Kompania farmaceutike AstraZeneca ka deklaruar se vaksina e saj është efektive kundër variantit të koronavirusit të zbuluar në Britani.
“AZD1222 përmban materialin gjenetik të proteinës spike dhe ndryshimet në kodin gjenetik të parë në këtë grup të ri viral nuk duket se ndryshojnë strukturën e proteinës së lartpërmendur,” thotë kompania.
Prodhuesi britanik i barnave thekson se janë ende duke u zhvilluar studimet për të hetuar plotësisht ndikimin e mutacionit.
Prodhuesit e ilaçeve po përpiqen të provojnë vaksinat e tyre COVID-19 kundër variantit të ri të virusit që po përhapet me shpejtësi në Britani, sfida e fundit në garën e rrezikshme për të frenuar pandeminë.
“Përmes vaksinimit me AZD1222, sistemi imunitar i trupit është trajnuar të njohë shumë pjesë të ndryshme të proteinës spike, në mënyrë që të mund të eleminojë virusin nëse ekspozohet më vonë,” shtoi përfaqësuesi i AstraZeneca.
Mutacioni i njohur si linja B.1.1.7 mund të jetë deri në 70% më infektues dhe më shqetësues për fëmijët. Kjo ka shkaktuar kaos në Britani, duke nxitur një valë ndalimesh udhëtimi që po prishin tregtinë me Evropën dhe kërcënojnë të izolojnë më tej vendin.
Vaksina AstraZeneca-Oxford konsiderohet jetike për vendet me të ardhura më të ulëta dhe ato në klimë të nxehtë, sepse është më e lirë, më e lehtë për t’u transportuar dhe mund të ruhet për periudha të gjata në temperaturat normale të frigoriferi.
g.kosovari