Nga Ardian Ndreca
Deri tashti Edi Rama nuk ka mbërrijtë me i dhanë udhë, prej pozitës dhe prerogativave që ka, çeshtjes së reformës në drejtësi, jo pse i ka mungue vullneti, por pse shpeshherë politika asht arti i përllogaritjeve që lakohet me pritje, pikëpyetje, shejtanlleqe, kokorisje, matje-shmatje.
Kanceri i shoqnise sonë asht nji sistem i tanë që ka ra në dorën e dhjetra e dhjetra gjykatësve e prokurorëve që e kanë shndrrue drejtësinë shqiptare në nji prostitutë, tutorë të së cilës janë ata që do të duhej të tutelonin ligjin.
Para tri vjetësh në lamtumirën e tyne jo të përmallshme, ndërsa po dorëzonin detyrën në Tiranë, ambasadori danez Karsten Jensen dhe ai hollandez Henk van den Dool, patën folë haptas për plagët e randa të sistemit shqiptar, tue u ndalë sidomos tek gjyqsori. Pak kohë mbas tyne i erdhi rradha ambasadorit Florian Raunig që nuk i kurseu kritikat e ashpra edhe në bisedat e tija me kreun e shtetit. Ndërsa para pak ditësh qe rradha e ambasadorit britanik Nicholas Cannon, që në mënyrë të drejtpërdrejtë tregoi me gisht kastën e korruptueme të sistemit të drejtësisë që po mban peng andrrën e shqiptarëve me u integrue në Europë. Mbas kësaj deklarate u ba publik raporti i DASH për vitin 2014, ku nënvizohej po e njejta gja.
Të gjithë e dinë gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet drejtësia jonë, përveç atyne që do të duhej ta dinin, madje ai të cilin kushtetuta e ngarkon me përgjegjësi madhore, jo vetëm që nuk ka lëvizë por ka afrue njerëz që në nji shtet normal do të duhet të ishin jo në KLD apo në instanca tjera, por në burg.
Kujtojmë sesi para dy dekadash aradhës së prokurorëve me xhybet e daluna bojet që ua kishte besue Aranit Çela, iu bashkuen do kunguj të mbushun me dije të marruna në nji kurs të improvizuem te Plepat në Durrës, e këtyne hap mbas hapit iu bashkangjit edhe nji tubë grabitçarësh të rinj, do maçokë sygaca që treguen se janë të zotët mos me lanë me ra gja në tokë. Me drejtësinë shqiptare ndodhi fenomeni i regresit konvergent: elementa me prejardhje të ndryshme u fundosën së bashkut në kufijt ekstrem të kopuksisë njerzore.
Ish komunistave iu bashkuen ish të persekutuemit, qytetarëve katundarët, atyne që kishin mbërrijtë diku falë akraballekut ata që ishin pa plang pa shtëpi, atyne që deri dje kishin thithë cicat e vyshkuna të nanës parti iu afruen ata që kishin qenë të detyruem me ngjye kafshatën në shllinë, kaprroça e keqota, huta e kaçubeta u lëshuen mbi atë që do ta trajtonin si stërvinë për t’u rrjepë, drejtësinë shqiptare.
Edhe plepat e famshëm që i banin hije asaj palo shkollës së Durrësit po të kishin vu me gjykue në mehqemet tona në këto dekada, do ta kishin fye ma pak drejtësinë dhe sensin e parahershëm të saj, që besohet se ekziston disi tek çdo njeri.
Paret e horrave që kanë kapë peng drejtësinë shqiptare burojnë prej tonelatave të drogës që helmojnë jetë njerzish anekand Europës, prej prostitucionit dhe dhunës që ushtrohet ndaj femnave nga banditët shqiptarë, prej vrasësve me pagesë, prej gjakmarrjes, prej shkatrrimit të mjedisit, prej hajdutëve dhe të korruptuemve, ato janë paret ma të ndyta që ekzistojnë, mbasi marrja e tyne ka flijue shpresën e vetme që mban gjallë ekzistencën e nji bashkësije qytetare me ideale politike.
