• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, March 4, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

Tanket ruse hynë në Ukrainën Lindore, udhëheqësi rus mohoi ekzistencën e Ukrainës. A do të ndalen aty?

by Java News
22/02/2022 22:56
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Tanket ruse hynë në errësirë në Ukrainën lindore pa gdhirë dita e martë, duke pretenduar se janë në një mision paqeruajtës dhe me qëllimin për të mbrojtur dy republikat e vetëshpallura, të cilave Moska u dha formë tetë vite më parë dhe që tashmë i njohu si shtete të pavarura.

Por, pas një fjalimi luftarak që zgjati 56 minuta, gjatë të cilit udhëheqësi rus mohoi edhe vetë ekzistencën e një vendi të quajtur Ukrainë, pak njerëz në Kiev kishin ndonjë dyshim se autokolonat e tankeve herët apo vonë do të shkojnë përtej rajonit Donbas të Ukrainës dhe se vendimi i zotit Putin për të njohur pavarësinë e republikave separatiste të Donjetskut dhe Luhanskut ishte vetëm parathënia e një aksioni më të gjerë ushtarak. Në traktatet e miqësisë që zoti Putin nënshkroi me republikat separatiste, Moska angazhohet se do të mbrojë kufijtë e tyre.

Zyrtarët e Kremlinit nuk dëshiruan të qartësonin të martën se ku fillojnë dhe ku mbarojnë kufijtë e republikave separatiste, apo nëse territori i tyre përfshin të gjithë rajonin e Donjetskut dhe Luhanskut apo vetëm territorin që ato mbajnë aktualisht nën kontroll ushtarak, që në realitet është më pak se gjysma e rajonit të Donbasit. I pyetur nga gazetarët në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, shmangu qartësimin e kësaj çështjeje. Kur u pyet nëse qyteti port Mariupol, aktualisht nën kontrollin e forcave ukrainase, konsiderohet si pjesë e republikave të reja, ai tha: “Nuk kam asgjë për të shtuar”.

Diplomatët perëndimorë dhe banorët në Donjetsk konfirmuan shfaqjen e tankeve ruse gjatë orëve të para të së martës.

Ndërsa ngërçi gjeopolitik disa-mujor për Ukrainën ka kaluar kështu në një fazë edhe më të rrezikshme, vendet perëndimore u bashkuan për të shprehur publikisht dënimin e tyre njëzëri dhe disa qeveri të tjera perëndimore urdhëruan largimin e diplomatëve të tyre nga Kievi dhe zhvendosjen drejt qytetit Lviv në Ukrainën Perëndimore. Përzgjedhja e qytetit Lviv, i cili gjendet shumë pranë kufirit polak, reflekton shqetësimet e tyre se nuk do të duhet shumë kohë që forcave ruse të vendosura përgjatë kufijve ukrainas t’u jepen urdhëra për të lëvizur ndoshta drejt kryeqytetit ukrainas.

Australia u bë vendi më i fundit që zhvendosi misionin e saj, duke iu bashkuar kështu Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe vendeve të tjera që transferuan ambasadorët e tyre dhe stafin më pranë sigurisë që ofron Polonia fqinje.

A po shpaloset lufta?

Zyrtarët perëndimorë të zbulimit mendojnë gjithashtu se njohja e republikave separatiste është vetëm pjesë e një plani më të madh lufte, që po shpaloset tani sipas një skenari të hartuar javë më parë. Ata thonë se rreth 2/3 e forcave ruse të mbledhura pranë Ukrainës gjenden tashmë 50 kilometra nga kufiri. Ato janë të dislokuara në formacion beteje dhe të pozicionuara për të filluar operacione ushtarake. Megjithatë nuk është ende e qartë nëse Kremlini ka dhënë urdhërin për një ofensivë frontale.

Duke iu drejtuar vendit përmes televizionit në orën 2 të mëngjesit, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiyy u përpoq t’i siguronte ukrainasit se vendi është i mbrojtur mirë. Ai shtoi se Ukraina ka të drejtën të vetëmbrohet nga agresioni i mëtejshëm rus.

“Jemi në tokën tonë, nuk ia kemi frikën askujt dhe asgjëje”, deklaroi zoti Zelenskiyy.

Me pamje solemne por sfiduese, zoti Zelenskiyy i bëri thirrje monitoruesve ndërkombëtarë të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, të cilët vëzhgojnë në Ukrainën lindore zbatimin e armëpushimit të arritur në vitin 2015 me ndërmjetësimin e Francës dhe Gjermanisë, që të vazhdojnë punën e tyre dhe të ndihmojnë për të parandaluar provokimet dhe përshkallëzimin e mëtejshëm.

