Kryetari i LSI-së Petrit Vasili ka sulmuar ashpër kreun e Partisë Socialiste Edi Rama dhe atë të Partisë Dmeokratike Lulzim Basha. Ai tha në studion e News 24, në emisionin “Kjo Javë” se ata janë dy njerëz pa vizion dhe po përballen me shqiptarët pa pasur asnjë program.
“Duke dëgjuar këta njerëz pa asnjë ide në kokë, njëri flet për republikë të re, tjetri me tepsi në kokë. LSI ka një plan të qartë, plani ynë nuk është tepsi dhe timon, por as republika e re që është i njëjti variant i Rilindjes dhe tepsisë apo timonit. Basha kopje e rilindjes, një mavi e zbehtë”, deklaroi Vasili.
Ai la të kuptohej rama dhe Basha janë bashkë tashmë kur tha se “Edhe daljet e Lulzim Bashës i koordinon Endri Fuga”, për Drejtorin e Komunikimit në Kryeministri.
Tashmë pas tensioneve mes palëve, në skenë kanë dalë edhe akuzat e drejtëpërdrejta mes liderëve të partive. Vasili i ka kujtuar Bashës abuzimet e bëra sipas tij në Rrugën e Kombit. Kjo erdhi si përgjigje ndaj deklaratës së Bashës që e quajti LSI-në SHPK.
“Ky Basha SHPK, duhet të ketë parasysh grabitjen e 250 milionë eurove në Rrugën e Kombit”, tha ai.
Pyetjes së gazetares nëse e përjashton një koalicion me PD, Vasili i’u përgjigj i sigurt me ‘po’.
Ai tha se “LSI do jetë forcë e parë, dhe mandatet i numërojmë në 25 Qershor”.
Intervista e plotë:
E merrni LSI-në menjëherë pas marrëveshjes së Partisë Socialiste me Partinë Demokratike pas shumë negociatave, e që z. Meta e quajti zgjidhje të krizës, vendosjen e tij në krye të shtetit. A ndiheni paksa i tradhtuar nga kjo marrëveshje? Si ndjehet Lëvizja Socialiste për Integrim?
Kjo besoj është një përcaktim që nuk ka lidhje fare më situatën që u krijua.
Kjo marrëveshje ishte vetëm një zgjidhje e vonuar e krizës, që duhej të zgjidhej kohë më parë dhe që ishte pikërisht një marrëveshje që eci në atë hulli parimore për të cilën LSI foli që në fillim. Ne sugjeruam qeveri besimi, sipas dakordësive me apo pa Ramën, ndodhi që të ishte një qeveri besimi me Ramën Kryeministër. Kërkuam që zgjidhja të ishte sa më e shpejtë, që opozita të ishte patjetër pjesë e zgjedhjeve.
Ç’kanë bërë? S’kanë bërë asgjë më shumë se ecën në atë rrugë ku LSI-ja u tha. Kanë bërë një gjë shumë negative, që i humbën vendit muaj të tëra. Sigurisht, po të kujtojmë edhe mjaft të dhëna të karakterit ekonomik, sikurse ishte anulimi i mbi 80-90% të prenotimeve turistike nga jashtë për në Shqipëri dhe mjaft nisma të cilat mbetën pezull për shkak të kësaj pezullie politike. Kishim një Parti Demokratike e cila kërkonte zgjedhje në fund të tetorit-nëntorit, Partinë Socialiste e cila donte që zgjedhjet të bëheshin më 18 qershor pa opozitën. Pra, normal ishte një marrëveshje e cila realizoi atë që tha pikë për pikë LSI-ja, bile në kërkuam, ju e kujtoni, të kishte një negocim ndërkombëtar mundësisht nga Partitë Evropiane Popullore. Paketa McAllister e integruar, saktësisht e njëjta gjë.
Sa e vështirë është për ju menaxhimi i LSI-së tani? Sa i vështirë është, në ç’gjendje e gjeni tani LSI-në, që jeni kryetar i saj?
LSI-ja është një menaxhim relativisht shumë i lehtë. LSI-ja është në momentin e saj më të mirë, kulmor të saj, në këtë histori prej më shumë se 12 vitesh që nga 2004, në shtator bëhen 13 vjet. Nuk kam përjetuar ditë më të mira të LSI-së që nga fillimi, unë jam që në themelimin e kësaj force politike. Kam qenë i pari Sekretari i Përgjithshëm. Është një detyrë shumë e vështirë dhe e nderuar, por nuk kam pasur kurrë ditë më të mira sesa këto.
