Pazari i Ri, Kalaja e Tiranës, bulevardi i ri, sheshi “Skëndërbej”, amfiteatri, çerdhet dhe kopshtet, korsitë e biçikletave, mensat sociale, janë vetëm disa nga punët që janë bërë në Tiranë gjatë këtij mandati të parë të Erion Veliajt në Tiranë.
Teksa kandidon për një mandat të dytë, si një mundësi për të vijuar projektin transformues të Tiranës në një qytet të mirëfilltë evropian, Veliaj gjatë një interviste për ERTV na prezanton me disa nga sfidat me të cilat u përball Bashkia e Tiranës në këto 4 vite të para shumë intensive.
“Kur thua te Pazari Ri nënkupton që je pranë vendit ku ka argëtim, ku ka hotele, ku ka restorante, ku ka muzikë, ku ka shfaqje, kështu që duam ta vazhdojmë ta replikojmë dhe replika e parë që ka ndodhur ka qenë të Kalaja e Tiranës. Jemi duke parë disa zona të tjera të Tiranës ku ky model i Kalasë dhe Pazarit të ketë mundësi të imitohet në kuptimin më të mirë të kësaj fjale”, u shpreh Veliaj gjatë kësaj interviste.
Por beteja më e madhe sipas tij ka qenë ajo për të ndryshuar mentalitetin e njerëzve për të pranuar ndryshimin dhe për të përqafuar të bukurën. “Ajo që unë besoj se ka qenë projekti më i rëndësishëm është vetëm 10 cm e gjatë, që është kjo hapësira nga këtu- këtu dhe unë them ky ka qenë projekti më i rëndësishëm për Tiranën sepse i ka bërë njerëzit më të njerëzishëm më solidarë, duke filluar nga gjëra të vogla, kjo demokracia lokale e një pallati që zgjedh asamblenë e vet, administratorin e vet, duke filluar me fëmijë që mbjell një pemë, duke filluar nga vullnetarët e rinj që shërbejnë një pjatë supë në mensat sociale”, shprehet Veliaj.
Veliaj bën të ditur se gjatë këtyre viteve ka patur gjera që ka dashur t’i bëjë më shpejt ose me më shumë vendosmëri, siç është edhe rasti i ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. Ai e konsideron shumë të rëndësishme, që një ide të diskutohet dhe debatohet, por është gjithashtu e rëndësishme që pas kësaj kjo të mos pengojë zhvillimin e projektit, si në rastin e Teatrit Kombëtar. “Për sa kohë që ndalohet puna, siç është rasti i Teatrit, për të cilin jam i keqardhur, kemi humbur kaq shumë kohë. Sot duhej të ishte në të njëjtin stad zhvillimi me stadiumin. Teatri mund të kishte ecur më shpejt dhe një gjërat që nuk dua të ndodhë në 4-vjeçarin e dytë është që të mos prishet raporti midis dëgjesave, demokracisë, të drejtës së secilit për të thënë një opinion por nevojës gjithashtu që pasi kanë mbaruar gjithë konsultimet të merret një vendim”, tha Veliaj.
Ndërkohë që tek projektet që kërkon të realizojë gjatë këtij mandati të dytë Veliaj rendit: transformimin e Piramidës në qendrën më të madhe të inovacionit dhe teknologjisë në rajon, Kopshti Zoologjik, tregu agro-ushqimor, si dhe projekti i reahabilitimit të 100 blloqeve të banimit.
Intervista e plotë:
Turi për Bashkinë që duam na ka sjellë sot këtu në Tiranë, këtu në Pazarin e Ri që është prova dhe dëshmia e fuqisë reale që ka vota si instrument i ndryshimit. Pazari i R i i Tiranës është kthyer nga një simbol i harresës dhe degradimit në simbol të zhvillimit urban, ku ndërthuren elementët e tradicionales dhe kulturës me modernen. Personazhin e sotëm në fakt mu desh kohë për të marrë një përgjigje për të pirë një kafe me të këtu në Pazarin e Tiranës, duke qenë se nuk është nga ata kryebashkiakët tipikë që varin kollaren në qafë dhe englendisen rrugëve. Ai është një njeri i terrenit, gjatë gjithë kohës duke takuar njerëz në rrugë. Po ja ku jemi sot, është shumë kënaqësi të jem me ty sot Erjon! Le ta nisim nga Pazari, është një simbol i jashtëzakonshëm i ndryshimeve dhe transformimeve që ka pësuar Tirana, është ky vetëm model i parë i një vale ndryshimesh që do të përfshijnë Tiranën edhe në 4 vitet e ardhshme?
