Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij i Ministrit të Mirëqënies Sociale duke bërë të ditur se që nga dita e sotme ai nuk do të mbajë më këtë post.
Duke folur në një takim përmbyllës me stafin e Ministrisë Sociale dhe Rinisë, Ministri të cilën e drejtoi për rreth 18 muaj, Veliaj theksoi në fjalën e tij se që nga sot nuk do të mbajë më këtë post pasi i ka paraqitur dorëheqjen nga ky mandat Kuvendit.
“Nga sot unë nuk jam më anëtar i qeverisë. Kjo pasi para pak minutash i kam dorëzuar kryeministrit dorëheqjen nga mandati.” tha Veliaj
Në fjalën e tij, Velia falenderoi të gjithë stafin e MMSR për punën e bërë në disa nga reformat më të rëndësishme të qeverisë, si dhe ministrat e tjerë të kabinetit qeveritar. Ai e cilësoi stafin e tij me garat e shpejtësisë së “Formula 1” për kohën rekord të reformave.
“Ia dolëm të pastronim listat e ndihmës ekonomike nga abuzimet. Ekipi ynë ka funksionuar si “Formula 1”. Kanë ndodhur transformim të madh në një kohë rekord. Së fundmi organizuam panairin e punës, ku u ofruan vende pune për të rinjtë dhe ata që kanë një zanat. Kemi ulur moshën 5 vjet për minatorët. Vijojnë reformën me pensionet. Nuk ka më pensione qesharake si në të kaluarën. Arritja e minutës së fundit janë pensionet me Gjermaninë. Bashkia e Tiranës duhet të ofrojë falas dhe pa pagesë shërbime për qytetarët dhe pensionistët”, u shpreh Veliaj.
Erion Veliaj ka mbajtur postin e Ministri të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga viti 2013 kur erdhi në pushtet qeveria Rama, duke realizuar edhe reformën e pensioneve. Gjithashtu ai ndërmori një sërë hapash duke pastruar nga abuzuesit listën e përfituesve të ndihmës ekonimike. Gjatë qeverisjes së PS janë arritur edhe disa marrëveshje me shtete të BE për njohje të viteve të punës.
Redaksia Online
(JavaNews.al)









