Intervistë e Javanews me Gëzim Alpion, profesor në universitetin e Birmingamit dhe një nga studiuesit më autoritativë të figurës së saj në botë. Në këtë intervistë, botuesi i disa studimeve për të sqaron pozicionin e Nënë Terezës, domosdoshmërinë e shenjtërimit të saj, mbivlerësimin e saj të tepërt, si edhe hipokrizinë kombëtare për figurën e saj…
Mesazhet e saj dhe politikanët
Problemi se përse mesazhi i paqes që Nënë Tereza mishëroi dhe përcolli nga themelimi i urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë në vitin 1950 nuk është përvetësuar akoma nga shqiptarët ka të bëj kryesisht me atë që klasa politike shqiptare si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni është përgjithësisht një kleptokraci e vetëzgjedhur, edhe pse ‘demokratikisht’, dhe për pasojë vazhdon të jetë faktori kryesor që kombi vazhdon të vegjetoj në amulli. Është e trishtueshme që një komb si i yni, që ka një bijë si Nënë Tereza e cila frymëzon njerëzimin, akoma po endet në një qorrsokak kryesisht për mungese të shtetit të së drejtës, që përben faktorin kryesor për të farkëtuar kohezionin kombëtar. Në këtë kontekst, respekti dhe nderimi që politikanë shqiptarë tregojnë për Nënë Terezën janë manifestime të një hipokrizie të dënueshme”.
Intervistoi Ben Andoni
Për Gëzim Alpionin, njohësin më të mirë shqiptar të figurës së Nënë Terezës, por edhe një nga autoritetet e njohura ndërkombëtare të trajtimit të saj, ne jemi përballë saj me dy fytyra. Në atë që e glorifikojmë pa shkak, por edhe në mosrespektimin e parimit bazë të saj, që duhet të falim. Dhe, shembulli i profesorit të Birmingamit është shumë domethënës: “Nënë Tereza, për disa arsye që nuk mund t’i shtjellojmë këtu, në vizitën e saj të parë në Shqipëri, duke dërguar lule tek varri i Enver Hoxhës përcolli një mesazh paqeje. Edhe pas kaq shumë vitesh, domethënia e këtij akti simbolik, që për Nënë Terezën nuk duhet të ketë qenë shumë i lehtë, akoma nuk është kuptuar si nga politika ashtu edhe nga disa përkrahës fetar të ‘zellshëm’ të Nënë Terezës”, citohet ai te Javanews.
Për arsyetimin e tij bën një vëzhgim të elitave politike, ato që e kanë përvetësuar pa të drejtë figurën e saj dhe bëjnë çmos që ta shfrytëzojnë. Mu përmes qëndrimit të tyre, ai shikon realisht keqësinë për ta ulur poshtë figurën e saj turpshëm. “Kjo ka të bëj kryesisht me atë që klasa politike shqiptare si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni është përgjithësisht një kleptokraci e vetëzgjedhur, edhe pse ‘demokratikisht’, dhe ndaj për pasojë vazhdon të jetë faktori kryesor që kombi vazhdon të vegjetoj në amulli”.
Në këtë intervistë të veçantë, ai tregon edhe atë që është trajtuar si ana tjetër e Nënë Terezës dhe ka të bëjë realisht me reflektimin e botës së brendshme të saj. Mu këtë, që u zbulua përmes letrave të saj dhe që u bë objekt i ngacmimeve dhe i përpjekjes për të hedhur baltë mbi të, por edhe i inkurajimit të kundërshtarëve të saj, që sot e kësaj dite janë si në Vatikan por edhe në Indi. “Nuk ma merr mendja se Vatikani do të bëjë publike detajet e ‘mrekullisë’, që i atribuohet Nënë Terezës, këtë herë në Brazil. Ajo që është e sigurt është se katolicizmi që Nënë Tereza predikoi dhe aplikoi bëri që ajo te kishte dhe vazhdon të ketë kundërshtarë si në Indi ashtu edhe në Vatikan. Megjithatë, tani për tani, në saj të interesimit të Papa Françeskut, kundërshtarët e Nënë Terezës nuk janë në gjendje ta pengojnë me procesin e Shenjtërimit.
