Nga Lorenc Vangjeli
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers u shndërrua në një pasqyrë magjike për Shqipërinë e shqiptarët. Ai foli gjatë në një intervistë për Monika Stafën e Top Channel-it duke thënë në fakt ato çfarë do të donte të dëgjonte cilido shqiptar i zakonshëm nga gjuha e gjaku. Ka ndodhur shumë rrallë që një i huaj në kohët moderne të flasë për Shqipërinë dhe shqiptarët me ato tone të mrekullueshme, gati – gati patetike dhe me stilin e Rilindësve të djeshëm, kur më shumë se një shekull më parë, donin të rilindnin vetëdijen kombëtare të vendit që ishte nën pushtimin otoman. Diçka mes Bajronit romantik apo Durhamit të lidhur me dashuri gjithashtu romantike me një vend të panjohur. Një vend që ndodhej në paradhomën e Evropës, por që ngjante si një fosile e ngrirë e të shkuarës. Diçka mes dëshirës së Sami Frashërit dhe thirrjes për bashkim të Pashko Vasës, të dy shqiptarë që jetonin gjithsesi jashtë Shqipërisë.
Për një shqiptar të sotëm, të kohës moderne, nga gjuha, gjaku e historia as nuk bëhet fjalë të nxjerrë nga goja, shpirti apo dhe interesi ato fjalë. Sepse pothuaj të gjithë, nën pushtetin e pesimizmit, deri dhe ata që votojnë gjithmonë pro buxheteve të djathtë apo të majtë, mendojnë se ky vend nuk bëhet, se armiku më i madh i shqiptarëve janë shqiptarët, se edhe dielli këtej lind në mënyrë të ndryshme nga Perëndimi i tij i begatë e kështu me rradhë. Pak a shumë një gjë të tillë thoshte një shkrim dramatik, botuar javën e shkuar në Huffington Post, me autor Jaime Pozuelo-Monfort. Një tjetër pasqyrë dëshpërimi, ndoshta realiste, prozaike, e ashpër dhe e dhembshme që autori prodhoi për të dëshmuar të tashmen që kalon vendi duke u nisur dhe nga e shkuara e afërt e tij.
Ish-ambasadori Uidhers zgjodhi të fliste për besimin përballë zhgënjimit, për mundësinë e suksesit po për ato arsye, që të përmbysura në të kundërtën e tyre, kanë prodhuar rregullisht dështim, dramë e dëshpërim.
Ish-ambasadori amerikan thoshte pak a shumë se “…shqiptarët janë popull i veçantë”. Një shprehje që në fakt, në të gjitha gjuhët e botës, bindjet, besimet, por dhe kontrastet nga një popull tek tjetri përkthehet me shprehjen “popull i zgjedhur”. Një gjë të tillë e besojnë dhe e kanë bindje edhe gjermanët, edhe amerikanët, kinezët, rusët; e kanë të ngulitur fort në ndërgjegjë izraelitët e arabët, turqit e kurdët, gjithë evropianët e tjerë pa përjashtim e po kështu edhe në Azi, Afrikë, dy Amerikat në veri dhe në jug, Australi e kudo gjetkë, pavarësisht gjuhës apo kombësisë, mendojnë të njëjtën gjë. Dje dhe sot. Edhe nesër do të jetë njësoj. Eshtë kështu sepse nuk mund të jetë ndryshe. Eshtë kështu sepse është njerëzore të jetë kështu! Shpesh bindja e të qenurit i “zgjedhur dhe i veçantë” ka shkaktuar tragjedi për kombin që e ka besuar verbërisht një gjë të tillë. Ka bërë të njëjtën gjë edhe për popuj të tjerë që i janë nënshtruar me forcë zgjedhjes së detyruar që i kanë afruar të tjerët: je i zgjedhur për të shërbyer! Kjo mënyrë ishte gota gjysëm e zbrazur që shkaktonte furtuna.
Shpesh ka ndodhur edhe e kundërta; që ky besim e bindje ka sjellë zhvillim e sukses për kombin dhe kjo ka qenë mënyra e të parit të gotës gjysëm të mbushur. Gjithë historia njerëzore është ndërtuar dhe ngritur mbi këto themele. Edhe historia shqiptare nuk bën përjashtim.
Xhon Uidhers është një mik i mirë i Shqipërisë ose edhe thjesht një njeri i dashuruar me këtë vend dhe që di ta shprehë bukur këtë dashuri. I vënë përballë skepticizmit të zakontë në Tiranë në veçanti, si në gjithë Ballkanin që është skeptik në përgjithësi, Uidhers thotë çfarë secili nga shqiptarët që e do këtë vend, do të donte të dëgjonte. Edhe ata që rrinë këtu me shpresë, edhe ata që ikin pa shpresë nga ky vend. Të dy palët do ta dëgjonin me dëshirë. Edhe sikur Uidhers të gënjente apo dhe të ishte i gënjyer në perceptimin e tij për Shqipërinë, sërish do të ishte një gjë mjaft e mirë. Sepse krijon një model që duhet ndjekur. Një pasqyrë magjike që e bën zhgënjimin shpresë dhe shpresën mundësi reale të munguar në të sotmen, por të pritshme në të ardhmen.
Ka një eksperiment që shpjegon disa sjellje njerëzore. Ndoshta edhe qëndrimin e mrekullueshëm të ish-ambasadorit amerikan apo dhe vështrimin e trishtuar mbi Shqipërinë dhe për shqiptarët modernë të një gazetari. Ky është eksperimenti me bretkocën dhe ujin. Në rastin e parë një bretkocë hidhet në një enë me ujë që nxehet gradualisht. Bretkoca nuk kupton se çfarë ndodh dhe ngordh në ujin e valuar. E njëjta bretkocë, në rastin e dytë, nëse do të hidhej në një enë me ujë të nxehtë, do të dilte me ngut jashtë dhe do të shpëtonte. Se cili do të ishte rasti shqiptar, kjo është një dilemë me shumë të vërteta sepse edhe sjelljet njerëzore i ngjajnë shpesh sjelljeve instiktive të një kafshe që është në hallkat e fundit të zinxhirit të evolucionit. Secili mund të zgjedhë të vërtetën e tij. Sipas dëshirës. Sipas bindjes vetjake. Sipas besimin politik. Njeriu që shpesh është fat i zotit të tij edhe kur e jep atë me “qera” njëherë në katër vjet për t’u qeverisur nga të tjerë, është hallka e parë dhe më e epërme e zinxhirit të evolucionit. Aq më tepër kur është shqiptar nga gjaku, gjuha e historia dhe që ka njohur edhe për shkak të kombësisë, shumë vonesa historike dhe që sipas ish-ambasadorit Uidhers, është pjestar i një populli të zgjedhur. Që së paku duhet të zgjedhë fatin e tij. Qoftë dhe për t’i dhënë të drejtë këtij amerikani të mirë, që edhe nëse gënjen apo është i gënjyer në fjalët e mira që thotë, është i lutur ta bëjë sërish. Mund të ndodhë që herët a vonë të ketë përkitje mes pamjes reale dhe asaj që dëshmon një pasqyrë magjike.









