Në ceremoninë e përkujtimit të 7-vjetorit të 21 janarit 2011, vajza e Ziver Veizit, Ana Veizi ka kërkuar drejtësi për babain e saj, i cili u vra në protestën e opozitës përpara Kryeministrisë.
Në një kohë kur asnjë prej zinxhirit komandues të Gardës së Republikës dhe efektivëve të “Grupit të Zjarrit” nuk është dënuar, Ana Veizi kërkon nxjerrjen përpara ligjit nga drejtësia e re të urdhëruesve dhe vrasësve të babait të saj dhe 3 protestuesve të tjerë.
“Historia ka mësuar se popujt në vite besojnë tek drejtësia. Nuk kisha mundësi të shkruaja një letër më herët, por them se besoj tek drejtësia për vdekjen e babait tim. Besojmë tek reforma në drejtësi. Drejtësia e re të na japë mundësinë e hapjes së dosjes së 21 janarit, ku të ndëshkohen urdhëruesit dhe vrasësit” u shpreh Ana Veizi, vajza e Ziver Veizit.
Në 7 vjetorin e të premtes tragjike të 21 janarit 2011, kryeministri Edi Rama priti në Kryeministri familjarë dhe të afërm të viktimave.
Kreu i qeverisë theksoi se drejtësia dështoi të bëjë drejtësi për këtë ngjarje të rëndë autorët e të cilës janë ende të padënuar dhe ngjarja mbetet e pazbardhur.