Në fakt ka qenë një eksperiment jashtëzakonisht i suksesshëm, një mundësi për të pasur disa ndërhyrje publike mes nesh dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, si pazari i mishit dhe i peshkut, pazari i fruta-perimeve, sheshi rekreativ, por ajo që është historia e vërtetë e suksesit për Pazarin e Ri është se shumë prej privatëve, duke filluar që nga kjo kafene, te restorantet që janë hapur, pothuajse çdo vrimë në mur përfaqëson një biznes, një sipërmarrje, një vend ku njerëzit punësohen. Ka qenë një nga stacionet e preferuara të turistëve, shohin se si një pjesë e Tiranës së vjetër, të Tiranës moderne apo të epokës së komunizmit, përfaqësohen në më pak se 1 km katror.
Dhe jo vetëm një qendër biznesi por një hapësirë publike e kthyer për qytetarët e Tiranës….
Ne thuajse kemi 100 aktivitete në vit në Pazar, te sheshi i aktiviteteve, dhe besoj që për të gjithë ata që kanë pasur këtu një pronë, kanë shpëtuar nga balta, nga ujërat e zeza që shpërndaheshin kudo, nga të gjithë mbeturinat që dergjeshin në pazar, në një hapësirë e cila jo vetëm ka shumëfishuar vlerën e shtëpive dhe të të gjithë zonës, por sot është kthyer ndoshta në zonën kadastrale më të lakmuar në Tiranë. Kur thua te Pazari Ri nënkupton që je pranë vendit ku ka argëtim, ku ka hotele, ku ka restorante, ku ka muzikë, ku ka shfaqje, kështu që duam ta vazhdojmë ta replikojmë dhe replika e parë që ka ndodhur ka qenë të Kalaja e Tiranës. Jemi duke parë disa zona të tjera të Tiranës ku ky model i Kalasë dhe Pazarit të ketë mundësi të imitohet në kuptimin më të mirë të kësaj fjale.
Erjon, mediat ndërkombëtare të kanë krahasuar me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, që thotë se e vetmja perspektivë që e ka bërë Kandanë që të jetë ajo që është sot, është dëshira për të punuar fort, me ambicien për ta bërë të ardhmen e fëmijëve tanë më të mirë se sa ajo që ne patëm. Mendon se pas katër vitesh ke mundur të hedhësh themelet e një Tirane më të mirë nesër për fëmijën tënd për fëmijët e të gjithë tironsve?
Unë nuk e di nëse jemi 100 % si Kanadaja, ndoshta nuk jemi, por besoj që një gjë që mund të krahasohet Tirana me këto vende është fakti se është një hapësirë multikulturore. Në Tiranë ka dhe tropojanë dhe tepelensë, ka dhe shkodranë dhe skrapalinj, në Tiranë ka dhe sarandiotë dhe kuksianë dhe në këtë sens, fakti që sot në Tiranë kemi mbi 131 kombësi të ndryshme e ka kthyer Tiranën në hapësirën më mendjehapur të Shqipërisë por ndoshta dhe të Ballkanit. Nuk di një qytet tjetër që të ketë 130 apo 140 kombësi. Edhe këtu në Pazar, kemi një restorant indian, pak më tutje një restorant italian, një kuzhinë osmane, një tavernë greke … Kështu që fakti që Tirana është një hapësirë kozmopolite dhe përfaqëson, le të themi fije në këtë qilimin e madh, në këtë mozaikun e madh të shumë kombësive, të shumë qyteteve, besoj e bën pak të ngjashme me historinë që ju përmendët. Por në fund të ditës, llogaria është shumë e thjeshtë, për çfarë i bëjmë këto gjëra? I bëjmë për një kënaqësi të momentit, i bëjmë për egot tona apo i bëjmë ndoshta që fëmijët tanë që do rriten në këtë qytet të jenë krenarë dhe të thonë, “ej nuk e di si ka qenë më përpara, por ky qytet është i pastër, ky qytet ia vlen të ëndërrosh, ia vlen të shkosh të luash me shokët, është një qytet që ia vlen të ndërtosh të ardhmen tënde këtu dhe unë besoj që tani që jam bërë prind, jam bërë më i ndjeshëm, dhe them: A do ishte ky qytet, a është sot ky qytet ku djali im pasi të rritet të thotë; është një vend i paparë, unë këtu dua të jetoj dhe si im atë dua të jap një kontribut.
