Detaje të reja kanë dalë në lidhje me krimin e rëndë brenda familjes në Kuman të Roskovecit. Djali i çiftit Rrapaj në dëshminë e tij në polici ka thënë se në momentin e ngjarjes së rëndë ka qenë në Fier për një konsultë mjekësore, gjë që është vërtetuar edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë.
Ai ka pohuar se i ati ishte tip konfliktual dhe zënka e fundit ka qenë para 10 ditëve kur i ka hedhur pleh patateve të mbjella në oborrin e shtëpisë dhe 80-vjeçari është acaruar duke i thënë djalit “Pse u hedh pleh patateve” konflikt banal që ka përfunduar në komisariatin e Rroskovecit, ndërkohë që nëna e tij Dashuria, i dilte gjithmonë në krah të birit.
Pasi është kthyer nga Fieri, djali i ka gjetur të pajetë në banesë. Fillimisht ka lajmëruar një kushëririn e vet, dhe më pas policinë.
Po sipas burimeve policore , arma e përdorur në krim është tip i vjetër dhe dyshohet të ketë qenë e fshehur nën tokë që nga 97-a, pasi ishte me dhe, ndërkohë që ishte shkrepur dy herë, një plumb i ka shkaktuar vdekjen Dashurisë dhe plumbi tjetër ka shkaktuar vdekjen e 80-vjeçarit teksa është vetëvrarë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur këtë të martë (24 mars), rreth orës 14:30 në fshatin Kuman, Fier, ku 80-vjeçari Shefit Rrapaj ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten Dashuri Rrapaj, 75 vjeçe, e më pas veten.