Presidenti ukrainas gjithashtu tha se ka bërë thirrje për një takim urgjent të vendeve të Formatit të Normandisë – Gjermania, Franca, Ukraina dhe Rusia – për të zhvilluar bisedime për këtë lëvizje më të fundit të Moskës në rajonin Donbas, si dhe u bëri thirrje vendeve perëndimore t’i qëndrojnë përkrah Ukrainës. “Është shumë e rëndësishme tani të shohim se kush është miku dhe partneri ynë i vërtetë, dhe se kush do të vazhdojë ‘ta trembë’ Federatën Ruse vetëm me fjalë”, tha zoti Zelenskiyy.

Gjatë një fjalimi të shtunën në Konferencën e Sigurisë të Mynihut, udhëheqësi ukrainas kritikoi ashpër fuqitë perëndimore se duhet të kishin bërë shumë më tepër për ta dekurajuar Rusinë nga ndërmarrja e këtij akti agresioni.

Udhëheqësit e vendeve perëndimore po formulonin të martën një reagim ndaj Rusisë dhe po koordinonin veprimet e tyre. Zyrtarë të BE-së thonë se ata ende shpresojnë se diplomacia do të mbizotërojë dhe se zoti Putin mund të përmbahet dhe shtrëngohet me sanksione ndëshkuese. Këto shpresa se do të funksionojë veprimtaria diplomatike po shuhen megjithatë me shpejtësi.

Bashkimi Evropian tha se “do të reagojë me sanksione ndaj atyre që janë të përfshirë në këtë veprim të paligjshëm”. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e akuzoi Rusinë se po ushqen konfliktin në Ukrainën lindore dhe se “po përpiqet të krijojë preteksin” për një ofensivë të mëtejshme.

Frika në radhët e udhëheqësve evropianë se presidenti rus do të urdhërojë një aksion edhe më të madh ushtarak në Ukrainë, bazohet pjesërisht edhe tek fjalimi i tij krejtësisht luftarak prej gati një ore, që filloi me një pasazh të gjatë me pikëpamjet e udhëheqësit rus për historinë e Ukrainës dhe se si Perëndimi i grabiti Rusisë territor pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Duke justifikuar vendimin e tij për të njohur republikat separatiste, zoti Putin tha se Ukraina është një pjesë integrale e historisë së Rusisë dhe tha se Ukraina lindore është territor i lashtë rus. Versioni i tij i historisë, i përshkuar nga pakënaqësira që ai i ka shprehur shumë herë më parë, po kritikohet si eksentrik nga historianë të afirmuar.

Fjalimi i zotit Putin, i transmetuar nga të gjitha televizionet kryesore ruse, u mbajt pas një takimi në Moskë të këshillit të sigurisë kombëtare, që gjithashtu u transmetua i plotë.

Gjatë takimit, eksponentë të linjës së ashpër të Moskës i bënë atij thirrje të njohë republikat separatiste të Donjetskut dhe Luhanskut. Disa analistë vunë në dukje se, duke gjykuar nga ora që mbante një nga ndihmësat e Kremlinit, takimi nuk po transmetohej realisht drejtpërsëdrejti, por se ishte zhvilluar shumë orë më parë me një koreografi që synonte të bindte audiencën ruse se zoti Putin ka mbështetjen e plotë të drejtuesve më të lartë të vendit dhe të këshilltarëve të tij, ndërkohë që demonstronte edhe kontrollin e tij mjeshtëror të ngërçit gjeopolitik me Perëndimin që po ndryshon trajtë me shpejtësi.

Zyrtarë të lartë u shfaqën njëri pas tjetrit për të përforcuar akuzat e pabaza që Kremlini ka bërë prej ditësh se Ukraina po përgatiste një ofensivë për të rimarrë republikat separatiste. Ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu i tha zotit Putin se forcat ukrainase po dislokoheshin për të filluar një sulm.

Kievi i ka mohuar këto akuza në mënyrë të përsëritur.

Gjatë fjalimit të tij zoti Putin akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n se “me paturpësi e shndërruan Ukrainën në një zonë lufte”. Ai gjithashtu ngriti akuzën e pabazë se Ukraina ka planifikuar prodhimin e armëve bërthamore, të cilat mund të përdoren në vazhdim për të sulmuar Rusinë.

