I ftuar në studion e emisionit “Trialog” në RTSH1, të moderuar nga Alba Alishani, analisti Lorenc Vangjeli analizoi zhvillimet e fundit në opozitë, duke theksuar se skenari i sotëm politik është një përsëritje e modeleve të vjetra.
Sipas tij, një nga mënyrat për të justifikuar konfliktet e vazhdueshme politike është shpikja e aleancave të brendshme dhe armiqve të rinj.
“Kjo që po ndodh nuk është e re, është e njëjta tipologji e përsëritur , me një aktor që është i pandryshueshëm dhe me personazhe të tjerë që ndryshojnë. Një nga marrëzitë më të mëdha është të kërkosh dritë se e ke humbur në errësirë. Është rasti për të thënë se Sali Berisha si lider i opozitës nuk sjell risi në këtë gjë. Dikur këtë e bënte drejtuesi i shtetit shqiptar Enver Hoxha. Është po e njëjta histori me beteja të pafundme që ngjajnë qesharake por atëherë ishin dramatike që Enver Hoxha bënte kundër imperializmit amerikane dhe kundër gjithë botës kundër Shqipërisë. Ka një bindje me liderët e Ballkanit, është sa më i madh armiku aq më i zoti luftëtari që i vihet përballë”, u shpreh Vangjeli.
Vangjeli komentoi se opozita, ashtu si edhe socialistët, bëjnë një gabim themelor kur ndajnë miqtë dhe armiqtë.
“Një mënyrë për të justifikuar betejat e një pas njëshme është të shpiken aleanca brenda Tiranës me një sërë aktorësh dhe faktorësh. Deri dje ishte SHBA që president kishin zgjedhur Joe Biden por sipas bindjes së PD, e drejtonte Sorosi. Kjo alibi ka rënë dhe me SHBA gjërat janë në rregull ndërkohë që është Evropa armike e opozitës”, theksoi analisti.
Në analizën e tij, Vangjeli theksoi se politika shqiptare duhet të heqë dorë nga retorika e përhershme e konfrontimit dhe të kuptojë se marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë nuk ndërtohen mbi luftë imagjinare, por mbi interesat e përbashkëta të shtetit.
“Përkundër të gjitha parashikimeve Berisha së fundmi mund të mbërrij në Amerikë por vetëm se mbërriti në Amerikën Latine. Besoj se opozita edhe socialistët bëjnë një gabim thelbësor kur ndajnë miqtë dhe armiqtë. Nuk janë miq të qeverisë aleatët apo partnerët e Shqipërisë. Janë partner të vendit të cilët nuk e shikojnë ngjyrën e qeverisjes dhe aq më tepër nuk e shikojnë opozitën si armik”, u shpreh ai.











