Sir George Martin, producenti muzikor që e shndërroi grupin legjendar “The Beatles” në njërën prej forcave më të rëndësishme në muzikën pop, ka vdekur në moshën 90-vjeçare, ka njoftuar Ringo Starr në një postim në rrjetin social “Twitter”. “Zoti e bekoftë George Martinin, paqe dhe dashuri për Judyn dhe familjen e tij”, ka shkruar Ringo.
Vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe Universal Music Group, por detajet tjera ende nuk janë bërë të ditura. Martini shpesh është cilësuar si anëtari i pestë i “The Beatles” dhe shërbeu si producent, bashkëpunues dhe mentor për John Lennonin, Paul McCartneyn, George Harrisonin dhe Ringo Starr. Ai ndihmoi në krijimin e hiteve siç janë “Yesterday” dhe “Love Me Do”.