Toni i përgjithshëm i fjalimit la të tronditur shumë diplomatë perëndimorë dhe analistë të pavarur. Zyrtarë gjermanë dhe francezë pranuan privatisht se kishin mbetur të shokuar. Gjermania dhe Franca ishin duke zhvilluar përpjekje diplomatike të minutës së fundit për të gjetur një zgjidhje diplomatike të ngërçit për Ukrainën dhe shpresonin për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme për armëpushimin dhe zgjidhjen politike në Ukrainën lindore. Por tashmë duket se zoti Putin ka sabotuar papritur këtë përpjekje franko-gjermane, thonë diplomatët e këtyre vendeve.

Zyrtarët e Kremlinit thonë se nuk kanë plane për të filluar një sulm të plotë ndaj Ukrainës dhe se janë ende të hapur për bisedime. “Mbetemi të hapur ndaj diplomacisë, për një zgjidhje diplomatike. Sidoqoftë nuk kemi ndërmend të lejojmë një tjetër masakër në Donbas”, tha të martën ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia.

Forcave ukrainase përgjatë frontit në lindje të vendit u janë dhënë urdhëra të prerë që të mos i përgjigjen mortajave dhe goditjeve me artileri, të cilat janë shtuar së tepërmi gjatë javës së fundit, thonë vëzhguesit e pavarur. Zyrtarët ukrainas mendojnë se përplasjet mund të shfrytëzoheshin si justifikim për një ndërhyrje më të madhe ushtarake nga Rusia./VOA/m.j

Next Post
Post Big Brother/ Debati i ashpër mes Arjolës dhe Fifit: Më ke bërë të ndihem keq

Post Big Brother/ Debati i ashpër mes Arjolës dhe Fifit: Më ke bërë të ndihem keq

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Tensionet në Lindjen e Mesme/ FMN: Ndikimi ekonomik i luftës do të varet nga kohëzgjatja e saj

Tensionet në Lindjen e Mesme/ FMN: Ndikimi ekonomik i luftës do të varet nga kohëzgjatja e saj

March 3, 2026
Zgjidhet udhëheqësi i ri/ Djali i Khameneit, Mojtaba Hosseini lider Suprem i Iranit

Zgjidhet udhëheqësi i ri/ Djali i Khameneit, Mojtaba Hosseini lider Suprem i Iranit

March 3, 2026
Sa do na kushtojë çekiçi i gjyqtarit?

Pse na vlerëson Komuniteti i Energjisë?

March 3, 2026
Sulmi në konsullatën amerikane në Dubai, e konfirmon Rubio: Droni ra tek parkimi i ndërtesës

Sulmi në konsullatën amerikane në Dubai, e konfirmon Rubio: Droni ra tek parkimi i ndërtesës

March 3, 2026
Ulet nafta dhe benzina! Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja për karburantet

Lufta prek naftën/ Ngrihet lehtë çmimi edhe në Shqipëri, ekspertët kërkojnë ulje të taksave dhe fiksim të çmimit

March 3, 2026
Incident në Ambasadën e Kosovës në Berlin, vendosen etiketa fyese në gjuhën serbe, reagon Ministria e Jashtme në Prishtinë

Incident në Ambasadën e Kosovës në Berlin, vendosen etiketa fyese në gjuhën serbe, reagon Ministria e Jashtme në Prishtinë

March 3, 2026
Berisha paralajmëron protestën e radhës: Të mblidhemi të gjithë para Parlamentit më 12 mars

Berisha paralajmëron protestën e radhës: Të mblidhemi të gjithë para Parlamentit më 12 mars

March 3, 2026
“40 shtëpitë e Familjes Berisha’, gazetari rikthen në vëmendje pasurinë e familjes së ish-kryeministrit

“40 shtëpitë e Familjes Berisha’, gazetari rikthen në vëmendje pasurinë e familjes së ish-kryeministrit

March 3, 2026
Sulmi iranian ndaj bazës britanike, Franca dhe Greqia dërgojnë sisteme anti-dronë në Qipro

Sulmi iranian ndaj bazës britanike, Franca dhe Greqia dërgojnë sisteme anti-dronë në Qipro

March 3, 2026
Shpërthime në Dubai, merr flakë Konsullata amerikane! Nuk ka konfirmime zyrtare për viktima

Shpërthime në Dubai, merr flakë Konsullata amerikane! Nuk ka konfirmime zyrtare për viktima

March 3, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In