Edhe kur po e shoqëronin për në burg, Patrizia Reggiani ishte e vendosur të shkonte me stil, duke mbajtur syze dielli të errëta dhe një pallto leshi. “I thashë: ‘Shiko, ti do të shkosh në burg dhe kjo pallto leshi është jashtëzakonisht e shtrenjtë’, tha ish-oficeri i policisë Carmine Gallo. “Prandaj e lamë pallton tek nëna e saj dhe unë i dhashë xhaketën time jeshile, të cilën ajo më premtoi se do ma kthente.”
Gallo nuk e pa më xhaketën e tij, por nuk mban mëri. Ai ishte oficeri i policisë që trokiti në shtëpinë e pasur të Reggianit në Milano rreth orës 5 të mëngjesit në një mëngjes të ftohtë në janar 1997 për ta arrestuar atë me dyshimin për orkestrimin e vrasjes së ish-bashkëshortit dhe trashëgimtarit të shtëpisë së modës, Maurizio Gucci.
Gucci u qëllua jashtë zyrës së tij në Via Palestro pothuajse dy vjet më parë (nga arrestimi i ish-bashkeshortes), në moshën 46-vjeçare.
Rasti magjepsi Italinë dhe tani historia po ritregohet në filmin e Ridley Scott për dinastinë e modës, House of Gucci.
Gallo nuk e di nëse personazhi i tij shfaqet në film, me Lady Gaga dhe Adam Driver, por roli i tij në gjetjen e vrasësve të Gucci-t ishte i rëndësishëm.
Ai ishte kreu i një njësie policore që luftonte krimin e organizuar kur iu përgjigj një telefonate nga një burrë që i thoshte se kishte informacion për vrasjen. “Deri atëherë, unë dija për rastin Gucci vetëm përmes gazetave,” tha Gallo. “Isha mësuar të merresha me korrupsion, jo me vrasje. Ishte e vështirë të besoja se çfarë po thoshte ky person, por unë isha kurioz”.
Informatori, i quajtur Gabriele, nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer në Itali nga Amerika e Jugut. Ishte i papunë dhe i pastrehë. Ai jetonte në një hotel të lirë në periferi të Milanos, ku takoi Ivano Savionin, një portier i cili i kishte besuar atij përfshirjen në vrasjen e Gucci-t.
“Gabriele tha se mund të jepte më shumë informacion në këmbim të parave cash”, tha Gallo.
“Unë thashë nuk te jap para, por ne mund t’ju ndihmojmë të gjeni një punë dhe një shtëpi, por vetëm nëse informacioni vërtetohet i saktë”.
Gabriele e bëri Savionin të rrëfente përsëri historinë, këtë herë duke regjistruar bisedën.
Savioni tha se ai ishte ofruar nga Pina Auriemma, një mik i vjetër nga Napoli, duke e pyetur nëse njihte dikë që mund të vriste Guccin. Auriemma ishte i afërt Reggianit, atëherë e divorcuar nga Gucci, i cili jetonte me një grua tjetër.
“Auriemma i tha Savionit se Reggiani ishte e sëmurë dhe e lodhur duke u bezdisur nga ish-bashkëshorti i saj, i cili kerkonte qe t’i hiqte asaj mbiemrin Gucci, (qe vijonte te mbante),” tha Gallo.
“Ajo e urrente atë dhe donte që ai të vdiste, dhe nëse Auriemma mund të gjente dikë që ta vriste, ajo ishte e gatshme ta paguante”.
Savioni iu drejtua Benedetto Ceraulo-s, një pronar picerie me borxhe dhe Orazio Cicala. Ceraulo shtiu mëngjesin e 27 marsit 1995, duke plagosur gjithashtu Giuseppe Onorato, portierin që po fshinte gjethet në hyrje të ndërtesës së zyrës së Gucci. Ndërsa Cicada drejtoi makinën e arratisjes.
Asnjë nga katër të përfshirët në vrasje, për të cilën u paguan 600 milionë lira, monedha e vjetër italiane (260,600 £) – nuk kishte kryer një krim të mëparshëm.
Inspektori që drejtonte grupin zyrtar të hetimit, i cili për një kohë të gjatë kishte ndjekur teorinë se Gucci mund të kishte qenë objektivi i një komploti ndërkombëtar pasi shiti aksionet e tij tek një kompani në një bankë arabe, qeshi kur Gallo i paraqiti atij informacionin e tij fillestar..
Por Gallo dyshoi tek ajo teori: “E vetmja gjë që më ngacmoi kur lexova për herë të parë për vrasjen ishte se portieri ishte plagosur – nëse këta njerëz do të ishin profesionistë, do ta kishin vrarë edhe atë, nuk do të kishin lënë pas një dëshmitar”.
