Të gjithë ata punonjës policie që kanë dëmtim të rëndë të pronës për shkak të detyrës do të përfitojnë ndihmë të menjëhershme financiare dhe në masën 100% të vlerës së pronës së dëmtuar.
Megjithatë, ky dëmshpërblim nuk mund ta kalojë shifrën e 1 milion lekëve. Në pikën 2 të vendimit të qeverisë të marrë për punonjësit e policisë, se punonjësi i policisë përfiton ndihmën e menjëhershme financiare “kur dëmtimi i pronës së paluajtshme ose të luajtshme, vlerësohet më shumë se 100 000 (njëqind mijë) lekë”.
“Për të përfituar ndihmë të menjëhershme financiare, punonjësi i policisë duhet të ketë titull pronësie, bashkëpronësie të pronës së dëmtuar, apo të provojë që këtë pronë e ka në proces legalizimi. Punonjësit të policisë i jepet ndihmë e menjëhershme financiare, sipas këtij vendimi, vetëm në rast se nuk ka përfituar dëmshpërblim nga një shoqëri sigurimi për dëmtimin e pronës”, thuhet në pikën 3 dhe pikën 4 të vendimit të qeverisë.
Në pikën 5, sqarohet se në cilat raste punonjësi i policisë përfiton ndihmë të menjëhershme financiare.
Më konkretisht, këtë ndihmë e përfiton në rastin kur: “a) prona i është dëmtuar si pasojë e veprës penale, e kryer në dëm të punonjësit të policisë për shkak të detyrës, dhe për rastin është referuar në Prokurori; b) prona i është dëmtuar aksidentalisht, gjatë përdorimit të saj nga punonjësi i policisë, për përmbushjen e detyrave zyrtare”.
Për të përfituar shpërblimin, duhet të faktohet dëmi dhe të dorëzohet dokumentacioni përkatës pranë titullarit të institucionit policor ku ai shërben, ndërsa drejtori i policisë urdhëron ngritjen e komisionit të vlerësimit të dëmit.
Vlerësuesit përbëhen nga zëvendësdrejtori dhe 5 anëtarë, përfshirë një jurist dhe një specialist finance. Brenda 10 ditësh, komisioni duhet të verifikojë dëmet dhe duhet të bëjë vlerësimin paraprak.
Në rastet kur konstatohet se dëmi nuk është shkaktuar për shkak të detyrës dhe polici ka marrë shpërblimin, atëherë ai është i detyruar ta kthejë./oranews/b.d











