeverisëse.
Puna e grupit të posaçëm, bashkë me kandidaturat për këshillat dhe bashkitë, do t’i nënshtrohet gjykimit dhe votës finale të Asamblesë Kombëtare të Partisë Agrare Ambientaliste, e cila do të mblidhet më 23 Shkurt.
Suksese të gjithëve!
/a.meta