Roger Federer është eliminuar nga grand slami i fundit për këtë vit, US Open, në rundin e katërt, në mënyrën më tronditëse të mundshme, pasi u mposht nga numri 55 i botës, australiani John Millman.
37-vjeçari zviceran – që për prioritet e kishte fitimin e titullit të gjashtë në “Flushing Meadoës”, u mund në katër sete 3-6, 7-5, 7-6 (9-7), 7-6 (7-3), në një meç që zgjati tri orë e 35 minuta, transmeton Express.
Kjo ishte hera e parë që Federer humbi nga një tenist i renditur jashtë top 50 në US Open.
Tani, Millman do të luajë kundër dy herë kampionit, Novak Djokovic, në çerekfinalen e tij të parë të mërkurën.Federer, që zakonisht është shumë i qetë dhe nën kontroll të vetes, ishte nervoz dhe i hutuar gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes duke u ankuar për zhurmë të tepërt nga turma dhe u shfaq tejet i zëshëm në disa momente të tensionuara.
Roger pati 77 unforced erros [gabime të panatyrshme], 10 gabime të dyfishta në shërbim.
“Ishte nxehtë dhe një nga ato net që ndieja sikur s’po thithja ajër mjaftueshëm. Vuajta në këto kushte dhe kjo ishte hera e parë që më ndodh”, tha Federer.
“U djersita terë kohën dhe humba energji. Në një moment, u lumturova që ndeshja mbaroi”, shtoi ai, përgatiti ”Gazeta Express”. (b.an)