“Vëllai i Festimit, ishte gërricur me një person”/ Eksplozivi në restorantin e Mustafa Subashit. Dumani: S’mora asnjë lek, planin e bëra vetë!

Një tjetër ngjarje e zbardhur referuar dosjes së SPAK është ngjarja e ndodhur më datë 29. 01.2020 në qytetin e Durrësit, ku iu vendos eksploziv një restoranti në pronësi të Mustafa Subashit

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar në datën 27.04.2022 procedimin penal nr.94 (në bazë të akteve të procedimit nr. 311/2020 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, të rifilluar) që bën fjalë për  vendosjen e lëndës plasëse në lokalin e shtetasit Mustafa Subashi datë 29.01.2020 në qytetin e Durrësit.

Ky procedim penal është regjistruar për veprat penale të: “Shkatërrim i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 152 dhe 278/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Ky procedim penal ka të bëjë me ngjarjen e datës 29.01.2020, ku rreth orës 21:00 është njoftuar salla operative e Komisariatit të Policisë Durrës se në lagjen nr.13, Durrës, sektori Teuta në restorant “Emros Bunkeri”, në pronësi të shtetasit Mustafa Subashi ka shpërthyer lëndë plasëse eksplozive.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar një derë dhe dy vetrata xhami ku në secilën prej tyre shikohet një vatër zjarri. Nga shpërthimi janë dëmtuar dera prej alumini, vetratat e xhamit si dhe parvazi i mermerit dhe muri te vatrat e zjarrit.

Po kështu në vendngjarje ka mbetje të fitilit zjarr përcjellës si dhe gypa me detonator.

Në lidhje më këtë ngjarje është pyetur shtetasi Mustafa Subashi i cili në deklarimin e tij ka sqaruar se “….. është pronar i lokalit…Pallati ku ndodhet lokali është ndërtuar në vitin 2010 dhe Subashi ka qenë pronar i truallit. Nga ky ndërtim ka marrë lokalin në katin e parë dhe një shtëpi po në këtë pallat. Në datën 29.01.2020, rreth orës 20:45, ka qenë në shtëpi kur ka dëgjuar një shpërthim të fuqishëm. Menjëherë ka zbritur poshtë për të parë se mos kishte shpërthyer ndonjë bombol gazi por ka konstatuar se ishin dëmtuar dhe thyer xhamat e lokalit. Menjëherë për ngjarjen ka njoftuar policinë. Nuk ka dyshime për autorë të vënies së kësaj lënde eksplozive në lokalin e tij..”. Nga ana e  oficerit të policisë gjyqësore që ka hetuar këtë çështje janë marrë pamjet filmike pranë zonës ku ka ndodhur shpërthimi. ga analiza e pamjeve ka rezultuar se autori i dyshuar i kësaj ngjarje është një person i cili është afruar me biçikletë nga Ura e Dajlanit dhe ka lëvizur në bregdet ku rreth orës 20:30 është afruar te restorant “Embos”. Më pas ky person së bashku me biçikletën është larguar me shpejtësi rreth orës 20:45 dhe menjëherë pas largimit të tij ka ndodhur shpërthimi. Personi i dyshuar mban të veshur një palë tuta të zeza me mbishkrime anash, një xhpme ngjyrë ulliri me kapuç si dhe një çantë shpine. Në pjesën e fytyrës mban një shami. Në vendngjarje janë gjetur copa të parvazit të dritareve të dëmtuara të cilat janë marrë në cilësinë e provës materiale dhe janë dërguar për ekspertim për ti dhënë përgjigje nëse në këto prova evidentohet prania e lëndës plasëse eksplozive, nëse po çfarë lënde është. Në bazë të aktit të ekspertimit kimik-lëndë eksplozivi Nr.1509, datë 12.02.2020 ka rezultuar se nga analiza e GC/MS për mbetjet në provat materiale, objekte të ekspertimit nuk u evidentua prania e ndonjë lënde plasëse eksplozive. Në bazë të aktit të ekspertimit Nr. 6, datë 03.03.2020 ka rezultuar se dëmtimet e konstatuara në vendngjarje janë dëmtime të shoqëruara me heqje lënde ku rreth e përqark ka mbetje të theksuara bloze me ngjyrë në të zezë  të ngjashme me ato që lë lënda plasëse pas shpërthimit. Këto dëmtime janë të ngjashme dhe kanë grup karakteristikash të përbashkëta me dy vatra shpërthimi nga lëndët plasëse dhe kanë përmasa 50x40x20 cm dhe tjetra me përmasa 70x35x20cm. Dëmtimet e konstatuara dhe të dokumentuara në procesverbalin e këqyrjes  së vendit të ngjarjes datë 29.01.2020 kanë ardhur si pasojë e shpërthimit të dy sasive lënde plasëse të cilat kanë qenë të afta për të kryer punë (shkatërrim). Nga të dhënat dhe provat materiale të administruara nga ana e ekspertit është dhënë konkluzioni se mekanizmi primar i shpërthimit ka qenë ai i formës së thjeshtë me gyp ndezës ku ky mekanizëm funksionon ku ndizet njëri skaj i fitilit zjarr përcjellës dhe zemra e tij prej baruti e përcjell zjarrin tek skaji tjetër ku është montuar kapsolla detonatorë e gypit plasës duke e shpërthyer atë. Të dyja shpërthimet kanë pasur si mekanizëm shpërthimi gypin plasës të alternuar me fitilin zjarr përcjellës.

