Kryetarët e komunave veriore të Kosovës, Goran Rakiç (Mitrovicë e veriut), Dragan Jabllanoviç (Leposaviç), Vuçina Jankoviç (Zveçan) dhe Stevan Vulloviç (Zubin Potok) si dhe kryesuesit e kuvendeve të komunave veriore e kanë përshëndetur vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s që të mos lejojë hyrjen e Kosovës në këtë organizatë.
“Falënderojmë përpjekjet maksimale të Qeverisë së Serbisë, si dhe të gjitha vendeve anëtare të UNESCO-s, që kanë votuar kundër, por edhe atyre që kanë abstenuar. Përfundimisht me këtë akt është dëshmuar se pas shumë akteve të ndryshme që janë bërë në Kosovë, rrënimi dhe djegia e kishave dhe e manastireve, shkatërrimi dhe rrënimi i varrezave, të atillëve (kosovarëve) nuk u takon vendi në këtë organizatë, e cila ka për qëllim t’i kontribuojë paqes dhe sigurisë përmes metodave universale të vendosjes së drejtësisë, ligjit dhe të drejtave elementare dhe lirive të njeriut”, thuhet mes tjerash në një komunikatë të kryetarëve të komunave veriore, dërguar mediave serbe në veri të Mitrovicës.
/Zëri/