Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, e vlerësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të kufizuar SPAK në procedurën e sekuestrimit të telefonëve në kuadër të hetimeve që bëjnë për dosje të ndryshme. Tomorri u shpreh se tashmë do t’u merret telefoni njerëzve që janë nën hetim dhe do të kërkohet vetëm ajo për të cilën ata hetohen, ndërsa materialet në telefon do të kqyren me urdhër gjykate.
Biseda
Tomorri: Ka dy probleme që i adreson ky vendim. Kishte nisur një praktikë që u merrej telefoni në rrugë, edhe atyre që nuk ishin nën hetim, por ishin vetëm në dijeni, apo se prokurori mendonte se kishte dijeni. Personi të cilit i është marrë telefoni është person në dijeni. Pra nuk ka patur statusin as të hetuarës, as të dyshuarës.
Lala: Madje edhe kur u hakerua SPAK dokumenti i parë që rodhi ishte dokumenti për sekuestrimin e celularit të zonjës.
Tomorri: Duhet të ketë një kufizim dhe nuk e di se sa do ta kufizojë ky vendim.
Lala: Ideja është te ndërhyrjet arbitrare. Prokuroria do të hetojë dhe do të sekuestrojë edhe celularë.
Tomorri: Do të sekuestrojë, por jo për njerëzit që nuk i ke nën hetim.
Rakipi: A bëhet kontrolli me vendim gjykate?
Lala: Patjetër, seopse marrja e telefonit, futet te kontrolli personal.
Tomorri: Ty të merret telefoni, të dhënat shkojnë në prokurori dhe pastaj nxirren në pazar. Ndërsa pjesa e dytë e vendimit është se nëse merret telefoni se ti dyshohesh për diçka, do të kërkohet thjeshtë ajo e dhënë për të cilën ti dyshohesh, apo hajde marrim telefonin dhe shohim aty 1000 gjëra dhe hapim dosje sa të duam. Klodi sapo dha shembullin e Maltës që kur të marrin telefonin, ta marrin me objekt të përcaktuar.











