Nxënësit e Farkës do të kenë mundësi që këtë vit të ri shkollor ta zhvillojnë në kushte bashkëkohore. Bashkia e Tiranës ka mundësuar rikonstruksionin e shkollës së Mesme të Bashkuar në njësinë administrative Farkë, e cila u përurua sot nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj falenderoi ata që kontribuan për të bërë të mundur që brenda dy muajve, nxënësit dhe të rinjtë e Farkës të kenë një shkollë të denjë dhe të ndihen në kushte dhe standarde njësoj si edhe bashkëmoshatarët e tjerë të Tiranës. “Dua të falenderoj shumë të gjithë ata që janë përfshirë në rikonstruksionin e shkollës, miqtë tanë nga ambasada e Kuvajtit që kanë dhënë një pjesë të mobiljeve dhe 30 prindërit që ndihmuan me punë vullnetare, duke bërë që klasat dhe shkolla e fëmijëve të tyre të jenë në gjendjen që janë sot”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi se ky investim tregon edhe një herë të mirat e reformës territoriale dhe bashkimin e njësive rurale me ato urbane. Veliaj tha se reforma ka eliminuar dallimet që ekzistonin më parë mes fshatit dhe qytetit dhe ka bërë të mundur që nëpërmjet investimeve, si ky i sotmi, banorët e periferisë të mos ndihen më të tillë. “Kanë kaluar vetëm dy muaj dhe kjo zonë ka pasur vëmendjen më të madhe, sa nuk e ka pasur kurrë në 20 vitet e kaluara”, deklaroi Veliaj.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se të rinjtë e Farkës meritojnë kushte më të mira për të mësuar, për t’u edukuar, për t’u informuar dhe njëkohësisht për të pasur besim se ëndrrat do t’i realizojnë në vendin e tyre. “Ju uroj suksese dhe mbarësi në këtë vit të ri shkollor dhe jam i bindur se ky ambient, kjo shkollë, këto kushte të reja, të standardeve më të larta europiane, do të jenë një nxitje për të gjithë ju, për të mësuar dhe për të qenë në garë me njëri tjetrin, gjithmonë për të marrë 10-ta”, tha Meta.
Shkolla e Mesme e Bashkuar Farkë është rikonstruktuar me ndihmën e Ambasadës së Kuvajtit dhe bizneseve private, si dhe kontributin vullnetar të prindërve që kanë fëmijët e tyre në këtë shkollë.









