Nga Shpëtim Nazarko
Jo shumë kohë pas Berishës, që zuri në gojë problemin e detit me grekët, në skenë ia behu dhe Vangjel Dule. Me të njëtën frazeologji dhe brenda lojës tipike shqiptare, përfaqësuesi i minoritetit aludoi se kryeministri, po ashtu si në llogarinë me detin, ka vendosur të punojë për të tretët, duke shkatërruar pronat e minoritetit grek në Himarë. Thënë qartë, duket se kryeministri po punon për Turqinë!
Berisha edhe mund të kuptohet, se brenda pasionit të tij politik, që në fund të fundit e ka ndihmuar për të qëndruar në politikë, apo për të mbijetuar politikisht, ka luajtur gjithnjë me variantin e “hedhjes së fuçisë”. Ndërkohë që kundërshtarët e tij i afroheshin një të vërtete lidhur me një problem të caktuar, ai i ngatërronte ata, duke shpikur një problem tjetër, pra i dërgonte në një drejtim të gabuar.
Berisha, siç thashë më sipër, kuptohet. Ka qenë brenda një logjike të caktuar dhe të një taktike personale që, me thënë të drejtën, i ka dhënë jo pak herë sukses.
Po a mund ta luajë dot lojën e Berishës Dulja? Thua prandaj kishe thirrur në ndihmë edhe Nokën?
Problemi ngatërrohet nga pak me gjeopolitikën e lartë dhe natyrisht që është dhe i vështirë për t’u trajtuar, nëse do të ndjekësh logjikën e Dules apo Berishës.
Vija e gjatë bregdetare, apo rruga malore që shkon edhe në Himarë, me të cilën ngatërrohet Vangjeli, është ndërtuar së pari nga të tjerë dhe konkretisht nga ata që kanë ruajtur fillimisht themelet e Shqipërisë, por së pari për interesa të tyret. Këta ishin austriakë dhe italianë. Indirekt kjo vijë mbronte linjat e kalimit tokësor, që nuk lejonin asnjëherë realizimin e ëndrrës ruse për të pushtuar Stambollin apo Cargradin, apo ndryshe, Kryeqytetin e tretë të Rusisë, siç e quan ende me përkëdheli diplomacia e këtij vendi qendrën e vjetër të Perandorisë Bizantine.
Ndërsa Anglia ruante Bosforin apo mbretërimin e saj në dete në të gjithë botën, Austria e vjetër dhe Italia ruanin moskalimin tokësor të Rusisë drejt ëndrrës së saj. Mund të thuash pa bërë ndonjë gabim të madh se kjo strategji antiruse e mbajti gjallë Perandorinë turke njëqind vjetët e fundit të sundimit. Ndryshe ajo do të ishte gëlltitur me kohë nga Rusia që pas fundit të Napoleonit të madh, u bë për gati pesëdhjetë vjet Zoti absolut në Evropë.
Fitoreve të saj kundër një Turqie të mbaruar ushtarakisht, Evropa e Bismarkut dhe e Meternikut i përgjigjej me lëshime tokësore që binin thuajse gjithnjë në kurriz të Shqipërisë. Përfundimi ishte një Greqi e madhe dhe një Serbi e madhe, po në të njëjtin kurriz… Evropa e Meternikut, Bismarkut dhe Anglia e Viktorias preokupoheshin vetëm për moszënien e Bosforit, andaj nuk u hynin në punë tokat e Shqipërisë.
Nuk është për këtë arsye ndonjë çudi e madhe se Shqipëria, ndoshta ashtu si Gjermania e pasluftës së dytë, është nga të paktat vende në Evropë që kufijtë e saj i ka të rrethuara po nga bashkëkombësit e saj. Dhe vetë Vangjeli, po të shohë nga pak historinë dhe jo vetëm fjalimet e tipit OJQ apo gati kishtare, do ta kuptojë thjesht këtë punë.
Nga pozitat e një nacionalisti të vjetër mund të thuash për shembull se ato që Dule ose të tjerë i quajnë toka greke, p.sh. në fshatrat nga e ka ai origjinën, nuk mund të jenë veçse toka të të tjerëve. Sepse ndryshe nuk ka asnjë mundësi që pas këtyre tokave të quajtura të tijat, të ketë prapë vendbanime tipike shqiptare. Mund të jetë thjesht e vërtetë se një pjesë e çifligarëve të mëdhenj shqiptarë në shërbim të Perandorisë turke në pronat që zotëronin merrnin dhe punëtorë të krishterë zakonisht për t’i punuar.
Çështja nuk është këtu dhe nuk është ky qëllimi i artikullit. Gjeopolitika e vjetër, megjithëse funksionon ende, nuk na ndihmon gjëkundi të favorizojmë idenë e Dules, apo Berishës, se Rama punon për një të tretë, që konkretisht është Turqia.
Problemi është shumë më i ndryshëm, e për të kuptuar se për kë po punon Edi Rama, sot në mëngjes, duke vështruar një projekt të Rrugës Tepelenë – Kurvelesh, që ai e postonte në faqen e tij tërë krenari, kupton pse ai është shumë më i thjeshtë.