Teksa policia iu kthye rrethit te ngushte të Gucci-t, ata (vrasesit) u shqetësuan se Reggiani do të rrëfente dhe kështu komplotuan ta vrisnin edhe atë.
Ata u regjistruan duke hartuar planin e tyre për të vrarë Reggianin pasi Gallo infiltroi një oficer policie të fshehtë që pretendonte të ishte vrasësi kolumbian i sugjeruar grupit për punën nga Gabriele.
Të gjithë, përveç Ceraulo-s, pranuan përfshirjen e tyre pas arrestimit dhe se Reggiani kishte urdhëruar vrasjen.
Policia u desh të shperthente derën e shtëpisë së Reggianit kur e arrestoi pasi ajo nuk e dëgjoi zilen e derës. “Ajo po ecte rreth një vendi të madh, duke mbajtur në dorë një llambë,” tha Gallo.
“Por ajo ishte shumë e qetë. Ajo tha se kishte bërë shaka kur i tha Auriemma se donte të vdiste Gucci. Ajo tha: ‘Sa gra thonë se duan të vrasin burrat e tyre?’
Reggiani u quajt “vejusha e zezë” nga shtypi italian pas portretizimit si grua e përbuzur që u shfaq gjatë gjyqit të saj.
Ajo u dënua bashkë me të tjerët dhe kreu 16 vjet burg nga një dënim prej 29 vjetësh.
Në një intervistë në fillim të këtij viti, Reggiani, tani 72 vjeç, për herë të parë foli sinqerisht për urdhërimin e një vrasësi për të vrarë Gucci, duke thënë se ajo atekohe shkoi ngado duke i pyetur të gjithë nëse mund ta bënin atë në emër të saj, “madje edhe dyqanxhiun vendas”.
Ajo tha se i pëlqente shumë koha e saj në burg, ndihmonte të burgosurit e tjerë të bënin flokët dhe thonjtë e tyre.
Që nga lirimi i saj për sjellje të mirë në vitin 2014, ajo është fotografuar shpesh duke ecur nëpër Milano me papagallin e saj të përkëdhelur në supe.
Një kusht i lirimit të parakohshëm të saj nga burgu ishte që ajo duhej të punonte, diçka që ajo e refuzoi derisa avokati i saj i rregulloi një punë me kohë të pjesshme në Bozart, një dyqan kostumesh të çmuara.
“Ishte një bekim por edhe një mallkim; disa njerëz menduan se ne ishim njerëz të këqij për punësimin e një vrasësi”, tha Maurizio Manca, bashkëpronar i Bozart.
Reggiani kaloi më shumë se dy vjet në Bozart, ku këshilloi për modelet e bizhuterive të firmës dhe ndihmoi në kurimin e llogarisë në Instagram.
Ishte puna e parë e vërtetë që ajo kishte.
“Gjëja më e ndërlikuar ishte teknologjia – ne duhej ta mësonim si të përdorte email dhe të linim shënime në kompjuter me udhëzime se si ta ndizte atë, të hapte skedarë dhe të printonte”, tha Manca. “Nuk kishte aq shumë freski në mendje, por ajo ishte e zellshme”.
Më pak i zellshëm ishte papagalli, të cilin ajo e sillte herë pas here në dyqan. “Papagalli ishte pak i bezdisshëm,” shtoi Manca.
Reggiani foli shpesh për jetën e saj me Gucci, pushimet e tyre në St Moritz dhe kohën e tyre në Nju Jork, ku shoqëroheshin me anëtarët e familjes Kennedy dhe Trumps.
“Gazetat ishin gjithmonë plot me atë që kishin bërë, ato ishin si mbreti dhe mbretëresha e skenës sociale të Milanos”, tha Manca. “Ajo thoshte se ishte e vetmja Gucci e vërtetë që kishte mbetur.”
Lidhja obsesionale me emrin Gucci është teoria e disave që besojnë se e motivoi atë të organizonte vrasjen e ish-it të saj.
“Ajo refuzoi të nënshkruante deklaratën e saj të policisë me mbiemrin Reggiani,” tha Gallo, i cili ka ende pasaportën e vjetër të saj
Gallo, i cili u tërhoq nga forcat e policisë pas 40 vitesh, tha se fajtorët nuk do të ishin gjetur kurrë nëse nuk do të ishte për informatorin e rastësishëm, të cilit ai i gjeti një punë dhe qëndroi në kontakt me të për disa vite.
“Ishte e gjitha falë Gabriele që çështja u zgjidh,” tha ai./ “The Guardian”-SI
g.kosovari