Sinqerisht, në ato momente të vështira të fillimit të 2004 –s po ta kisha ditur që do të vinin këto ditë do të isha akoma dhe shumë herë më i lumtur edhe atëherë, por kjo gjë erdhi dhe sigurisht besoj është një moment, që shumë njerëz të LSI-së që e kanë themeluar atë, po e ëndërronin. Besoj është një kulm i papërfytyrueshëm.
Vasili ju padyshim jeni njohur me një pjesë të mirë të deklaratave të forta, të krerëve politikë gjatë fushatës…
Kam ndjekur me shumë vëmendje deklaratat e z. Meta, dhe nuk kam humbur asnjë minutë kohë me këto gjëra pa asnjë kuptim dhe pa sens. Po përpiqem të ruaj shumë etikën e studios tuaj.
Basha e ka quajtur një “SH.P.K” LSI-në, nga ana tjetër z. Rama bën thirrje që asnjë votë të mos shkojë tek partitë e vogla. Ju pretendoni, dhe sigurisht slogani juaj është “LSI Forcë e Parë”. Sa e mundshme është ajo që të arrihet, që LSI-ja të shkojë forcë e parë ?
Sigurisht, duke dëgjuar këta njerëz pa asnjë ide në kokë. Njëri flet për Republikë të Re, e keni parë. Ky tjetri është më i thjeshtë se flet për tepsi dhe për timon. Kurse unë në të gjithë Shqipërinë, në çdo cep edhe në komunën më të largët, kam respektuar edhe shqiptarin më të fundit dhe do të vazhdoj ta respektoj dhe u flas shqiptarëve për një plan për Shqipërinë.
Kam një plan unë dhe LSI-ja. Ka gjëra shumë të qarta se ku duhet të eci ky vend. Ka gjëra të qarta se si transformohen dhe si zgjidhen punët te ky vend. Dhe ky plan i yni nuk është tepsi dhe timon për njërin dhe as është për këtë ‘Rilindjen’ e re, Republikën e re të këtij tjetrit, që është i njëjti variant i kësaj Rilindjes së tepsisë dhe timonit në një formë tjetër.
Shqiptarët sot të gjithë pa përjashtim duke filluar nga studio ku ndodhemi këtu, kanë nevojë për taksa më të ulëta, të cilat janë pjesë e këtij plani e ulen deri në 3 herë. Të gjitha bizneset kanë një uljet drastike të taksave të përshkruara qartë këtu. Rroga juaj që ju e fitoni me shumë mundim, nuk ka pse të tatohet më 23%, por do të tatohet 2 herë e gjysmë më pak. Në bujqësi, që produktet tona nuk janë konkurruese do të kenë një TVSH zero dhe një tatim mbi fitimin zero. Praktikisht do të kenë mundësi të shesin gjithçka dhe kemi transformim ekonomik- shoqëror, sepse vetëm masat për bujqësinë do të thotë që fusin, kthejnë prodhimin nga 2 miliardë në 4 miliardë.
Sa mendoni që do ta besojnë qytetarët këtë plan, dhe sa mendoni se do ta votojnë?
Pyetja juaj ka një përgjigje shumë të thjeshtë. Shqiptarët janë të mençur sikurse të gjithë teleshikuesit tuaj, dhe do të votojnë për njerëz që kanë plan, njerëz që i shikojnë seriozisht, sepse ndërkohë që unë po flas me ju për këtë gjë ju më vutë disa inserte që janë të tepsive, të timonit dhe të SHPK-së. Besoj ky Basha duhet ta ketë parasysh SH.P.K-në e Rrugës së Kombit ku grabiti 250 milionë euro, do ketë atë SH.P.K-në, se ku ishte në Bashki dhe ato kanaçet që mblidhnin popullsitë e varfra dhe romët, i mbani mend, sepse i keni në insertet tuaja, i rrëmbeu t’ia jepte privatit. Jam i lumtur dhe që atëherë, duke qenë nënkryetar Bashkie luftova.
