Kam marrë disa mesazhe nga miq e të njohur ku më kërkojnë këshillë për regjistrimin në universitete. Po e bëj këshillën publike: në shkencat sociale zgjedhje racionale janë studimet politike; zgjedhje ideale në bachelor është: – studime politike + studimet ekonomike/juridike. Sistemi ynë arsimor nuk e lejon këtë, por mund të realizohet përmes studimeve paralele. Për studime të avancuara zgjidhja mbetet larg ofertave shqiptare, sa më në Perëndim.
Unë i përkas emrave të parë që kryen studime të avancuara në fushën e studimeve politike, dhe natyrisht i përkas edhe të papunëve të parë me diplomë të tillë kur u ktheva në Shqipëri. Rreth viteve 2000-2002 shoqëria gabimisht mendonte se politika studiohet & realizohet nga politikanët, më pas gjërat ndryshuan. Sot, kolegë si unë kanë oferta të pafund pune dhe janë në kërkim të ekspertëve të rinj për të vijuar punën në një nga profesionet më të reja, më të mira, më energjike dhe më me natyrë krijuese e profesionale. Shteti ynë ka pasur dhe ka nevojë për administratorë politikë, partitë kanë nevojë për ide novatore, qytetarët kanë nevojë për alternativa dhe ekspertizë, publiku ka nevojë për zëra profesionalë dhe shumëllojshmëri zgjidhjesh, biznesi ka nevojë për këshilltarë ekspertë në vendimmarrje e konkurrence, bota universitare e shkollore ka nevojë për më shumë formim në kulturë demokratike!
Në fund të fundit, ky vend mund të ketë ose të mos ketë përjetësisht fasonë e ndërtues betoni, desing apo shkolla të avancuara arti, por ka pasur, ka dhe do ketë vendimmarrje, politikë e zgjedhje, ligje e Kushtetutë, ekonomi dhe administrim, – dhe për një politikë/qeverisje të mirë, duhen ekspertë e profesionistë më të mirë, duhet konkurrencë cilësore, duhet ide novatore. Studimet në shkencat politike janë hapi i parë formal drejt këtij synimi, shumë hapa të tjera do të duhen gjatë dhe sidomos pas studimeve 3 vjeçare!
Miti që të bëhesh politika duhet të kesh studiuar shkencat politike apo anasjelltas, të studiosh shkencat politike bëhesh politikan, – është i gabuar, i zmadhuar dhe i dëmshëm. Janë dy gjëra të ndryshme. Ata që zgjedhin rrugën më të shkurtër, – pranimin e ofertave korruptive të partive klienteliste, imitimin shabllon të liderëve politikë apo bërjen e spikerit të radhës në lumin e sharjeve televizive apo në konferenca shtypi ndaj Tjetrit, – janë modeli sesi nuk duhet të jeni. Politika është diçka shumë serioze. Politikanë mund të quhet cilido, përfshirë militantët, bosët e betonit dhe të botës së inkriminuar, nga ata që kemi me shumicë në parlament, parti politike dhe në administrata, – por në fund të ditës, numri i politikanëve në kritere klasike është e mbetet minimal, më pak se 10 gishtat e dorës. Për më tepër, studiues i politikës nuk mund të jetë secili prej atyre që gjen një vend ku mund të fjalë, në kafene apo studio televizive, por mund të bëhet vetëm një pakicë, ajo që e sheh politikën si shkencë, si evolucion e zhvillim, nga e djeshme, e sotmja dhe sidomos me sytë e të ardhmes, si një mekanizëm dhe mjet unik që mund të ndryshojë për mirë të ardhmen tonë.
Tabela ilustruese analizon të diplomuarit në shkencat politike në UT përgjatë viteve. Trishtueshëm ajo tregon se vetëm një pakicë punon në profesion. Numri i atyre në call center është shumë herë më i lartë. Në fakt, analiza e tabelës dhe e të dhënave tregoi diçka më shumë, – se programet e lendeve përgjatë 10-14 viteve kanë ndryshuar aq shumë, është eksperimentuar aq shumë, sa duket sikur kemi të bëjmë jo me breza të ndryshëm të së njëjtës degë, por me degë të ndryshme! Eksperimentet kanë sens në faza fillestare, kryesisht nga mosdija apo trendi emocional, – sot jemi në rrethana të tjera. Ofertat e studimeve përfshijnë programe të detajuara, staf akademik, sistem dijesh dhe praktike, konkurrencë cilësore dhe inkurajon kalimin nga mësimdhënia në kërkimin shkencor. Kjo, të paktën sipas letrave, sipas ligjeve, pavarësisht se në praktikë pretendime të tilla duhen utopike.
Fëmijës tim dhe fëmijës së miqve e të njohurve të mi nuk do doja t’i rekomandoja në asnjë rast një universitet ku diploma nuk ka vlerë, ku imazhi është negativ, një degë studimi pa të ardhme dhe pa potencial profesional, ashtu edhe një staf akademik që nuk ka arritur të botojë asgjë profesionale në jetën e tij akademike. Minimalisht kush kërkon të drejtojë në auditor duhet të ketë një libër, studim apo punim cilësor akademik, – pra një tregues se është një hap përpara studentit të ulur përballë. Statistikat tregojnë se ka lista të gjata botimesh, por të gjithë e dimë se ato profesionale, pa plagjiatura dhe me risi……numërohen me gishtat e dorës. Janë pak, dhe sidomos në fushën e studimeve politike janë shumë me pak sesa në sektorë të tjerë të shkencave sociale. Falë hapjes dhe globalizimit sot mund të marrim autorë të huaj dhe të kompensojmë mungesat, edhe kjo vetëm nëse përkthimi është cilësor, nëse botimi është koherent dhe nëse ka një lidhje midis tij dhe programit mësimor.
Nuk janë ndërtesat e bukura, ofertat argëtuese apo çmimet “konkurruese” që duhet të tërheqin studentët e rinj; universiteti e dija nuk mund të jetë treg i rëndomtë ofertash, duhet të jetë qendër konkurruese mbi ide, burime e standarde. Duken detaje, por gjermanët kanë një shprehje, “në detaje fshihet djalli” dhe ndaj shpeshherë detajet bëjnë diferencën. Ndaj në përzgjedhje të tilla “të vogla” është sekreti, – ata që duan shkenca politike le të kërkojnë më thellë sesa emrin e universitetit apo look-u i tij, – të shohin programet dhe përmbajtjen, stafin dhe botimet, bilancin e deritanishëm dhe shanset e punësimit, nivelin kërkimor dhe të kualifikimit të mëtejshëm!
Për mua mbetet bindje fakti se ne nuk kemi nevoje të krijojmë me shumicë filozofë apo studiues të politikes së jashtme të SHBA e BE, por para së gjithash ne kemi shumë nevojë të krijojmë një brez të rinjsh të aftë të njohin politikat rajonale, administrimin politik, sistemet politike, legjislacionin dhe kulturën politike, sjelljen zgjedhore, marketingun dhe idetë e mëdha politike të kohës! Dhe pasi ti njohin në teori e praktikë, të jenë në gjendje të ofrojnë zgjidhje apo ide për secilën prej tyre. Shkencat politike nuk janë modeli i atij që jep përgjigje për gjithçka, bën çdo punë që i ofrojnë, por është degë elite, sfidë e vështirë por shumë e bukur, sepse është degë e ideve, e kreativitetit, dhe mbi të gjitha është atribut i një pakice dhe aftësisë së saj për të ndryshuar pozitivisht shumicën!