Kryebashkiaku Erion Veliaj bëri të ditur se Bashkia e Tiranës po evidenton vendet ku do të ndërtohen 20 shkolla të reja në kryeqytet.
“Shumë shpejt do kemi caktuar vendndodhjet e 20 shkollave të reja në Tiranë. Me të bërë këtë, nga viti tjetër do të nisim ndërtimin e tyre, që edhe çështja e shkollës me dy turne të zgjidhet në Tiranë. Mrekulli nuk bëjmë dot, por po të vazhdojmë përditë me punë është mënyra më e mirë se si mund ta çojmë qytetin përpara. Kemi harxhuar shumë kohë me llafe, gjumë e stërkëmbsha, tashmë është koha që të punojmë fort dhe të kapim gjithë kohën që kemi humbur”, – tha Veliaj.
Deklarata e Veliajt u bë gjatë përurimit të kopshtit “Peter Pan” tek “21 Dhjetori”, i cili është rikonstruktuar tërësisht.
Kryebashkiaku bëri të ditur se tashmë me përfundimin e rikonstruksionit të çerdheve dhe kopshteve, e gjithë vëmendja në infrastrukturën arsimore do të shkojë te shkollat.
“E mira nuk ka fund, ndaj duam që pas çerdheve e kopshteve, duke nisur nga më të vegjlit, të vazhdojmë me shkollat dhe besoj se kemi mirëkuptimin e të gjithëve. Ky nuk është shteti më i pasur në Evropë, nuk i kemi mundësitë t’i bëjmë të gjitha gjërat brenda ditës, megjithatë gradualisht, duke filluar nga më të vegjlit tek më të rriturit, të paktën institucionet arsimore, sociale të mos t’i kemi më problem”, u shpreh ai.
Kopshti nr. 2 ka të regjistruar 160 fëmijë dhe funksionon si kopësht me drekë. Gjatë rikonstruksionit janë kryer punime pёr elIminimin e lagështirës në të gjitha ambientet e tij në katin përdhe dhe nё katin e dytё; është bërë drenazhimi, hidroizolimi i tarracës, suvatim nё pjesët qё lagёshiRa ka qenё prezente, riparim i tualeteve, rrjet i ri i ndriçimit elektrik, shtrim pllakash nё korridore, shtrim me parket nё tё gjitha dhomat, sistemimi i kanalizimeve tё ujërave tё zeza, lyerje totale brenda dhe jashtё, ndriçim, sistemime të jashtme etj.
Kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësoi punën e kryer dhe theksoi se kjo është një dëshmi e faktit që për Bashkinë e Tiranës fëmijët janë të parët.
“Kjo ka qenë një sfidë! Mbaj mend kur isha këtu në verë dhe tani nuk e dalloj dot nëse ështëi njëjti kopsht, aq shumë ka ndryshuar, deri në detaje: këndi i lojërave, tualetet e bëra me kujdes, dhomat e gjumit, kuzhina e ngrënies”, tha Veliaj.
Ai siguroi se tashmë të gjitha kopshtet në të cilat është ndërhyrë në këto muaj, kanë kushte shumë herë më të mira se më parë dhe të krahasueshme edhe me kopshtet e tjera në vendet fqinje.
“E filluam punën me dy kopshte, por kuptuam se nevoja ishte aq e madhe saqë me planin e bashkisë, dy e nga dy, do duheshin nja 100 vite që të mbaronin. Nga 2 kopshte shkuam në 23, nga 23 shkuam në 26 dhe më vjen mirë që sot të gjitha kopshtet e Tiranës janë në një gjendje shumë të mirë, krahasuar me shumë kopshte që kemi parë, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin”, shtoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë falenderoi gjithashtu prindërit për mirëkuptimin, që teksa punohej, iu është dashur që fëmijët ose t’i sistemojnë në kopshte të tjera ose t’i mbajnë në shtëpi.
“Një dhomë të rregullojmë në shtëpitë tona dhe na prishet terezia, imagjino të rregullosh një qytet, të hapësh 100 kantiere pune, duke nisur nga sheshi “Skënderbej”, e deri te çdo dhomë e vogël, siç janë kopshtet e çerdhet e Tiranës. Por, rëndësi ka që të gjithë bashkë ia dolëm!”, deklaroi Veliaj.