Praktikisht është shumë e thjeshtë zgjidhja. Shqiptarët i duan gjërat të prekshme, të kapshme me njerëz seriozë që i realizojnë dhe me forca serioze të cilët kanë menduar dhe janë lodhur me një kohë të gjatë për ta bërë gati një qeverisje të re. Nuk janë shqiptarët të gatshëm që të bëjnë tepsinë e dikujt që duhet të hajë, të ngopet njëri. Nuk po bëjmë zgjedhje se si do ngopim një njeri.
Ju vetë si kryetar i LSI-së sa të mundshme e shihni që do të dalë LSI-ja forcë e parë? Si do të shkohet?
Është shumë e qartë, e keni shumë të thjeshtë dhe të qartë.
Askush nuk mund të shkojë dhe të votojë aventura dhe aventuriere. Do votojë njerëz seriozë. Njerëz që e njohin shtetin, kanë punuar dhe sinqerisht i drejtohen dhe respektojnë shqiptarët. Duke pasur një përgjigje edhe për ju, për pagën tuaj, edhe për pronarët e biznesit tuaj që kanë plot halle në kokë të cilat duan ti përballojnë por s’i përballojnë dot për shkak të taksave të larta. 70 % e popullsisë është në fshat e cila ka nevojë për një ndihmë të drejtpërdrejtë, sepse në vend që ne të lyejmë sokakët e qyteteve dhe të ndërrojmë pllakat të cilat kushtojnë sa qimet e kokës, mund të vemi fare mirë t’ua a çojmë ndihmë atyre fermerëve dhe transformimi ndodh.
Vasili, sa mandate pretendoni të fitoni?
LSI do të jetë forcë e parë, dhe mandatet i numërojmë më 25 qershor se sa do të ketë forca e parë. Kjo është LSI-ja në Shqipëri.
Përqendrohemi pak te koalicionet, janë kryefjalë në fakt, gëlon çështja e e koalicioneve, pasi ekzistojnë disa skenarë z. Vasili?
Skenari kryesor është se çfarë do t’u japim shqiptarëve si do t’i qeverisim pas 25 qershorit.
Ju thoni se në qeveri do të jeni me çdo kusht, apo jo, duke qenë se thoni se LSI do të dalë forcë e parë sipas pretendimeve, por nga ana tjetër i shumë përfolur është një koalicion PS-PD. Sa i besoni këtij koalicioni?
Nuk kam punë me koalicionin PS-PD. Unë kam një preokupim të vetëm. Ti shpjegoj edhe shqiptarit më të fundit, i cili po dërmohet nga varfëria. Kam thënë në një nga mitingjet e mëdha dhe kam mundësi ta rimarr këtë. Në këtë vend duhet vërtet të ketë një himn gëzimi. Himni i gëzimit është himni i Evropës së Bashkuar, nuk mund të ketë më poemë mjerimi.
Në qoftë se do të lëvizim nëpër Shqipëri, dhe kamerat tuaja janë ngado, lëvizin, shoh një mjerim i cili do përgjigje. Ky mjerim nuk mund të ketë më përgjigjen, jo koalicioni, jo timoni, jo Republika e re, jo tepsia. Kjo do përgjigje konkrete, dhe përballë kësaj përgjigjeje duhet të reagojmë. Nuk mund të ndodhi, dhe po ju them prapë që ne të mbartim probleme.
Ju keni fatin që keni një moshë shumë të re, keni hyrë në pluralizëm në një moshë të caktuar dhe në një moshë goxha tjetër tashmë, ju jeni nënë, etj, etj, pa të mbartur të njëjtat probleme. Keni kohë ju, në kuptimin e mirë të fjalës të plakeni me të njëjtat probleme? Unë kam ardhur në Shqipëri në vitin 1991-92, jam kthyer nga studimet në Itali. Jam kthyer vetëm me një kredo, që vendi im duhet të bëhet.
Se ndryshe nuk kisha pse të kthehesha. Momentin që unë kthehesha në vendin tim, qindra e mijëra shqiptarë iknin. Por jam kthyer me këtë bindje, nuk më shtrëngonte njeri, isha i favorizuar. Besoja te vendi im. Por 27 vjet vendit tim i ikën. Unë nuk dua më që ata që ishin 1 vjeç dhe u bënë prindër të vazhdojnë dhe të plaken, duke mbajtur të njëjtat probleme. Dhe ç’përgjigje duhet dhënë sot? Dhe këtu jemi thirrur ne të japim këtë përgjigje, pastaj koalicionet, tepsirat, nuk ka njeri kohë për të humbur.
