Kishte zgjedhur bregdetin e Durrësit për të kaluar pushimet verore, por vajza nga Maqedonia tenton të hidhet nga kati i tretë i një pallati në zonën e “Shkëmbit të Kavajës”.
Laura Berizol, 27 vjeçe, shkaktoi panik te banorët e zonës me veprimet e saj, pasi kishte hipur mbi një tavolinë dhe gjysmë e zhveshur ka kërcënuar se do të hidhej nga ballkoni.
E reja ndodhej prej 10 ditësh me pushime në bregdetin e Durrësit bashkë me të dashurin e saj, e vendosur në një apartament të blerë nga familja e saj në lagjen numër 13.
Ngjarja, sipas policisë, ka ndodhur rreth orës 05:00 të së premtes, ku kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar për ngjarjen.
Në fotografitë e fiksuara nga fqinjët e pallatit ku qëndronte vajza, ajo duket e zhveshur nga mesi e sipër, ndërsa ka hipur mbi tavolinën e ballkonit duke kërcënuar se do të vetëhidhej.
Banorët e zonës, pasi kanë dëgjuar kërcënimet e 27-vjeçares për t’u vetëflijuar, kanë lajmëruar policinë, e cila ka ndërhyrë në kohë duke shmangur tragjedinë. Efektivët e policisë kanë arritur që ta qetësojnë vajzën, e cila mësohet se kishte qenë nën shoqërinë e të dashurit të saj italian, të cilin e kanë shoqëruar në komisariat.
Gjatë marrjes në pyetje, policia ka pikasur se vajza vuante nga probleme mendore dhe të vetmet fjalë që shqiptonte ishin: “Askush nuk më do mua”. Ndërsa i dashuri i saj italian ka pohuar se ishin njohur pak kohë më parë dhe po kalonin pushimet se bashku në apartamentin e saj te “Shkëmbi i Kavajës”.