Opinioni publik u trondit një ditë më parë nga një ngjarje e rëndë që ndodhi në një lokal në Ndroq, ku mbeti i vrarë 50-vjeçari Alfred Dedja. Ai u qëllua me 5 plumba nga 27-vjeçari Julian Gjoshi. Një ditë pas ngjarjes, gazetarja e A2 CNN Xhensila Kodra, sjell të tjera detaje mbi vrasjen. Në një lidhje me Ditarin e Denisa Pashollit, ajo thotë se pista kryesore e hetimit mbetet prishja e pazareve të drogës. Sipas saj edhe autori dhe viktima janë persona me precedentë penalë. Viktima ka qenë i arrestuar dhe dënuar më parë në Itali për trafik droge.
“Policia ka pistë kryesore atë të konflikteve për prishje të pazareve të drogës. Të dy protagonistët si autori Julian Gjoshi në kërkim dhe viktima janë persona me precedentë penalë. Një vepër penale që rëndon në Itali edhe mbi viktimën 50-vjeçar, ka qenë me precedentë jo vetëm në territorin shqiptar ku ishte arrestuar më herët me akuzën e armëmbajtjes pa leje, por edhe në Itali ka qenë i proceduar, arrestuar e dënuar për trafik të lëndëve narkotike”.
Policia është ende në kërkim të autorit 27-vjeçar, Julian Gjoshi, ndërsa familjarë të tij janë shprehur se nuk janë në dijeni të rrethanave të krimit.
“Janë kryer kontrolle në disa zona jo vetëm, në Shijak që është origjina e autorit 27-vjeçar, por edhe në Tiranë e Durrës. Autori vijon ende në kërkim. Janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje familjare dhe rrethi miqësor i 27-vjeçarit Gjoshi. Ata janë shprehur se nuk janë në dijeni për rrethanat e krimit apo ndonjë konflikt të mundshëm mes autorit dhe krimit. Edhe familjarë të viktimës kanë pohuar se nuk kanë pasur dijeni”.
Ndërkohë sot policia është rikthyer në vendin e krimit për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të siguruar dëshmi të reja. Pas kontrolleve policia ka gjetur vetëm makinën e autorit të vrasjes në Ndroq.
Sipas gazetares së A2 CNN, autori nuk e ka nxjerrë armën nga xhupi, ndërsa edhe viktimës i është një pistoletë por që nuk e ka përdorur për shkak se u kap në befasi.
“Policia ka rindërtuar edhe sot dinamikën e krimit dhe për të siguruar prova të tjera. Në vendngjarje është gjetur vetëm një predhë e plumbit dhe kanë siguruar dëshmi të tjera. Në momentin e ngjarjes ka qenë në lokal 27-vjeçari nga Shijaku Julian Gjoshi me nipin e pronarit dhe polica ka dyshime se mes viktimës dhe lokalit mund të ketë pasur një bisedë të mëparshme për tu takuar. Ndërsa Dedja ka shkuar në lokal i është drejtuar tavolinës ku ndodhej autori i krimit dhe menjëherë 27-vjeçari e ka qëlluar me 5 plumba pistolete pa e nxjerrë pistoletën nga xhupi. Edhe viktimës i është gjetur një armë pistoletë, e cila nuk është përdorur, pasi është kapur në befasi. Është çuar për ekspertim edhe aparati celular i viktimës”.
Kujtojmë se autori i kësaj ngjarjeje është kuanti i Altin Hajrit i cili është në kërkim ndërkombëtar. Në resortin e Hajrit ka qenë i punësuar si menaxher Alfred Dedja dhe këtu nis lidhja mes autorit dhe viktimës.
/a.r