Papa e kupton se sa simbolikisht e rëndësishme është Nënë Tereza për Katolicizmin edhe tani pas vdekjes. Vatikani nuk mund të gjej një figurë tjetër më të përshtatshme se Nënë Tereza për të mbyllur Vitin e Mëshirës”, shprehet ai.
Në këndvështrimin tënd, pse shqiptarët nuk i bashkon Nënë Tereza dhe mesazhi i saj i paqes?
“Kjo është një pyetje që kërkon një studim në vetvete, pasi nocioni ‘shqiptar’ duhet parë në aspektin e një numri ‘varables’, si përkatësia fetare, vendbanimi, grup-mosha, niveli arsimor, gjinia, etj. E megjithatë, edhe në mungesë të një studimi të tillë ‘statistikor’, gjatë dy dekadave të fundit që po merrem me figurën e Nënë Terezës, mund të them se për shqiptarët, misionarja që tërhoqi vëmendjen e Perëndimit, veçanërisht pas intervistës që i dha gazetarit Malcom Muggeridge të BBC-së në Londër në vitin 1968, duke u bërë sinonim universal i bamirësisë në kohën tonë, është një figurë e dashur dhe e respektuar.
Problemi me ne shqiptarët është se ndërsa e respektojmë dhe e kemi bërë zakon mburrjen vend e pa vend për Nënë Terezën ‘tonë’, përgjithësisht nuk e kemi kuptuar dhe përvetësuar akoma sa duhet mesazhin themelor të saj. Për fat të keq, shumë nga ne nuk dimë të falim njëri-tjetrin.
Nënë Tereza, për disa arsye që nuk mund t’i shtjellojmë këtu, në vizitën e saj të parë në Shqipëri, duke dërguar lule tek varri i Enver Hoxhës përcolli një mesazh paqeje. Edhe pas kaq shumë vitesh, domethënia e këtij akti simbolik, që për Nënë Terezën nuk duhet të ketë qenë shumë i lehtë, akoma nuk është kuptuar si nga politika ashtu edhe nga disa përkrahës fetar të ‘zellshëm’ të Nënë Terezës.
Problemi se përse mesazhi i paqes që Nënë Tereza mishëroi dhe përcolli nga themelimi i urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë në vitin 1950, nuk është përvetësuar akoma nga shqiptarët ka të bëj kryesisht me atë që klasa politike shqiptare si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni është përgjithësisht një kleptokraci e vetëzgjedhur edhe pse ‘demokratikisht’, dhe për pasojë vazhdon të jetë faktori kryesor që kombi vazhdon të vegjetoj në amulli. Është e trishtueshme që një komb si i yni, i cili ka një bijë si Nënë Tereza e cila frymëzon njerëzimin, akoma po endet në një qorrsokak kryesisht për mungese të shtetit të së drejtës, që përbën faktorin kryesor për të farkëtuar kohezionin kombëtar. Në këtë kontekst, respekti dhe nderimi që politikanë shqiptarë tregojnë për Nënë Terezën janë manifestime të një hipokrizie të dënueshme”.
Ju keni dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për njohjen e saj. A mund të shpjegoni pak vështirësitë dhe rrugën që përshkoi shenjtërimi i saj? Cilët forca e kanë kundërshtuar më së shumti?
“Vatikani po përjeton një fazë interesante. Nga njëra anë, falë kurajës së Papa Françeskut, i cili ka treguar shenja se është më pak ‘konservator’ se paraardhësit e tij, po shikojmë një tendence ‘modernizimi’. Nga ana tjetër, Selia e Shenjtë mbetet në thelb një institucion tradicional me ‘dyer te mbyllura’ dhe kjo vërehet veçanërisht në mënyrën se si veprohet përsa u përket ‘lumturimeve’ dhe ‘shenjtërimeve’, që akordohen në sajë të ‘mrekullive të verifikueshme’. Vatikani, me sa duket, ka nxjerrë mësime nga fiaskoja e ‘mrekullisë’ së Nënë Terezës në lidhje me indianen Monica Basra, një nga ‘kushtet’ që mundësoi ‘Lumturimin’ në vitin 2003.