Cilat do të konsideroje projektet më të rëndësishme të këtij 4 vjeçari?
Disa projekte janë projekte fizike, janë të prekshme, siç është bulevardi i ri, sheshi “Skënderbej” Amfiteatri i Liqenit dhe gjithë transformimi që ka ndodhur me liqenin, gjithë Parku Olimpik, pastaj ndërhyrje ne infrastukturë. Ajo që unë besoj se ka qenë projekti më i rëndësishëm është vetëm 10 cm e gjatë, që është kjo hapësira nga këtu- këtu dhe unë them ky ka qenë projekti më i rëndësishëm për Tiranën, sepse i ka bërë njerëzit më të njerëzishëm, më solidarë, duke filluar nga gjëra të vogla, kjo demokracia lokale e një pallati që zgjedh asamblenë e vet, administratorin e vet, duke filluar me fëmijë që mbjell një pemë, duke filluar nga vullnetarët e rinj që shërbejnë një pjatë supë në mensat sociale. Këto mendoj janë projekte, që ndodhta nuk janë fizikisht ulëritëse si sheshi apo liqeni, por janë projekte të një infrastukture, kulturore, sociale, morale, që do na ndihmojmë të bëjmë akoma më shumë gjëra fizike, por kjo e brendshmja gjëja që ka ndryshuar më shumë.
Ke punuar së fundmi një projekt që më duket interesant, 100 lagjet e Tiranës. Çfarë synon?
Është një frymëzim nga nga projekti i qeverisë “100 fshatrat”. Nëse tradita më parë nga bashkia ka qenë një rrugë këtu, një rrugicë atje, këtu ndriçimi, këtu asfalti, këtu ujësjellësi, një lloj shqepjeje dhe një punë e hapërdarë, duke përdorur një term popullor, kemi gjykuar që ndonjëherë puna ia vlen më mirë të bëhet në një paketë investimesh në të gjithë lagjen. Kur shqepet një rrugë për ujin, energjinë, me utilitetet e tjera siç mund të jenë kanalizimet, internetin, të bëhet njëherë e mirë dhe e gjitha lagjja të transformohet me një minipiacetë me hapësira publike, për t’u përdorur nga lagjja dhe besoj se ka më shumë duk kur një buqetë investimesh përfshin gjithë lagjjen dhe pastaj del e gjitha në dritë, se sa duke iu rikthyer disa herë në varësi të llojit të investimit. Kështu që nga ‘’100 fshatrat’’, do jemi në garë me qeverinë me “100 lagjet”.
Ka patur në këto 4 vite projekte për të cilat ti doje të kishin pasur një tjetër ritëm dhe ti do të doje të kishin ecur me shpej?
Absolutisht. Ndonjeherë kur njerëzit thonë shumë fjalë të mira, them: prit njëherë, se unë i pari kam shumë kritika që mund të bëj. Teatri mund të kishte ecur më shpejt dhe një gjërat që nuk dua të ndodhë në 4-vjeçarin e dytë është që mos prishet raporti midis dëgjesave, demokracisë, të drejtës së secilit për të thënë një opinion por nevojës gjithashtu që pasi kanë mbaruar gjithë konsultimet të merret një vendim. Ende nuk ka një projekt sot, edhe tani që kanë mbaruar dhe tani që janë të suksesshme me të cilin njerëzit bien 99 përqind a 100 përqind dakord. Përfshi edhe këtë, ka njerëz për arsye politike që thonë: refuzoj të shkoj te Pazari i Ri ngaqë kanë protestuar atëherë kështu që tani ose do veshin kasketë ose nuk do shkojnë të pijnë kafe te Pazari. Edhe pse ka mbaruar dhe ka marrë notën 10 nga publiku dhe turistët, ndërkombëtarët, ka njerëz që prapë nuk vijnë. Po, kjo nuk është një arsye pse të ndalohet puna. Për sa kohë që ndalohet puna, siç është rasti i Teatrit, për të cilin jam i keqardhur, kemi humbur kaq shumë kohë. Sot duhet të ishte në të njëjtit stad zhvillimi me stadiumin. Edhe unë nuk e besoj dot kurrë në botë, që sportistët qenkan më të ftilluar e më inteligjentë se arstistët. Jo. Ajo që ndodhi është se 99 përqind janë dakordësuar dhe për 1-2 që për axhendë politike duan të pengojnë gjërat, do t’i respektojmë, pra do të biem dakord që të mos biem dakord, por nuk do biem dakord që të pengojmë gjërat.
