Nga Eljanos Kasaj*
“ Uniteti Sllovako-Hungarez si fortesa e fundit sot e konservatorizmit dhe vlerave evropiane”
Gjatë festimeve jubilare të 130-vjetorit të Urës Maria Valeria që lidh Esztergomin (Hungaria veriore) dhe Štúrovon (Párkány, Sllovaki), kryeministri sllovak Robert Fico theksoi rëndësinë e bashkëpunimit sllovako-hungarez, duke hedhur poshtë përpjekjet e jashtme për të mbjellë përçarje midis udhëheqësve dhe qeverive të të dy kombeve vëllezër.
“Shumë do të donin të shihnin konflikt midis kryeministrave të Sllovakisë dhe Hungarisë, por që nga takimi ynë i parë, ne u angazhuam për forcimin e marrëdhënieve sllovako-hungareze”, tha kryeministri Fico, duke qëndruar krah për krah me kryeministrin hungarez Viktor Orbán.
Robert Fico u përafrua me pikëpamjet e Viktor Orbán mbi sovranitetin kombëtar, veçanërisht përballë asaj që të dy e shohin si presion të tepruar prej instancave burokratike të Brukselit në punët e brendëshme të vendeve antare të Unionit. Ai e përshkroi sovranitetin kombëtar si përgjigjen e vetme të qëndrueshme ndaj sulmeve të jashtme dhe theksoi se ai duhet të jetë një parim udhëzues për çdo politikan që vepron në interesin kombëtar.

Udhëheqësi sllovak foli gjithashtu për ndryshimet e fundit kushtetuese në Sllovaki, të cilat tani e përcaktojnë martesën në mënyrë strikte si një bashkim midis një burri dhe një gruaje, dhe njohin ligjërisht vetëm dy gjini – mashkullore dhe femërore. Ai këmbënguli se këto masa pasqyrojnë atë që ai e quajti “vlera normale” dhe një dëshirë për të mbrojtur fëmijët nga ndikimi ideologjik, duke deklaruar:”Ne nuk duam që ideologë gjysmë të çmendur t’u shpëlajnë trurin fëmijëve tanë!” Vlen të theksohet se pasi qeveria konservatore e kryeministrit Orbán ndryshoi kushtetutën hungareze duke ligjëruar se ekzistojnë vetëm dy gjini, mashkull dhe femër, Sllovakia gjithashtu ka votuar për të ndjekur të njëjtën rrugë.Në një votim të ngushtë në parlamentin sllovak, deputetët sllovakë kanë arritur numrin e mjaftueshëm të votave për të çuar përpara ndryshimin kushtetues.
Një theks të veçant gjithashtu mori një parim të ri kushtetues që i jep përparësi ligjit kombëtar sllovak mbi të drejtën ndërkombëtare në çështjet etike, morale dhe kombëtare – diçka që ai e quajti zhvillimi më i rëndësishëm ligjor i viteve të fundit dhe që zyrtarisht i jep fund legalisht ndërhyrjeve të Brukselit mbi çështjet kombëtare të popullit sllovak, i cili tashmë do të njohë vetëm autoritetin e organeve ligjvënëse dhe ligjzbatuese të zgjedhura drejtpërdrejt prej tij.
Në të njëjtën kohë kryeministri sllovak thirrje për koordinim më të ngushtë në fusha të tilla si siguria energjetike, duke paralajmëruar kundër përpjekjeve të BE-së për të prerë lidhjet me naftën dhe gazin rus:”“Askush nuk duhet të diktojë se nga e merr një vend naftën dhe gazin e tij”, tha ai, duke e quajtur shtytjen e BE-së për pavarësi të plotë nga energjia ruse “të dëmshme jo vetëm për Sllovakinë dhe Hungarinë, por për të gjithë Evropën”, ekonomia e së cilës sot është gjynjëzuar plotësisht përpara dinamizmit të ekonomisë kineze,ruse,vietnameze,etj.
Lidhur me konfliktin e armatosur në Ukrainë, Kryeministri Fico vuri në dukje se në të gjithë Bashkimin Evropian sot, vetëm dy kryeministra mbështesin vazhdimisht dialogun dhe avokatojnë sot për paqen:”Dhe njëri prej tyre është sigurisht Viktor Orbán.”
Kryeministri Fico shprehu gjithashtu mbështetje të fortë për qëndrimin e Orbán-it ndaj migracionit të paligjshëm, duke e lavdëruar udhëheqësin hungarez për mbrojtjen e kufijve të vendit edhe përballë kritikave nga Brukseli:”Në vend që ta falënderojë, Brukseli e sulmon dhe e poshtëron,”tha ai-“Ne duhet të hedhim poshtë kuotat e migrantëve dhe të vazhdojmë luftën kundër emigracionit të paligjshëm.”
Robert Fico e përfundoi fjalimin e tij me një mesazh shpresëdhënës, duke shprehur dëshirën për të siguruar fonde për ndërtimin e një ure të re përgjatë Urës ekzistuese Maria Valeria, duke premtuar se “ajo do të ketë nevojë vetëm për riparime – kurrë më shkatërrim”.
Ndërsa Kryeministri Orbán, gjatë fjalës së tij në ceremoni, vlerësoi rëndësinë simbolike, historike dhe praktike të urës që lidh Esztergomin me Párkány-n (Štúrovo).
“Kjo është hera ime e tretë që mbaj një fjalim në këtë urë”, tha kryeministri, duke kujtuar momentet historike të viteve 2001 dhe 2021. “Por kurrë më parë nuk kam mundur të qëndroj këtu me Robert Ficon”, shtoi ai, duke e quajtur homologun e tij sllovak “të palëkundur dhe të pathyeshëm”, me një aftësi unike për të rivendosur rendin në politikën sllovake. Kryeministri Orbán gjithashtu përgëzoi Kryeministrin Fico për ndryshimet e fundit kushtetuese, duke vënë në dukje me humor se Sllovakia tani kishte sanksionuar barazinë e burrave dhe grave në dokumentin e saj themelues – diçka, tha ai me shaka, që burrat hungarezë e kanë mbrojtur prej kohësh.
Ndërsa duke iu referuar historisë së urës, Kryeministri Orbán theksoi shkatërrimin e saj në të dy Luftërat Botërore, duke theksuar se as hungarezët dhe as sllovakët nuk kërkuan konflikt, megjithatë të dy u përfshinë në luftëra të nxitura nga interesa imperiale. “Ura na mëson se nuk duam të përsërisim gabimet e së kaluarës”, deklaroi ai, duke riafirmuar angazhimin e Hungarisë për paqe dhe dialog në kuadër të konfliktit të armatosur në Ukrainë.