Më datë 20.07.2020, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ka vendosur pezullimin e hetimeve të procedimit penal nr. 311 të vitit 2020, për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv” të parashikuar nga neni 152 i K.Penal me argumentin se janë kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore dhe nuk është bërë e mundur zbulimi i autorit të shkatërrimit të pronës me eksploziv në pronësi të shtetasit Mustafa Subashi.

Në kuadër të procedimit penal nr.75 të vitit 2022 është administruar edhe deklarimi i shtetasit Nuredin Dumani dhënë për organin e akuzës, i cili në lidhje me këtë ngjarje sqaron se: “……Për Festimin kam bërë një shpërthim me eksploziv në vitin 2020, në plazh në Durrës, e kam bërë pa lekë. Petriti, vëllai i Festimi, ishte gërric me një person që kishte një restorant dhe hotel afër urës së Dajlanit. Pasi jam takuar me Festimin ai më shprehu shqetësimin që kishte vëllai i vet Petriti dhe më tha do ma bësh këtë punë (vendosjen e eksplozivit). Më dërgoi vetë te lokali 10-12 ditë para ngjarjes për të më treguar vendin se ku ndodhet. Më pas planin e bëra vetë. Lëndën plasëse ma siguroi Elio Bitri një shok që do flas dhe më poshtë. Djali i tezes së Elio Bitrit (Djali i tezes së Elio Bitrit ishte diku te 35 – 40 vjeç, i shëndoshë, i shkurtër sa unë, nga Elbasani, konsumator droge) punonte në një firmë që hapnin tunele. E kam blerë nga Elio 300 Euro materialin. Djali i tezes së Elios na siguroi materialin, ishte gati vetëm për të vënë shkrepësen. Pasi mora lëndën kam shkuar me një biçikletë çiklisti tek vendi ku do kryeja shpërthimin. E kam vendos me 2 pjesë të ndryshme që të bëja dëme tek restoranti. E vura shkrepësen dhe ika pastaj. Isha veshur si plak, u rrezova me biçikletë. Në momentin që u rrëzova erdhën 2 djem për të më ndihmuar por s’pranova dhe ika. Ke ura Dajlanit mora biçikletën në krahë pasi është malore. Këta 2 djem më ndoqën nga pas për të më kapur por nuk mundën. U futa për në Shkozet më pas dhe ika për në shtëpi. Më falënderoi Festimi të nesërmen për këtë ngjarje”.

Prokuroria ka argumentuar se: Të dhënat e përftuara nga deklarimi i shtetasit Nuredin Dumani vijnë në unison me të dhënat e përftuara nga provat e tjera të cilat janë grumbulluar deri në këtë fazë të hetimit. Në analizë të këtyre provave krijohet dyshimi se shtetasit Festim Qoli, Nuredin Dumani dhe Florenc Çekrezi kanë konsumuar elementë të veprave penale të “Shkatërrim i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 152 dhe 278/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. BW

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published.

LAJMET E FUNDIT

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com