Ligji themeltar parashikon nji organ kushtetues, që asht presidenti i Republikës, i cili institucionalisht do të duhej të kishte luejt nji rol të randësishëm si kryetar i KLD-së.
Kam qenë ndër të parët që kanë pohue, dhe ketë të vërtetë e kam “pague” me vetëdije të plotë, se ky individ nuk mund ta mbulonte at’ rol që Sali Berisha, përbuzësi dhe shkatrruesi ma i madh i rendit kushtetues, ia ka besue personalisht. Ma poshtë se kaq nuk kishim ra as në kohën e Haxhi Lleshit.
Nuancat e veprimit të tij thellësisht të politizuem, si me musteqe si pa musteqe, si bendenyz si defterdar, luhaten nga qesharakja tek e neveritshmja, ndërsa efektet e veprimit të tij janë vijimsisht antikushtetuese.
Mosveprimi përpara shkeljeve të hapta nga ana njerzve të ligjit, justifikimet prej mendjengathti, kartolinat me kamiona e makarona për vitin e ri, ngatërrimi i Krishtlindjeve me Pashkët, pjesmarrja në kremtimin pretekstual të betejës së Dardaneleve dhe për pasojë rreshtimi i vendit tonë në vendet që heshtën turpshëm përpara genocidit armen, heqja e bustit të Gjergj Kastriotit si edhe veprat tjera të padenja që ia lejon me ba “protokolli” i tij familjar dhe spesori i padukshëm moral që ka, kanë tregue se kjo figurë qesharake asht çnderimi ma i madh që nji individ si Berisha mund t’i bante Republikës së katërt shqiptare.
Sot presidenti po pengon haptas edhe hapat ma të brishtë të reformës në drejtesi, ndërsa KLD-ja asht kthye në nji gjeth fikut për me mbulue mëkatet e kastës ma të rrezikshme për sistemin demokratik shqiptar.
Funksionet janë të ndame dhe në shikim të parë kreu i mazhorancës nuk mund të bajnë gjithçka. Deri diku kjo asht e vërtetë, por kreu i kësaj mazhorance ka marrë njimilion vota nga ata që përbajnë nji prej organeve kushtetuese, dhe vullneti i tyne për ndryshim nuk mund të vonohet ma prej interesave politike të çastit.
Mungesa e nji reforme në drejtësi në gati dy vjet qeverisje asht minusi ma i madh i qeverisë Rama, mbrenda së cilës, e kemi krejt të qartë, ka forca që nuk duen as me ia ndie emnin “drejtësisë”.
Megjithatë, nëse Edi Rama don me rehabilitue emnin e vendit që drejton, duhet të realizojë sa ma parë reformën në fjalë, tue sprastue sistemin prej rriqnave që po ia pijnë gjakun shqiptarëve dhe janë shndërrue në kobin ma të madh të kohës që jetojmë. Asht krejt e kuptueshme që kjo kastë dhe ata që mbrohen prej saj, sapo të ndiejnë rrezikun kanë me lëshue piskamen, mediat e tyne kanë me shungullue, madje edhe tytat ndoshta kanë me derdhë plumb. Ezopi thotë se tiranët, keqbasit, hajdutat, vrasësit janë si derrat, që sapo t’i prekish vrrasin në kupë të qiellës, pse e dijnë se nuk kanë as qumësht, as lesh, apo gja tjetër të mirë çka me i dhanë njeriut dhe e parandiejnë fundin sapo dikush i prek.
Asht e qartë pra se rruga asht e zanun, nga e majta në të djathtë, prej të korruptuemish, kriminelash, hajdutash dhe qenjesh të pavullnetshme siç asht ai që ban hije kot në maje të KLD-së, por ky fakt s’mund të krijojë ma gjatë nji alibi për me shty reformën në drejtësi, aq shumë të kërkueme prej aleatëve, strukturave ku jemi të integruem dhe atyne ku aspirojmë me u integrue në të ardhmen.









