Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në pritje të marrjes së drejtmit të bashkisë së Tiranës ka pyetur sot në “Facebook” qytetarët e Tiranës se cilat janë 3 gjërat kanë nevojë për ndërhyrje urgjente në kryeqytet?
Veliaj shkruan se tashmë duhen përveshur mëngët për të nisur ndryshimin e shumëkërkuar. Nevoja e parë që jep vetë ai është puna. “Tirana ka nevojë për më shumë punë, punë, punë!”, shkruan Veliaj.
“Edhe pak ditë – gjer sa të ndodhë kalimi i stafetës në Bashkinë e Tiranës nga KQZ – përveshim mëngët për të nisur ndryshimin e shumëkërkuar në qytetin tonë. Tirana ka nevojë për shumë punë, punë, punë! Na tregoni cilat janë 3 gjërat që, sipas jush, kanë nevojë për ndërhyrje urgjente në Tiranë?”, pyet Veliaj.
Ndërkaq, po sot Gjykata e Tiranës ka pranuar dhe shqyrtoi kërkesën e Veliajt për verifikimin e mandatit. Gjatë seancës, vetë Veliaj nuk ishte i pranishëm.