Më vjen mirë që ti e respekton këtë pluralizmin e ideve, pjesë e demokracisë janë dhe kritikat. Si iu përgjigjesh ti atyre që thonë: që Tirana ka nevojë për më shumë hapësira të gjelbra, korsi biçikletash më pak ndërtime.
Në një fjali u thanë disa gjëra. Përsa i përket hapësirave të gjelbëra, Tirana sot është më mirë me Liqenin e dyfishuar, se sa me Liqenin gjysmë të zaptuar. Fakti që kemi liruar zaptimin dhe e kemi marrë mbrapsht, Tirana sot është më mirë me Parkun e Farkës së shtuar se sa pa Parkun e Farkës së para 4 viteve. Ne kemi mbaruar gjysmën e pedonales, kemi mbjell rreth 20 mijë pemë. Tani po mbarojmë pjesën tjetër të parkut. Tirana është më mirë tani që ka filluar Parku i Kasharit, te Liqeni i Kasharit, Parku i Vaqarrit sa bëmë një mbjellje masive të pemëve. Sigurisht nëse del dikush vullnetar dhe thotë të prishet shtëpia ime të bëhet park, aman na e thoni! Po të gjithë thonë të bëhet te dikush tjetër, kështu që vendet e dikujt tjetër ne i mundësojmë vetëm në parqe të mëdha. Nëse ka filantropi që thonë jam gati të prish shtëpinë time të vjetër dhe t’ia dhuroj parkun lagjjes, atëherë shumë mirë, por për sa kohë që ende nuk kanë dalë këta vullnetarët e parë, do të na duhet që ata që e thonë këtë ose të na bashkohen në betejat për të liruar këto parqet e mëdha nga zaptimet ose të mbjellin në zemrën e tyre dëshirën filantropike dhe të na dhurojnë një pronë të tyre, në një qytetet që jo vetëm është privatizuar në mënyrë të tejskajshme në vitin 90-të por iu është rikthyer prona me të drejtë shumë prej banorëve të vjetër. Një nga gjërat që ne kemi vënë si rregull në urbanistikë është që ti nuk mund të ndërtosh kurrë në 100% të territorit tënd, kështu që nëse do të ndërtosh tek ky kuadrati këtu ti mund të ndërtosh në periferi, por ama do ta lirosh këtë hapësirën që të jetë një kënd lodrash për fëmijët dhe ne këtë mënyrë me këto rregullat e reja të urbanistikës ne kemi përfituar 46 sheshe, Tirana ka nevojë ndoshta edhe për 46 të tjera.
Një nga sfidat që besoj që vlen edhe për Tiranën, por për të gjitha bashkitë e reja të dala pas reformës territoriale, është harmonizimi ose zvogëlimi i këtij hendeku të madh midis investimeve në qendër në qendrën urbane dhe periferike, pra zonave rurale. Keni ju një plan përkatës vitet e ardhshme për ta zvogëluar këtë hendek?
Ne kemi një dhe e shohim në terren një transformim total falë reformës territoriale të kryeministrit Rama dhe të qeverisë për t’i konvensuar njësitë administrative, ne kaluam nga 400 komuna edhe bashki në 61, kështu që Tirana tani është pjesë e 27 njësive administrative përfshirë edhe 3 të rejat që sapo u krijuan. Nëse do të ishte për taksat e Krrabës, rruga e Krrabës që ne kemi bërë nuk do bëhej për 60 vjet, nëse do të ishte për taksat e Zall-Bastarit, rruga e Zall Bastarit nuk do të ishte bërë për 70 vjet, nëse nuk do të ishte për taksat e Tiranës rruga e Çekrezës edhe e Kasallës në Zall-Herr nuk do ishte bërë për 100 vjet. Ka shumë pak banorë me shumë pak fuqi ekonomike, kështu që një nga avantazhet e reformës është se i’u dha mundësi kryetarëve të bashkive, sidomos ata që janë socialist të funksionojnë me konceptin e rishpërndarjes, pra ti merr disa financa në pjesën urbane dhe të pasur për të pasur mundësi pastaj që të investosh në disa pjesë më të varfra që le të themi që janë pjesa rurale por falë këtyre investimeve ka më shumë vende sot në Krrabë, më shumë në Zall-Bastar, më shumë në Shëngjergj, agro-turizëm, njerëz që merren me climbing, me viking, korsitë e biçikletave ose këto që quhen shtigjet e biçikletave në mal, kështu që infrastruktura nuk është gjithçka por është diçka për të filluar investimet në një zonë.
