Kryetari i Bashkisë së Tiranes, Erion Veliaj i kërkon grupimit të Alerancës për Teatrin, që të kthejnë garderobën dhe bobinat me zërin e aktorëve të shquar shqiptare.
Gjatë një lidhjeje Skype në Syri tv, kryebashkiaku Veliaj u ka kujtuar aktivistëve rëndësinë që ka ky thesar i çmuar i Teatrit, që në fakt është edhe pasuria dhe gjithë trashëgimia e tij, sikurse janë zëri i aktorëve shumë prej të cilëve nuk jetojnë më, si dhe garderoba e dhjetra shfaqjeve.
“Nëse jeni dashnorë të trashëgimisë, ktheni garderobën dhe bobinat me zërin e aktorëve të shquar”, tha Veliaj.
Me bllokimin e godinës së vjetër të teatrit nga aktivistët, materiale me shumë vlerë për artin teatror shqiptar, por edhe për vetë aktorët që kanë dhënë shfaqje aty ndër vite, si kostume, rekuizita, bobina, shirita e objekte të tjera të rëndësishme, kanë mbetur peng brenda godinës, të cilat sot nuk dihet nëse janë vjedhur, dëmtuar apo degraduar nga koha.
Madje, në dhomën e fonisë gjenden edhe materiale si magnetofonë të vjeter, kaseta, bobina etj., ku janë të regjistruar zërat e aktorëve ndër vite, që mund të kenë humbur dhe në rast se kjo ka ndodhur, është një humbje e jashtëzakonshme për artin shqiptar.
/a.r