Dihet që Gjon Pali II dëshironte ta ‘Lumturonte’ dhe ‘Shenjtëronte’ Nënë Terezën para se të vdiste në shenjë mirënjohje për ndihmën e saj të pakursyer për papatin e tij. Kjo nuk që e mundur pasi ai u informua që në fillim të procesit të mbledhjes së dokumenteve gjatë ‘fazës së dioqezës’ në vitin 1999 në Kalkuta se ishin gjetur shkrime të Nënë Terezës adresuar drejtorëve të saj shpirtërorë që dëshmojnë se ajo kishte vuajtur, si rrallë mistikë të tjerë, nga ajo që njihet si ‘nata e errët e shpirtit’.
Për mendimin tim, Nënë Tereza meriton të shenjtërohet për stoicizmin me të cilin ajo duroi ‘errësirën shpirtërore’ që, siç do të argumentoj në një studim pas pak kohesh, zgjati gjatë të gjithë jetës, si dhe për përkushtimin e saj ndaj të varfërve dhe të braktisurve dhe insistimin se jeta dhe dinjiteti njerëzor janë të shenjtë.
Nuk ma merr mendja se Vatikani do të bëjë publike detajet e ‘mrekullisë’, që i atribuohet Nënë Terezës, këtë herë në Brazil. Ajo që është e sigurt është se katolicizmi që Nënë Tereza predikoi dhe aplikoi bëri që ajo te kishte dhe vazhdon të ketë kundërshtarë si në Indi ashtu edhe në Vatikan. Megjithatë, tani për tani, në saj të interesimit të Papa Françeskut, kundërshtarët e Nënë Terezës nuk janë në gjendje ta pengojnë me procesin e Shenjtërimit.
Papa e kupton se sa simbolikisht e rëndësishme është Nënë Tereza për Katolicizmin edhe tani pas vdekjes. Vatikani nuk mund të gjej një figure tjetër më të përshtatshme se Nënë Tereza për të mbyllur Vitin e Mëshirës”.
A mendoni se figura e saj do t’i bëjë shqiptarët të jenë më të ndërgjegjshëm për jetën dhe shtetin e tyre…
“Kjo varet deri diku nga njerëzit e thjeshtë por më shumë nga ata që kanë zgjedhur si vokacion politikën dhe fenë. Tani për tani prognoza është e zymtë, po unë jam optimist. Për këtë dhe disa nga çështjet që trajtova me lart do të ndalem në ligjëratën publike që do të zhvilloj në Tiranë me 26 Maj, aktivitet që, me sa kam mësuar nga organizatorët, do të ndiqet me interesim.
E rëndësishme është që ne shqiptarët të mësojmë nga humanizmi i Nënë Terezës dhe ta aplikojmë atë me vetëdije. Po kaq e rëndësishme është që t’i japim Nënë Terezës jo më shumë se ç’duhet. Kështu, për shembull, krahasimi dhe barazvlerësimi nga ana e disa ‘entuziastëve’ i Nënë Terezës me Skënderbeun, në disa aspekte, edhe pse joshës dhe deri diku i kuptueshëm, është pa vend dhe i papërgjegjshëm.
Nënë Tereza mishëron disa nga tiparet më të mira të kombit tonë dhe të mënyrës se si ne shqiptaret e kemi kuptuar dhe aplikuar ‘fenë’ që nga civilizimi i lashte ilir e deri në ditët tona. Kjo është e reja që unë po sjell në studimin tim aktual për Nënë Terezën, për të cilin do të flas për herë të parë publikisht në Tiranë në Maj”.
Shenjtërimi i Nënë Terezës
Shenjtërimi i nënë Terezës nuk është fushatë zgjedhjesh e diskutimesh. Që kur u ndryshua roli i zyrës “Avokati i Djallit” në vitin 1983 në Vatikan nga Papa Gjon Pali II nuk ka më kontestime dhe mendime kundër sepse u quajtë e pakuptimtë të shkojnë të gërmojnë ose të hamendësojnë probleme për të përlyer një figurë që ka bërë emër të mirë me veprën e vet për së gjalli.