Ju thoni që 25 qershori është dita vendimtare, dhe sigurisht që është, po për koalicionet nuk është se janë pak të rëndësishme dhe unë insistoj t’ju pyes, për një koalicion PD –LSI?
Përgjigja ime është që shqiptarët duhet të kuptojnë këtë që këtu fillon transformimi.
E përjashtoni një koalicion PD-LSI?
Unë kam një preokupim si qytetar. Ju nuk u thelluat në atë që thashë para pak minutash.
Jam kthyer me bindjen e madhe që duhet të bëhet vendi im. Dhe mbi bazë të kësaj gjëje mund, ndoshta duke bërë llogaritë e mia personale, shumë gjëra të miat do të kishin shkonin shumë më mirë nëse unë do të qëndroja në Europë. Këtë sakrificë e kam bërë me motivim dhe nuk jam pishman. Po s’mund të pranoj më që vendi im të jetë në këtë bujurdi varfërie, në këtë bujurdi intrigash dhe poshtërsie dhe shumë të rinj të përballen me këtë gjë. Ndaj jemi të përqendruar tek të rinjtë, duke ju dhënë një shpresë atyre.
Sepse nuk më duhen mua meskinitetet dhe koalicionet, jo po u morëm vesh në tre të mëngjesit, etj. Kolegët tuaj të “Portokallisë” i stigmatizuan dhe mirë bënë, por unë nuk kam kohë të humb me këtë. Unë dua vetëm e vetëm të mund sa më shumë shqiptarë se koha e ndryshimit është tani, dhe nuk është nesër. Dhe po e humbëm përsëri një shans do të jemi, jo 4 vjet më të varfër, por 8 vjet më të varfër.
Vasili, detyra ime është t’jua bëj dhe t’jua formuloj pyetjen dhe sigurisht ju keni të drejtën tuaj të përgjigjeni apo jo, por edhe nga ana tjetër interesi i qytetarëve është i madh dhe skenarët e koalicioneve njihen tashme. Është koalicioni ekzistues PS-LSI, është një koalicion i mundshëm PS-PD dhe nga ana tjetër PD-LSI.
Qytetarët janë shumë të interesuar të jenë më të qetë dhe më të pasur në tavolinën e tyre, sepse në shumë konflikte familjarë, më vjen keq, nuk e di nëse e keni apo jo këtë informacion: Tema e konflikteve familjarëve është që nuk dalin të ardhurat dhe nuk është tema se kush e bëri koalicionin dhe me kë e bëri.
Në qoftë se do më thoni se aty ku nuk del, dhe fëmijës nuk i japim dot mundësinë, ta veshim e ta mbathim me ato që duam dhe nuk ja blejmë dot librat të tëra siç duhet, nuk i blejmë çantën më të mirë që ai shikon që e ka një fëmijë tjetër. Ky është një problem dhe një konflikt familjar i vazhdueshëm, kësaj duhet t’i kthejmë përgjigje.
Nuk është temë, koalicioni, se ky e bëri, ky s’e bëri, që kaq vota. Nuk ju intereson shqiptarëve. Unë jam për shqiptarët këtu, as për median dhe as për intrigantët e politikës. Nuk merrem, jam pjesë e prapambetur e politikës që s’i njoh intrigat.
Vasili, për të rrëzuar Edi Ramën a do të bënit koalicion me Partinë Demokratike?
Unë dua të rrëzoj varfërinë dhe papunësinë në këtë vend. Ky është misioni im. Po të keni ndjekur profilin tim në Facebook, e kam pasur lajtmotiv pa ardhur fare në studion tuaj, që dy armiqtë e mi kryesor janë papunësia dhe varfëria. Nëse unë dhe e gjithë LSI-a nuk arrijmë t’i japim dot përgjigje kësaj pyetjeje, përgjigjet e tjera janë pa asnjë vlerë.
Gjatë deklaratave në fushatë, jeni shprehur se dini fakte të veçanta për Lulzim Bashën. Cilat janë këto fakte?
Jam në njohuri të të vërtetave të caktuara. Kam thënë që jam në dijeni të këtyre gjërave.
