Në ditën e 49-të të protestës banorët e “Unazës së Re” të veshur me jelekë portokalli kanë bllokuar sërish rrugën. Në mbështetje të banorëve ka shkuar edhe kryetari i PD, Lulzim Basha si dhe deputetë të tjerë të opozitës. Basha denoncoi sërish për një aferë 60 milionë euro, duke shtuar se plani i zonës së “Astirit” u devijua për të mbrojtur kompleksin e Edmond Begos, një biznesmen i akuzuar për trafik droge që sipas demokratëve ka miqësi me Taulant Ballën. Ndryshimi i projektit, tha Basha, bëri që të preken banesat e qytetarëve. Basha shkoi edhe më tej kur deklaroi se kryeministri Edi Rama do mbajë përgjegjësi ligjore, ndërsa paralajmëroi se kur PD të vijë në pushtet do anulojë koncesionet.
“Një gjë është e sigurt, afera e Unazës ka vënë në lëvizje edhe drejtësinë amerikane. Një gjë tjetër është e sigurt që kjo aferë nuk mund të ndodhte me vendimin e vetëm Afrim Qendros, as me vetëm vendimin e Damian Gjiknurit. Kjo mund të ndodhë vetëm me investimin e një njeriu, që të gjithë shqiptarët e dinë. Edi Rama do mbajë përgjegjësi para ligjit, koncesionet do anulohen dhe paratë do t’u kthehen shqiptarëve”, tha Basha./a.meta