Kryebashkiaku i ri Valdrin Pjetri ka reaguar për herë të parë pas akuzave të PD-së dhe kërkesës që selia blu dërgoi në prokurori për të verifikuar nëse ai ka fshehur te kaluarën në formularin e dekriminalizimit. I kontaktuar në telefon nga Report Tv, Valdrin Pjetri thekson se pas verifikimit të prokurorisë do të ketë një përgjigje për PD-në.
“U njoha nëpërmjet kërkesës së Bardhit i cili bazohet dhe firmos mbi “Indicie Publike”. Sigurisht që jam i hapur mbi çdo verifikim timin por jo mbi “Indicie Publike”. Askush më mirë se institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme nuk mund të kthejë përgjigje kërkesës së z. Bardhi dhe cdo personi tjetër të interesuar apo kurioz. Pasi institucioni i ngarkuar nga ligji për të kryer verifikimet e kërkuara të ketë kthyer zyrtarisht përgjigje, nga ana ime do ketë një prononcim publik mbi këtë kërkesë të z.Bardhi të bërë në emër të Partisë Demokratike” tha ai.
Gazment Bardhi u shpreh sot se Pjetri ka detyrimin të shpjegojë pse nuk ka shkelur në Itali 10 vjet me radhë dhe pse e kanë dëbuar nga vendi ku thotë se ka shkuar për studime?
“Ai ka detyrimin të shpjegojë pse nuk ka shkelur në Itali 10 vjet me radhë, pse e kanë dëbuar nga vendi ku thotë se ka shkuar për studime? Bashkë me Valdrin Pjetrin, hesht dhe Edi Rama, që krenohej me të dhe mezi po priste ta përdhoste edhe Shkodrën me pakicën e tij. Këta janë një e keqe që nuk duhet të drejtojnë as Shkodrën, as Shqipërinë” shkruan ai.
g.kosovari