Kryeministri Orbán kritikoj gjithashtu ashpër tendencat e politikës aktuale evropiane, duke pretenduar se ashtu si perandoritë e vjetra dikur i çonin kombet në luftë, “Brukseli tani është bërë një projekt lufte”. Ai paralajmëroi se qasja e Bashkimit Evropian – veçanërisht vizioni i saj për të mposhtur Rusinë në frontin lindor – rrezikon të përsërisë gabimet katastrofike të së kaluarës. “Ne hungarezët nuk e duam këtë, megjithatë ata duan të na detyrojnë ta bëjmë këtë”, tha ai, duke e krahasuar situatën me regjimet autoritare të së kaluarës të maskuara me gjuhën e paqes.
Fjalimi mori një ton edhe më të ashpër ndërsa kryeministri hungarez aludoi në përpjekjet për destabilizim politik në Evropën Qendrore-aludim ky për protestat anti-qeveritare të kohëve të fundit në Sllovaki, të cilat morën një mbështetje të paprecedente nga instancat burokratike të Brukselit. Ai përshkroi një formë të re agresioni, jo vetëm kundër qeverive, por edhe kundër qytetarëve dhe klerit, duke pohuar se “ata janë të gjithë njerëz të Brukselit” që veprojnë nën maskën e opozitës politike.
Megjithatë, Kryeministri Orbán përfundoi gjithashtu fjalimin me një notë solidariteti me atë të kryeministrit sllovak, ku pohoi dëshirën e Hungarisë për të punuar së bashku me Sllovakinë për të parandaluar shkatërrimet e ardhshme dhe madje propozoi ndërtimin e një ure të dytë – këtë herë, një urë mallrash – midis Esztergom dhe Párkány Štúrovo. Përgatitjet tashmë janë duke u zhvilluar, tha ai plot optimizëm, me planet në tryezë dhe fondet që do të aranzhohen mbi këtë projekt.
“Duam të sigurohemi që nuk do të na duhet kurrë më ta rindërtojmë këtë urë”, përfundoi kryeministri Orbán. “Le ta ndërtojmë së bashku. Dhe takohemi përsëri në përurimin e urës tjetër.”
Mbi Urën Mária Valéria
E emëruar sipas Arkidukeshës Mária Valéria, vajzës më të vogël të Perandorit Franz Jozef I dhe Perandoreshës Elizabet(Sissi), ura u përurua fillimisht më 28 shtator 1895. U shkatërrua dy herë: së pari në vitin 1919, nga forcat çekosllovake dhe përsëri në vitin 1944, nga trupat gjermane të Wermacht-it që po tërhiqeshin pas disfatës në tokën sovjetike.

Rindërtimi nuk filloi për dekada të tëra dhe ura shpesh quhej në nivel lokal “ura e cunguar”. Një marrëveshje e përbashkët sllovako-hungareze çoi më në fund në rindërtimin e saj dhe ajo u rihap zyrtarisht më 11 tetor 2001 nga kryeministrat e atëhershëm Mikuláš Dzurinda dhe Viktor Orbán, së bashku me Komisionerin e Zgjerimit të BE-së Günter Verheugen.
130-vjetori u festua me një festival tre-ditor në të dy qytetet, në nder të një ure që vazhdon të shërbejë jo vetëm si një lidhje jetësore infrastrukturore, por edhe si një monument i gjallë i pajtimit, identitetit rajonal dhe një të ardhmeje të përbashkët.
*Fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Wroclaw (Uniwersytet Wrocławski), Poloni