Nënë Tereza me përkushtimin e saj meriton nderimin më të madh në fushën e aktivitetit të saj dhe tashmë ka hyrë në këtë rrugë ku duhet mbështetur nga bashkëkombësit e saj shqiptarë për disa arsye.
E para, si katolike nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhi doli nga gjiri i komunitetit katolik shqiptar në troje shqiptare, nga prindër shqiptar, e vetëdeklaruar shqiptare dhe e njohur botërisht shqiptare. Ajo është shqiptare e kohës sonë dhe e nderuar për kohën dhe komunitetin që përfaqëson, që përmendet nga bota si shqiptare e mirë, dhe ashtu si të gjithë shqiptarët nëpër botë që kontribuojnë për Shqipërinë të paktën me emërin e tyre të mirë, meriton përshëndetjen e mirënjohjen për shenjtërimin nga të gjitha komunitetet shqiptare, fetare ose jofetare, pra të gjithë kombit tonë për aq sa ka bërë për njerëzimin, pra edhe për ne.
E dyta, Nënë Tereza iu përkushtua besimit të saj qysh në moshë të re dhe e pranoi detyrën për të shërbyer në Kalkuta të Indisë në ndihmë të të varfërve the të sëmurëve atje. Me thjeshtësinë dhe devotshmërinë e saj ajo e ngriti në piedestal parimin fetar të mëshirës dhe bamirësisë për të varfërit në të gjithë botën duke i bërë një shërbim të madh fesë në tërësi për t’i mbajtur ata kudo të qetë dhe pranë institucioneve fetare me ndihmën e gjithë shoqërisë. Kjo është rruga që ndjek feja për të shpëtuar njerëzimin nga vuajtja dhe mjerimi. Këtë rrugë ndjek edhe shoqëria moderne me sistemin e ndihmës sociale dhe ndihmave të tjera bamirëse ose vafte ushqimore falas etj. Gjithë shoqëria kontribuon sipas mundësisë jo se jemi dakord me këtë zgjidhje të problemit por se varfëria është një realitet i hidhur për të gjithë. (Kujtoni Migjenin: “Mjerimi s’don mëshirë. Por don vetëm të drejt.).
E treta, si misionare fetare ajo nuk ka punuar e vetme, por nën drejtimin e eprorëve të saj fetarë dhe i ka kryer të gjitha detyrat e tjera që mbulon kisha katolike, ashtu siç bëjnë të gjithë misionarët e besimeve të tjera fetare. Zërat kundër në shtypin e huaj kanë arsyet dhe interesat e tyre.
E katëta, tek ne interpretime nga pozicione kundër për shenjtërimin e merituar të nënë Terezëz nuk kanë të bëjnë më me nënë Terezën por me syzet e interpretuesit që ia ngushtojnë vështrimin dhe bëhen transmetues të shtypit të huaj. Feja nuk filloi dhe nuk mbaron me nënë Terezën e cila me veprën e saj monumentale me përmasa botërore nuk e shpëtoi Kalkutën nga varfëria. Me dashje ose padashje, ajo i trgoi botës së qytetëruar edhe një anë tjetër, atë që mjerimi nuk zhduket me lëmosha, qoftë edhe nga e gjithë bota. Edhe vetë Papa Françesku në fjalimet e tij kërkon administrim më të mirë të ekonomisë dhe të shoqërisë për të zgjidhur problemet akute të kohës sonë. E ardhmja nuk i përket lëmoshave por të drejtës. Kjo nuk na pengon t’i japim hakën gjithësecilit në kohën dhe rastin e duhur.
E pesta, veprimet e saj gjatë vizitave në Shqipëri janë mësimdhënëse për mirënjohje dhe unitet midis të gjithë komuniteteve fetare dhe jofetare, janë njohje dhe respekt për punën ndërtimtare popullore pavarësisht nga besimi fetar. Ajo ishte një fetare demokrate për aq sa mund të ishte dhe nuk nguroi ta trgonte atë.
Urojmë që institucionet fetare ta vlerësojnë shenjtërimin e nënë Terezës me aktivitete përkatëse dobiprurëse mbarëshqiptare. Kasandra.