Vijoi sot në Njësinë 3 turi i konsultimeve për buxhetin i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me banorët e zonës. Edhe në këtë takim, Veliaj shpalosi disa prej projekteve kryesore të realizuara, si dhe projekteve që vijojnë dhe që do të realizohen nga Bashkia e Tiranës, jo vetëm për këtë zone, por me impakt më të gjerë.
Projektbuxheti i vitit të ardhshëm, tha Veliaj, do të jetë me fokus solidaritetin, ku bashkia do t’u japë një dorë atyre që janë më në nevojë dhe preken më tepër nga kriza që po shkakton lufta në Ukrainë në të gjithë Europën. Veliaj përmendi në veçanti studentët, të cilët janë mbështetur këtë vit si asnjëherë më pare, me 50% të kostos së qëndrimit në konvikte, por edhe me abonenë falas. “Unë besoj se në këtë vit të vështirë, një nga gjërat kryesore të këtij buxheti duhet të jetë solidariteti. Me fokus të ndihmojmë ata që janë më në nevojë! Ne kemi filluar që këtë javë, ku 10 mijë studentë kanë tërhequr abonetë falas, që të udhëtojnë falas, duke qenë se janë grupi më i prekur,” nënvizoi Veliaj.
Ai i quajti raciste deklaratat për të ardhurit në Tiranë, ku, siç u shpreh Veliaj, shumëkush e ka si një fillim të ri, herë si student, e herë me një punë, apo mundësi më të mirë sesa në qytetin e lindjes.
“Në Tiranën që e filloi me 10 mijë vetë dhe që sot është 1 milionë e 10 mijë vetë, 90% e njerëzve kanë ardhur nga diku tjetër, siç erdhi familja ime 52 vite më parë, kur prindërit e mi ishin studentë. Ky nuk është momenti, kjo nuk është koha, që t’u themi njerëzve jabanxhinj ‘kur u bëre ti’, ‘i kujt je ti’ e ‘i kujt jam unë’! Të gjithë kandidatëve që kemi përballë u them: Ju dhëntë Zoti jetë e shëndet, ju dhe familjeve tuaja, por ky është një debat racist, që ne nuk duhet ta bëjmë më në vitin 2022, kur Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë, sepse është qyteti i të gjithëve, do sigurojë sukses për të gjithë, mirëqenie për të gjithë dhe solidaritet për të gjithë,” nënvizoi ai.
Veliaj u ndal te projektet ikonike, të cilat tha ai, kanë rritur si kurrë më parë numrin e turistëve në Tiranë. “Sot kush kalon te sheshi Skënderbej, i zë veshi lloj-lloj gjuhësh. Unë e di që ka njerëz që e shajnë përditë Shqipërinë, por shikoni turistët. Po të ishte ky vend kaq i tmerrshëm, nuk do shtoheshin turistët. Për herë të parë në Tiranë kemi pasur 4 herë më shumë turistë seç kemi banorë dhe kemi thyer rekordin para pandemisë, ku kaloi një milionëshi. Sot kemi pasur prej aktiviteteve të vitit të rinisë, mbi 4 milion vetë që kanë ardhur, ndërkohë që totali në Rinas ka qenë 6 milionë dhe deri në fund të vitit do shkojë 7 milion se unë besoj që po nuk folëm mirë ne për shtëpinë tonë, për lagjen tonë, për rrugën tonë, për qytetin tonë, për vendin tonë, për kombin tonë, s’flet mirë kush tjetër. Na takon ne që ta tregojmë këtë kartolinë,” tha ai.
Ai thumboi edhe Sali Berishën dhe Ilir Metën dhe vilat e tyre në Lalëz. “Ata mund ta kenë zyrën në një kullë, shtëpinë në një kullë tjetër, e këndej thonë të mos ketë kulla. Ata janë hipokritë se nuk kanë lidhje me Tiranën. E shohin vetëm si një mburojë për hallet e tyre. Ne e shohim Tiranën si një mundësi për familjet tona dhe për fëmijët tanë dhe kjo është diferenca më e madhe, për mënyrën se si ne punojmë, për Tiranën,”.