Përse nuk i keni denoncuar atë më parë?
Nuk kam gjë për të denoncuar. Të vërtetat janë të vërteta që i njoh unë dhe pikë. Sigurisht që nuk janë të vërteta që e lartësojnë, por që e ulin moralisht, e ulin shumë dhe bie nën nivelin e një SH.P.K.-je.
Vasili, a mund të merret kjo si një trysni dhe si një presion për z. Basha?
Asnjë lloj presioni. Ne jemi në një betejë të hapur me z. Basha dhe me Rilindjen e tij të re, e cila sigurisht është një kopje, një mavi e zbehtë, por si të gjitha llojet e kopjeve, merr një përgjigje, e cila për fat të keq është gjithmonë e hidhur.
Ministrat e rinj teknikë u vendosën. Si e shihni ju punën e tyre dhe a e shihni si diçka të koordinuar për të cenuar LSI-në?
Është një punë, do të thosha, tërësisht qesharake. Kam asistuar rastësisht vetë në kontrollet rutinë që zhvillohen. Zhvillohen 5-6 të tilla në ditë. Ka një ritëm kontrolli, i cili është më i shpeshtë sesa verifikimi i të burgosurve në kampet e përqendrimit.
Sigurisht që është një ritëm qesharak, që e ka bllokuar administratën publike, nuk e ka ndihmuar fare. E ka kthyer administratën publike në një administratë në stanjacion, që rri atje, që vegjeton dhe pret kontrollin e radhës.
Ndërkohë, ato që janë punët e shtetit, sepse dinamika e shtetit s’mund të ndalet, sigurisht është ndalur. Dhe me idenë gjoja për ta mbrojtur nga përfshirja në fushatën elektorale, kanë bërë këtë tjetrën. Është një masë tërësisht fiktive. Të tërë ato që duan të bëjnë një fushatë elektorale, e bëjnë një fushatë elektorale.
Dhe kjo ka sjellë një gjë tepër negative, ka paralizuar tërësisht administratën shtetërore. Dhe shumë shërbime, shumë punë dhe shumë projekte, të cilat duhet të zhvilloheshin, praktikisht janë në një stanjacion të plotë. Dhe për më tepër ka një seri veprimesh, edhe të ministrave teknikë, që janë në thyerje të plotë me ligjin, por jemi shumë të qetë, sepse 25 qershori vjen dhe mbaron shpejt dhe të gjithë ata do të përgjigjen për shpërdorimin e detyrës deri më një dhe nuk do t’i falë njeri për shkak sepse, me sebepin e gjoja kontrollit, kanë vajtur në ekstremet e shpërdorimit të ligjit, e cila është e palejueshme dhe e patolerueshme.
Vasili, a keni menduar t’i tërhiqni ministrat tuaj nga qeveria?
Nuk kam menduar asnjëherë. Qeveria është një qeveri besimi. Praktikisht të gjitha palët janë atje. Do ecim përpara edhe këto dy javë, do të mbyllim zgjedhjet dhe pastaj çdo gjë është për t’u verifikuar, edhe sjellja e çdo ministri jo të LSI-së. Çfarë ka bërë, si është sjellë, kë ka shantazhuar, si e ka shantazhuar, si e ka shkelur dhe e ka dhunuar ligjin? Njeri pa marrë atë që i takon kur e ka shkelur ligjin, nuk do të ketë në këtë vend.
Duket se ka nisur një sulm frontal nga ana e LSI-së për drejtorin e Policisë së Shtetit, z. Haki Çako. Si e shihni punën e tij dhe përse atakohet?
Shumë e thjeshtë. Nën drejtimin e këtij zotërie, Shqipëria arriti rekordet më negative të të gjitha kohërave të historisë së saj e lidhur me historinë e kanalizimit të vendit. Kemi marrë të gjitha damkat si Kolumbia e Evropës, si vendi i transiteve më të rrezikshme e sasive të frikshme. Ka përfunduar në primeline-t e CNN-it, të BBC-së, ZDF-së, etj.
Ky zotëria dhe të tjerë që kanë qenë atje, kanë qenë në krye të punëve dhe në rast se u kanë munguar dhe kanë qenë të implikuar në këto çështje, pasi ky pasivitet kaq i madh kërkon një shpjegim, sigurisht që pozicioni i tyre vazhdon të jetë i tillë, i rënduar dhe i dyshimtë edhe në këtë proces zgjedhor.
