Në kuadër të takimeve elektorale, kryebashkiaku Erion Veliaj i shoqëruar dhe nga kryeministri Edi Rama dhe kandidatët për deputetë të PS për Tiranën, zhvilluan një takim entuziast me të rinjtë e FRESSH-it. Veliaj deklaroi se Partia Socialiste ka treguar një kujdes të veçantë për të rinjtë, ndërsa i ftoi ata që të aplikojnë për të kryer praktikën e paguar nga bashkia pranë bizneseve private për 6 muaj.
“Ne tashmë me PS në Bashkinë e Tiranës i kemi filluar stazhet me pagesë për të punuar në një bankë, në një kompani kompjuterike, në një qendër tregtare, në një menaxhim biznesi për 6 muaj për dikë që i duhet për cv, që të ketë mundësi nesër që kur të interesohet për një punë afatgjatë të thotë, po unë kam eksperiencë, kam bërë kaq muaj, 1 vit pune të paguar si stazh nga PS e Shqipërisë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë deklaroi se përballë ekipit fitues të Edi Ramës si kryeministër, është oferta e atyre që shkatërrojnë dhe që flenë gjumë. “Edi Rama e ka shumë të lehtë kësaj here, përballë ekipit të tij fitues është gjithë skuadra e këndit të lodrave. Përballë Edi Ramës që bëri Tiranën për 11 vjet, që bëri shtet në Shqipëri këto 4 vjet, na kanë sjellë ekipin e lodrave, një ekip humbësish, nga deputetët kaubojsa me pistoletë që shkatërronin lodrat e kalamajve e deri tek ata në fakt që për 4 vjet fjetën gjumë si një bebush i vogël 4 vjet në Tiranë”, tha ai.
Duke komentuar propozimet e kreut të demokratëve për çerdhet dhe kopshtet, Veliaj theksoi se Lulzim Basha si kryetari i Bashkisë së Tiranës tregoi se nuk di ta bëjë atë punë duke i lënë ato në një gjendje skandaloze. “Këta mirë që nuk dinë të mësojnë që të bëjnë ndonjë punë por këta nuk dinë as të kopjojnë, sepse kur filloi loja e çerdheve ai tha se unë do ti bëjë të gjitha çerdhet me drekë dhe do ti bëj falas. Por unë kam një pyetje dhe më mirë mund ti përgjigjen ata të vitit 2011 dhe 2015 që u bënë me fëmijë, si ka mundësi që ky që premton sot çerdhet falas ndërkohë që vendimi i parë pasi vodhi Bashkinë e Tiranës ishte që të hiqte çekun e bebeve. Si ka mundësi që të gënjejë dy herë njeriu në këtë farë feje. Thotë do bëj çerdhet dhe kopshtet të papara në të gjithë Shqipërinë, unë e di që në Tiranë nuk e beson njeri se kush ka qenë në Tiranë para dy vjetësh e mban mend si ishin çerdhet dhe kopshtet, rritej kërpudha, rritej myku, ajo e jeshilja e kanaleve të ujerave të zeza lëpinte gjithë faqen e mureve të kopshteve. Çerdhet dhe kopshtet sot në Tiranë janë më të mirat jo vetëm në republikë por në gjithë rajonin. Nuk e hamë sapunin për djathë”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku Erion Veliaj shprehu bindjen se më 25 qershor, Tirana do t’i besojë Edi Rama një mandat të dytë qeverisës për të garantuar se çdo ditë do të realizohet një punë. “Nëse nuk bën dot punën e Lali Erit, nuk e bën dot punën e Edi Ramës. Dhe Tirana e ka ndarë mendjen, do jetë me PS, me Edi Ramën për 71 mandate që na japin forcë absolute për ndryshim, për punë çdo ditë”, tha Veliaj.