Veliaj tha se në Tiranë sot janë hapur 41 shkolla. “Jemi 41 me 0, në të paktën një fushë dhe duam të bëjmë akoma sepse Tirana po rritet me ritme të jashtëzakonshme”.
Arsyeja pse Tirana është sot edhe një qytet me më pak kriminalitet është pikërisht ky zhvillim tha kreu i Bashkisë. “Ku ka ndriçim, pastërti, njerëz që komunikojnë, ku ka qyteti jetë, ku jetohet në 24 orë ka dhe siguri”.
Veliaj nga Njësia 3: “I mbajtëm premtimet, Tiranës i kthyem pjesën historike dhe veprat më ikonike! Ata që ulërasin për trashëgiminë, s’na linin të pastronim Pazarin e Ri dhe Kalanë”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është përgjigjur të gjithë atyre që flasin për trashëgiminë e kryeqytetit. Ata ishin të parët – tha Veliaj – që penguan projektet më ikonike të qytetit, si Pazari i Ri dhe Kalaja e Tiranës.
Gjatë prezantimit me buxhetin e vitit të ardhshëm në Njësinë 3 në Tiranë, Veliaj tha se të gjitha projektet e premtuara sot janë premtime të mbajtura!
“Në mandatin tonë të parë e kishim shumë të rëndësishme që të mbanim disa premtime që dua t’i verifikoj me ju: E mbajtëm premtimin që sheshin “Skënderbej”, nga ajo rotondo e kartodrom, do e bënim sheshin më të bukur në Ballkan, të mbushur me aktivitete ku tani do fillojmë edhe Fan Zone për Kampionatin Botëror të futbollit, ku do kemi edhe festat e nëntorit dhe të fundvitit! Premtuam pastaj, që Tirana do kishte ca hapësira për turistët, se vinin turistët, por s’dinin ku të shkonin. Thamë do bëjmë Pazarin e Ri dhe do ta kthejmë në identitet. A e mbajtëm atë premtim me gjithë kundërshtitë, me gjithë protestat edhe me gjithë sherret? Ne premtuam që Tiranës do t’i kthenim pjesën historike, pjesën e trashëgimisë. Të gjithë këta që ulërasin për trashëgiminë, s’na lanë të pastronim Pazarin. A e mbajtëm fjalën për Kalanë e Tiranës? Është një nga vendet më të frekuentuara për turistët, por edhe për ne vendasit. Po, apo jo? Dhe në qoftë se e mbajtëm fjalën me gjithë kundërshtitë, atëherë ata që na kundërshtonin, të paktën tani duhet të rrinë urtë. Duhet të rrinë urtë teksa ne punojmë, se boll i kemi duruar. Çdo premtim që kemi dhënë e kemi mbajtur,” u shpreh kryebashkiaku.
E njëjta gjë, shtoi Veliaj, vlen për Unazën e Vogël, sheshin “Italia”, që po ashtu janë premtime të mbajtura. Stadiumi është një krenari kombëtare, tha në fund Veliaj, ashtu sikurse Parku Olimpik, duke shtuar se, “të njëjtën gjë do bëjmë edhe me stadiumin Dinamo dhe Pallatin e Sportit ‘Asllan Rusi’”, teksa nuk la pa përmendur transformimin e Parkut të Liqenit, Kopshtin Zoologjik, si dhe Liqenin e Farkës një mushkëri tjetër për Tiranën. “Do jemi rasti i parë në Europë, ku dy titujt kryesorë të BE-së i shkojnë një qyteti të vetëm, një herë për Rininë dhe një herë për Sportin, për t’u siguruar që imazhi i vendit tonë shkon e lart e më lart”, tha ai.