Pra, ju edhe punën e Policisë e shihni si të dështuar? Si po vepron Policia?
Sigurisht që në drejtim të këtyre problematikave të mëdha, puna ka qenë e dështuar, pasi rezultatet negative janë të qarta dhe në sytë e gjithë qytetarëve.
Vasili, janë raportuar disa raste konfrontimesh mes mbështetësve të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe atyre të Partisë Socialiste. A mendoni se do të ketë një përshkallëzim të situatës, një rëndim të saj?
Nuk ka pasur konfrontim nga ana e njerëzve të LSI-së, ka pasur vetëm provokime të ulëta, të vazhdueshme të njerëzve të Partisë Socialiste, përfshirë edhe ministrat, të cilët në momente të caktuara për gjuhën dhe sjelljen e tyre, janë sjellë as më shumë dhe as më pak si rrugaçë ordinerë.
Meta, në “Opinion” te Blendi Fevziu është shprehur se është zgjedhur në krye të shtetit për të zgjidhur krizën. Nga ana tjetër u shpreh se ishte i gatshëm që nëse Parlamenti mblidhej për shkarkimin e tij, le të shkarkohej. Do të doja një koment tuajin në lidhje me këtë. Çfarë shërbimi do bënte shkarkimi i Ilir Metës?
Nuk e di, kam dëgjuar vetëm pretendime nga PD. Pa e prishur gojën po them pretendime idiote. Ilir Meta është një President i zgjedhur. Presidenti i cili ushtron të gjitha funksionet kushtetuese është Bujar Nishani.
Nga 24 korriku, Ilir Meta ka detyrimin të ketë një sjellje politike të caktuar. Nuk është drejtues, kryetar i LSI-së, për një vendim personal të tijin. Mund të vazhdonte të drejtonte LSI-në deri në datë 23 korrik dhe s’kishte asnjë lloj mospërputhje kushtetuese dhe mua më vjen vërtetë një keqardhje e madhe që shikoj një rrënim të tillë intelektualo-juridik të PD, por s’ke ç’i bën, kur vjen Republika e Re dhe Rilindja e Re të rrënon dhe fliten budallallëqe të kësaj natyre.
Kështu që e thashë, me dëshirën e tij e ka lënë drejtimin e LSI-së. Mund të vazhdonte ta drejtonte deri në datë 23 korrik dhe në 24 korrik të merrte funksionet e reja. Kështu që, kësaj përgjigjeje i ka dhënë Ilir Meta shumë qartë, në qoftë se këta e gjejnë gjëkundi këtë interpretim, le ta bëjnë, nuk na shqetëson fare.
Ju keni çuar një ligj për koncesionet në Kuvend z. Vasili. Nëse do të vinit në pushtet, nëse LSI do të dilte forcë e parë, a do t’i anulonit ju koncesionet me z. Rama dhe a do të kërkonit një hetim për to?
Kam kërkuar qartë që koncesionet të miratohen në Parlament, pra të ketë një verifikim parlamentar shumë serioz, të fortë dhe filtra përpara se t’i bëjmë ato pasi bëhet fjalë për përdorim të qindra milionë eurove para publike, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve prodhojnë shërbime të dobëta, shërbime që shkojnë në nivele edhe më të ulëta se sa ato përpara dhënies së koncesioneve.
Kjo nismë është bllokuar nga PS, për më shumë se një vit e gjysmë, gati dy vjet. Në mënyrë shumë qesharake dhe për arsye të interesave okulte që e pengonin ta miratonte një nisëm të tillë, pasi ajo që ne propozonim ishte një transparencë shumë e plotë dhe qartësi para publikut, që të gjithë të kuptonin si qytetarë që këto para do të jepeshin në të mirë apo në përmirësim të shërbimeve.
Sigurisht që do t’i verifikojmë një më një. Nuk po them do anulojmë, por verifikimi një më një do të kryhet. Në qoftë se verifikimi krijon probleme më të mëdha, çdo kontratë koncesioni, për mospërmbushje të detyrimeve koncesionare, sigurisht ka edhe rishikime, anulime, dhe çdo gjë tjetër. Që të më kërkojnë mua që nesër ne të mos i verifikojmë këto dhe të bashkëjetojmë me grabitjen e parave nga koncesionet, sigurisht që edhe ju do të ishit aleatët tanë, si qytetarë, që ne ta bënim këtë gjë.
