Njësia 8 ishte ndalesa e radhës për një bashkëbisedim mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe banorëve të zonës, në të cilën kryebashkiaku bëri një bilanc të të gjitha investimeve të kryera në këtë njësi, që kanë transformuar dhe rritur cilësinë e jetesës për qytetarët.
Veliaj tha se është shumë krenar për të gjitha punët e bëra në Njësinë 8, duke nisur nga transformimi i Rrugës së Dibrës, Unazës, mandej infrastrukturën rrugore te “5 Maji”. Ai shtoi se në total janë 146 rrugë të mirëmbajtura e të rikonstruktuara, 80 rrugë ku është vendosur ndriçimi, 30 rrugë të pajisura me sinjalistikë për herë të parë.
Sa i takon shkollave, Veliaj përmendi shkollat e reja në këtë njësi: “Kiço Blushi”, “Sevasti Qirjazi”, për të cilat tha se zgjidhin përfundimisht ngërçin e dyndjes në to. Ai shtoi se janë rikonstruktuar edhe tre shkolla: “4 Dëshmorët”, “Shkolla e Kuqe”, si dhe shkolla “Siri Kodra”. “Një nga shkollat më të bukura që kemi ndërtuar është kjo shkollë ku jemi, shkolla ‘Servete Maçi’. Është një shkollë e jashtëzakonshme, ndaj edhe dua shumë që ta promovoj dhe aktivitetet i bëjmë gjithmonë këtu. Nëse keni fëmijë të talentuar, fëmijë që përveç mësimit duan edhe muzikën, të investohen në art dhe në kulturë, një nga zgjedhjet më të shkëlqyera të qytetit është kjo shkollë,” nënvizoi Veliaj.
Ai shtoi se gjithashtu në Njësinë 8 kanë përfunduar dy kopshte, kopshti nr.6 dhe 19, një çerdhe e re, çerdhja 13 dhe dy çerdhe të rikonstruktuara, çerdhja 45 dhe 13.
“Më vjen mirë që kemi mbajtur po ashtu, premtimin jo vetëm për shkollat, por edhe për bibliotekat. Biblioteka “Hamit Beqja” është një ndër bibliotekat më të frekuentuara. Sigurisht, në mëngjes janë pensionistët që shkojnë e lexojnë gazetat, gjatë ditës janë kryesisht fëmijët që vijnë për lexime jashtëshkollore dhe pasdite janë të rinjtë. Fakti që sot, pothuajse të gjitha njësitë e Tiranës kanë nga një bibliotekë, – ndërkohë që e filluam këtë rrugëtim me zero biblioteka, – më vjen mirë që e kemi mbajtur fjalën për çdo projekt që kemi nisur para 7 vitesh,” vijoi kreu i Bashkisë.
Nga ana tjetër ai tha se në Njësinë 8, te pallati i projektuar nga Maks Velo, ndodhet Shtëpia Muze Kadare dhe Shtëpia Muze Dritëro Agolli. “Më vjen mirë që njësia fillon me dy shtëpi muze, diçka që më përpara, ata që na akuzojnë për monumentet e kulturës, nuk e bënë kurrë. Po ashtu, kemi Sarajet e Toptanëve që i pagoi Bashkia për t’i shpronësuar, që pronarët të mos e digjnin për pallat, sepse ishte vërtet monument kulture, dhe Shtëpinë e Libohovitëve, ngjitur me Kalanë e Tiranës,” theksoi Veliaj.
Nisur nga fakti që vitin e ardhshëm Tirana e nis si Qyteti Europian i Sportit, Veliaj foli edhe për investime në terrene të reja sportive.
/e.d