Fëmijët e bllokut të pallateve që njihet ndryshe edhe si zona e “Astirit”, nga dje mund të luajnë në këndin më të madh të lojërave që ka ndërtuar Bashkia e Tiranës, pas atij te Liqeni Artificial. Dikur një zonë informale e lënë në harresë, sot banorët e kësaj zone, pjesë e Njësisë Administrative të Kasharit, kanë një hapësirë të re rekreative rreth 2300 metra katrorë, ku veç këndit të lojërave për fëmijët, ka edhe mjedise pushimi për të rriturit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh shumë i kënaqur për punën e bërë nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit dhe ndërmarrjet e tjera për shndërrimin e kësaj hapësire në një mjedis çlodhës për të rritur dhe zbavitës për fëmijët. “Ky park lojërash është bërë me forcat e bashkisë dhe vjen si një dhuratë për komunitetin e zonës. Deri dje ky shesh ishte një hapësirë toke e mbushur me inerte, ndërsa sot, falë APR-së dhe kolegëve të palodhur të bashkisë, është një hapësirë fantastike për fëmijët”, tha Veliaj, duke shtuar se ky është vetëm fillimi për transformimin total që Bashkia e Tiranës ka planifikuar për zonën e “Astirit” në Unazën e Re.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se Bashkia e Tiranës do të vijojë me investimet në këtë zonë, duke premtuar edhe ndërtimin e një shkolle të re, në vijim të projektit për ndërtimin e 20 shkollave të reja në Tiranë.
“Më vjen mirë sot që këndi i dytë më i madh i lodrave në Tiranë, pas atij te Liqeni, është këtu në zona e “Astirit”, e cila deri dje cilësohej zonë e një fshati, pra zonë e Kasharit, kurse sot një lagje e bukur e Tiranës. Por, unë besoj që ajo që është më e rëndësishme është se jo vetëm të kemi një ambient ku fëmijët luajnë, por të sigurohemi që nesër me projektin e 20 shkollave të kemi edhe shkollën e re në këtë zonë”, tha Veliaj.
Ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e këtij këndi rekreativ konsistoi në shtrimin e plotë të sheshit me pllaka, ndërtimin e minifushave, vendosjen e stolave, koshave, por edhe ndriçimit e gjelbërimit në të gjithë hapësirën e tij. /ma.me