Një koment për hapjen e sheshit të ri. Si ju duk? A është çelur për fushatë?
Nuk e kam parë.
As në spote?
Ju e dini se ne kemi komunikuar, ndaj edhe e kemi pasur të vështirë të zhvillojmë intervistën së bashku ndaj ju falënderoj për kohën. Unë kam qenë, nuk e ekzagjeroj, ju keni mundësi të konsultoni Facebooku-n tim dhe ju e dini që nuk e kam zakon të them gjëra që nuk di t’i bëj.
Kam bërë qindra takime me fermerë dhe shikoj potencialin e transformimit ekonomiko-shoqëror që ekziston te bujqësia. Pllakat, sheshet pafund të rilindjes urbane, ndërkohë që mijëra fermerë vuajnë për bukën e gojës, nuk më emocionojnë më.
Kështu që, të them të drejtën, i përcjell këto gjëra me një ftohtësi të jashtëzakonshme, sepse kur kam parë dhimbjen dhe varfërinë që vërtetë të dërrmon, ka plot nga këta që nuk e kanë parë këtë varfëri, kanë sigurisht edhe një zemër shumë të fortë, të gurtë, që nuk u dhemb. Unë për fat të keq kam qëlluar me zemër të dobët dhe ndaj varfërisë unë jam vërtetë shumë vulnerabël dhe bëj çdo gjë për ta lehtësuar atë.
Dy ditët e fundit ka pasur atakime për bujqësinë, mënyrën si e keni menaxhuar atë….
I kam parë edhe nga ana e PD, edhe nga ana e PS. Në mënyrë të veçantë ky i PD. Ka marrë detyrën e re që të vazhdojë, si duket i koordinon Endri Fuga edhe daljet e Lulzim Bashës. Sepse e fillon Edi Rama një ditë përpara, e vazhdon ky një ditë pas.
Nuk ka të keqe, koordinim është ky. Këta duhet të kuptojnë fare mirë, e dinë shumë mirë: kryeministrat janë ata që udhëheqin. Në kohën kur ishte Lulzim Basha në qeveri, qeveriste Sali Berisha, vendosi t’i jepte 1 miliardë Rrugës së Kombit, nuk i dha asnjë lekë bujqësisë. Ka vendosur Edi Rama t’u japë tërë sokakëve të qyteteve, të bëjë rilindje urbane, të hedhë shatërvanë në mes të rrugës të mos i japë asnjë lekë bujqësisë, kjo është qeveria që ai prin.
Cilido qoftë ministër, quhet Edmond Panariti, quhet Petrit Vasili apo Nisida Tufa, nuk ka asnjë lidhje në qoftë se një qeveri ia rrëmben paratë dhe ia çon o Rilindjes Urbane o Fondit Shqiptar të Zhvillimit që qeveris po vetë, për interesat okulte të tyre.
Ndaj, këto dy rilindjet, t’i mbajnë për vete këto e të mbajnë përgjegjësinë e madhe për ato që nuk kanë bërë në këto vite. Është koha të mbyllin një herë e mire gojë dhe të skuqen për ato që kanë bërë.
Vasili herën e fundit në këtë studio ishit shumë hermetik. E justifikuat këtë, sepse ishte në shërbim të situatës. Sot keni qenë shumë ekspresiv dhe shoh shumë irritim…
Kam irritim, sepse kam përballë varfëri dhe papunësi dhe nuk mund të merrem të dëgjoj meskinitete të tjera të rrobave të vjetra e të mykura të politikës.
Slogani i z. Meta ke qenë “me qetësi dhe dashuri”. A është më me qetësi dhe dashuri trajtimi i çështjeve në LSI?
Beteja me varfërinë dhe papunësinë ka këtë motiv, dashuria e madhe për njerëzit, dhe maturia, sepse do qetësi për t’i marrë vendimet, janë ato që na prijnë. Por do edhe vendosmëri që këto gjëra të zgjidhen, sepse ju u bëtë nënë, unë u plaka, Shqipëria vazhdon me po ato probleme. Shqipëria nuk mund të vazhdojë kështu. Koha është tani!
/a.m.