Ministria e Drejtësisë ka urdhëruar nisjen e inspektimit lidhur me vendimet gjyqësore dhënë ndaj Sokol Mjacajt, autorit të vrasjes së dy turistëve çekë në Prekal të Dukagjinit.
Ministria kërkon që inspektimi të kryhet lidhur me verifikimin e vendimeve që janë dhënë ndaj 20-vjeçarit si nga gjykata e shkallës së parë në Shkodër, ashtu edhe nga Gjykata e Apelit në këtë rreth.
Mësohet se grupi i inspektimit ka nisur të kryejë tashmë këtë verifikim të vendimeve që lanë të lirë 20-vjeçarin vetëm një muaj para se të kryente masakrën e rradhës, atë ndaj turistëve çekë.
Bëhet fjalë për vjedhjen me pasojë vdekjen e 13-vjeçarit me inicialet A.L, në fshatin Pjollë të komunës Shalë në vitin 2010 për të cilën ka qenë i dënuar si bashkëpunëtor edhe Sokol Mjacaj.
Shkalla e parë dënoi me burgim të përjetshëm Besnik Kodrën, me 11 vite burg vëllanë e tij dhe me 10 vite burg Sokol Mjacën, por Apeli mbajti të pandryshuar vetëm dënimin për Besnik Kodrën, ndërsa uli në 25 vite burg vendimin për të vëllanë dhe i uli nga 10 në 4 vite burg masën e dënimit për autorin e vrasjes së turistëve çek.