Një vështrim minimalist jo vetëm i hartës, por dhe një vizite me makinë nga Vlora deri në Sarandë, rrugë e cila kalon edhe në Himarën që po lufton Vangjeli, të thotë se kemi të bëjmë me një nga vendet më piktoreske, apo më të bukura të Evropës apo më gjerë. Në këtë zonë çuditërisht të duket se shijon Zvicrën dhe Austrinë, Italinë dhe Francën apo të tëra bukuritë e Evropës të mbledhura së bashku.
Kemi të bëjmë me një nga asetet turistike më të mëdha, pas atij që ofron Veriu i Shqipërisë.
Për njëzet e pesë vjet ky aset është shkatërruar ashtu si dhe pjesët e tjera të vendit. Himara, që është qeverisur në shumicën e kohës nga vetë minoriteti, ishte katandisur në atë që shohin të gjithë. Rregullimi jo vetëm i saj, por futja në lojë e rrugëve të Labërisë që derdhen po drejt saj, do të thotë t’i japë këtij destinacioni një vlerë shumë herë më të madhe. Vështruar thjesht, do të kishim jo vetëm turizëm detar, por dhe malor dhe akoma më shumë prodhimet e shkëlqyera të zonës së Labërisë, që vërshojnë drejt Himarës.
Kjo lidhje e rrugëve të kësaj të fundit me Himarën, bëhet për herë të parë në historinë tonë dhe natyrisht që shqetëson jo vetëm një pjesë të atyre që luftojnë për të drejta minoriteti, por edhe shumë agjenci turistike. Vendi përballë vërtet është me asete turistike nga më të mirat në Evropë, por kjo pjesë e Shqipërisë e zhvilluar ndryshe nga deri më sot mund të trembë shumë… Kë? Do pyetur Dulja, thua…?
Unë nuk do ta akuzoja atë, siç akuzon ai Ramën. Nëse ai do të luftonte që ato familje minoritare që preken nga plani urbanistik nuk do të zhdëmtoheshin, siç zhdëmtohet në këto raste, atëherë do të isha i pari që do të rrija prapa Dules. Po nëse Dulja do të ishte kundër një plani që shndërron këtë aset, nga më të çmuarit e Shqipërisë, në hiç, do t’i thosha atij se pikërisht ai po punon për llogari të të tretëve.
Po Dulja ka një të drejtë! Rama po lufton për llogari të të tretëve. Duke futur rrugët e Labërisë në lojë, për të shkuar drejt Himarës, ai po fut bashkë me to dhe peisazhin e mrekullueshëm dhe ushqimin po të tillë të kësaj zone, aty ku duhet. Dhe të tretët në këtë rastin e Ramës, nuk janë vetëm banorët e Himarës që quhen shqiptarë, po dhe ata që Dule i quan minoritarë. Kjo është aq e thjeshtë sa nuk meriton asnjë lloj analize.
Po a mund ta shohim si kërkon Dulja, apo Berisha, historinë e zhvilluar si histori gjeopolitike dhe se Rama po lufton për të tretë, pra konkretisht për Turqinë?
Siç e shpjegova gjatë dhe kundër logjikës së një shkrimi normal, gjeopolitika e vjetër vazhdon. Përsëri ëndrrat perandorake dalin nga sirtari. Po Shqipëria ka pak punë me këto ëndrra dhe i zhvillon hesapet e saj gjeopolitike shumë më ndryshe nga sa mendon Dule apo Berisha.
Ky i fundit e luajti “historinë e detit” dhe shumë mendojnë se bëri nga ato shakatë e zakonshme, duke premtuar në një krah se do ta jepte atë sipërfaqe dhe në atë tjetër u përpoq ta merrte nëpërmjet vendimeve të gjykatës. Tamam me ato lloj lojërash bizantine, ku shpiken skifterë dhe pëllumba nga i njëjti personazh.
Kjo lojë mbaroi në fund të fundit siç duhet dhe i përket të tjerëve ta zgjidhin. Natyrisht jo si në kohërat e vjetra, kur Shqipërisë i duheshin hequr copa toke për të kënaqur ambiciet e Carit që kërkonte Stambollin dhe bashkë me të Turqinë. Kjo lojë ka ngordhur dhe nuk mund ta zhvillojë njeri në kurriz të Shqipërisë.
Loja në Himarë është më e thjeshtë dhe sekreti i Ramës akoma më i thjeshtë. Duke riorganizuar një nga asetet më të shkëlqyera të Shqipërisë, nëpërmjet planeve të zhvillimit dhe duke futur rrugët e Labërisë në lojë për herë të parë në historinë tonë, Rama po i shërben vërtet të tretëve. Këta të tretë janë shqiptarët e zonës dhe minoritarët e Dules apo dhe atyre që për hir të pensioneve të dhuruara ndonjëherë vetëquhen minoritarë.
Them se është më i mirë plani i Ramës dhe loja e tij për të tretët, që duket janë të tretë ndryshe nga të tretët e Dules!
(Konica.al)