Sa mendon që mund ta kenë dëmtuar imazhin e Tiranës turistike ngjarjet e fundit të ndodhura në Tiranë, kamparasysh këtu protestat e dhunshme të opozitës?
Shiko, dikush shkon në një restorant dhe helmohet dhe vetëm fakti që i thotë të tjerëve që vajta në filan vend dhe u helmova, kaq mjafton për të shkatërruar reputacionin e një restoranti, kështu që le mos të hiqemi sikur këto s’bëjnë dëm! Patjetër që bëjnë dëm, do të thotë që për çdo përpjekje që ne bëjmë me median e huaj për të thënë kjo është shtëpia jonë, patjetër që në shtëpinë tonë ka rroba të palara, por rrobat e palara ne nuk i nderim jashtë që t’ia tregojmë gjithë botës, pra secili pastron rrobat në shtëpinë e vet. Është një pjesë e vogël në Tiranë e cila le të themi është investuar për arsye politike në këtë lloj imazhi, unë jam i bindur që do ta rikuperojmë jam i bindur që është vetëm një lloj lemze në historinë e bukur të këtij qyteti. Kështu që ajo që më rezulton është që pas muajit shtator-mars rikuperuam menjëherë me rezervimet, rikuperuam me grupet turistike që kanë ardhur. Në qoftë se kalon tek sheshi “Nënë Tereza” janë autobusat rresht të atyre që janë le të themi grupe ditore, gjëja që ne duam të bëjmë është që të sigurohemi që grupet ditore të rrinë njëçik më gjatë, do të thotë kalojmë në një javë të plotë ose atë që quhet fundjava e gjatë për “City Break”, pra një ndalesë qytetase.
Pra ka një pasurim të ofertës turistike të Tiranës?
Absolutisht. Para një muaji ne nuk thoshim dot nëse ka një muze të një shkrimtari të famshëm, sot është muzeu “Kadare”. Para 4 viteve nuk ishte “Shtëpia e gjetheve”, ose Bunkarti. Kështu që shumë prej këtyre hapësirave, shumë afër qendrës së Tiranës janë të vizitueshme në këmbë, dhe krijojnë një itinerar me 10-12 stacione, mes Pazarit, mes Kalasë, mes liqenit, mes sheshit, mes këtyre muzeve kryesore, parkut të liqenit për ata që merren njëçik me sporte dhe me aktivitete kulturore. Amfiteatri i Liqenit ka rreth 100 rezervime. Pra nga tani deri në fund të tetorit nuk ka një datë të lirë për të bërë një aktivitet, sepse është i gjithi i rezervuar, kështu që Tirana ka çfarë të ofrojë dhe ndihem mirë për këtë. Shumë mirë.
Pse duhet të jetë 30 qershori një datë e panegociueshme në kushtet kur Presidenti i Republikës ka dekretuar një datë të re për zgjedhjet dhe ndërkohë ka ftuar për një tryezë dialogu?
Data 30 është një mundësi ku populli zgjedh politikanët, jo politikanët zgjedhin popullin. Mund të ketë politikanë që nuk janë gati, por nuk kanë të drejtën t’i thonë popullit kthehuni në shtëpi, ose shkoni në plazh, kur të jem unë gati do t’ju them. Nëse nuk voton, nuk kërkon dot llogari, edhe nuk mërzitesh dot, edhe nuk bën dot kërkesa sepse nuk ke ushtruar të drejtën tënde minimale, për të dhënë mendimin tënd nëse qyteti po shkon mirë dhe do të bëjë më shumë, apo nëse nuk po shkon mirë dhe do një ndryshim. Kështu që për të gjitha këto arsye, për sa kohë që ligji, Kushtetuta thotë njëherë në 4 vite, për sa kohë që gjykatat, duke filluar nga Kolegji Zgjedhor thonë njëherë në 4 vite, për sa kohë që KQZ-ja, institucioni i zgjedhjeve thotë njëherë në 4 vite, për sa kohë që Amerika dhe BE thonë njëherë në 4 vite, nuk besoj që ka dikush që mund të fillojë këtë lojën e kungulleshkave, ku të thotë “Lali Eri sikur ta bëjmë 4 vite e gjysmë”, pse 4 vite e gjysmë, pse mos ta bëjmë 5 vite! Por mire, nëse për pakicën është kështu, po në qoftë shumica nuk do, pra nëse unë nuk do doja mund të rri dhe këtu 15 vjet, 52 vjet, pa u zgjedhur? Kështu që ky non sens mori fund dje, kur SHBA, BE, vëzhguesit e OSBE-së, thonë “ej ne jemi këtu për një shtet serioz. Në këtë shtet serioz mund të ketë anomali politike, siç është rasti i presidentit. Por një anomali politike nuk mund të diktojë dot rregull në 90 % të shoqërisë, e cila do të ecë përpara”.
