Në një takim me bizneset e kryeqytetit, kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj theksoi se bizneset duhet të jenë të parat për bashkinë. Ai bëri një rezyme të mbledhjes së taksave nga administrata aktuale e këtij institucioni duke theksuar se duhet një standard për të gjithë.
Ndërkohë, duke u ndalur në debatin e mundshëm mes tij dhe kandidatit Halim Kosova, ai tha se “dje kemi pasur një gjysmë “Po” nga kandidatit jetër për të pasur një debat, dhe unë mendoj se ky është një lajm për t’u duartrokitur”.
Veliaj tha se e fton Kosovën të enjten në orën 9 të darkës në televizionin më të madh kombëtar që kanë shqiptarët.
“Unë jam gati ta pres në 9 të darkës në TV më të madh kombëtar të vendit, për të folur mbi kontratat që kemi me të rinjtë, me mësuesit dhe 12 projektet madhore për infrastrukturën e Tiranës” – tha Veliaj.
Ky reagim erdhi gjatë takimit të sotëm. Një ditë më parë, Kosova deklaroi se është i gatshëm të dalë në debat me Veliajn, por me kusht që të flitet vetëm për projekte.