Në vitet e fundit, ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të vajzave që përfundojnë studimet e larta në krahasim me djemtë.
Kjo tendencë pasqyron përpjekjet e suksesshme për të nxitur pjesëmarrjen e grave në arsim. Raporti i Qendrës së Shërbimeve Arsimore ka kryer një analizë të thelluar për të rinjtë që ndjekin studimet e larta dhe prej saj rezulton se vajzat e regjistruara në universitete kanë mesatare më të larta sesa djemtë.
Nga një panoramë e përgjithshme vihet re se ekselentët përbëjnë vetëm 8.6% të studentëve të regjistruar. Pjesa më e madhe e të rinjve përzgjedhin të ndjekin studimet e larta në universitetet publike.
Konkretisht, për vitin akademik 2024–2025, Universiteti i Tiranës rezulton me numrin më të madh të studentëve të regjistruar, i ndjekur nga Universiteti i Durrësit, me 51 programe studimi.
Katër programet më të kërkuara në rang vendi, ku nuk mbetet asnjë kuotë e lirë, janë: Mjekësia e Përgjithshme, Financë, Infermieria e Përgjithshme, Informatika Ekonomike dhe Informatika nga Universiteti i Tiranës.
Raporti tregon se kërkesa e të rinjve për të vijuar programet e mësuesisë ka rënë ndjeshëm vitet e fundit. Nga 21,547 studentë në total, vetëm 1,408 ndjekin mësuesinë në një nga 65 programet përkatëse.
Prej disa vitesh rezulton se studentët ekselentë i tërheq Mjekësia e Përgjithshme. Në këtë program janë regjistruar 399 studentë me mesatare nga 9.5 deri në 10 absolute. Më pas renditen Inxhinieria Informatike në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Stomatologjia.