I përket brezit të politikanëve të një gjenerate tjetër, të një energjie të re në politikën shqiptare. Cili është vizioni yt për 4 vitet e ardhshme për gjeneratën tjetër, për të rinjtë që zgjedhin të jetojnë, të studiojnë, të punojnë në Tiranë?
Për të gjithë të rinjtë, aspirata ime është që Tirana, si fillimisht, në vitin 2022 të zgjidhet kryeqyteti evropian i të rinjve dhe jemi duke punuar për këtë, sepse do doja që jo vetëm të rinjtë shqiptarë kudo në Evropë, kudo në rajon, reputacioni i Tiranës si një qytet që të rinjtë nuk i sheh si e ardhmja, por i sheh si e tashmja, do të thotë ku Piramida nuk është një gjë që do ndodhi pas 10 vjeteve, por do ndodhi këtë vit, për të mësuar kodim këtë vit. Terrenet e reja sportive do të bëhen këtë mandat për t’u siguruar që ne shijomë rininë në këtë mandat. Unë gjithmonë kam besuar, edhe kur jam aktivizuar si i ri në politikën dhe shoqërinë civile, që shprehja që “të rinjtë janë e ardhmja”, ishte një mënyrë për t’i përcjellë e për të thënë ikni se s’kemi kohë tani. Fakti që për herë të parë në Bashkinë e Tiranës ne kemi vendosur një kuote me 30% djem e vajza të rinj nën 30 vjeç në Këshillin Bashkiak është një mënyrë për të thënë që ne i duam të rinjtë sot. Vendimarrjen e tyre sot, dhe përfaqësimin e tyre sot.
Është kënaqësi ta dëgjosh këtë nga ty, unë kam një mendje një shprehje tënden, e ke thënë diku në një televizion “Shqipëri e vërtetë nuk është e çunave të mamit dhe të babit, është e atyre që ia dalin vetë”. Cilët mendon ti se janë faktorët që mund ta bëjnë një të ri të suksesshëm, sidomos në kushtet kur duhet t’ia dalë vetë në këtë vend?
Shiko, unë nuk e them si batutë këtë, unë kam pas shitur fiq tek tezga e dytë këtu tek cepi. Sigurisht që tezgat ishin të shëmtuara atëhere, dhe këtu ishte një baltovinë, por kur i them shumë të rinjve mos u kompleksoni edhe nëqoftëse mami është pastruese, edhe nëse babai punon kamionist i kamionit të plehrave, në një vend ku ka parti si Partia Socialiste, që një çun të vogël që shiste fiq i jep mundësinë të bëhet kryetar bashkie, do të thotë që është hapur rruga, është dhënë shembulli që kushdo që del mirë me mësime, që arrin të krijojë një frymë, që di të menaxhojë një ekip, do të ketë një shans dhe fakti që në Këshillin Bashkiak unë pretendoj do të kemi mbi 50 vetë që do të futen në Këshillin Bashkiak, një 15-she, 17-she, që janë çuna dhe goca të rinj do të kenë shansin e tyre të parë të jenë parlamentare të qytetit. Kështu që vizioni im është që vendimmarrja me të rinjtë, ashtu siç ne kemi balancuar si partia më e emancipuar vendimmarrjen mes burrave dhe grave në Tiranë, se Tirana është qyteti model që ka më shumë gra dhe zonja në Këshill Bashkiak, sesa burra dhe djem, besoj se do shkëlqejë edhe me historinë e të rinjve. Kështu që këshilla ime për ta nuk është pyetja sa rrëzohemi, se rrëzimi është pjesë e jetës; pyetja është sa shpejt ngrihemi dhe çfarë bëjmë me mësimet e rrëzimeve tona.
30 qershori është një mundësi për t’u ngritur, për të shkuar edhe më larg.
Shiko, në datën 30 qershor ne kemi një mundësi fantastike të themi do ecim përpara apo do shkojmë mbrapa; do kthehemi te gjumi apo do i japim gaz akoma më shpejt për Tiranën që duam, kështu që në datë 30 qershor mezi pres që edhe ti të votosh!