Nga Bedri Islami*
Nuk e kam takuar kurrë Sokol Olldashin, kështu që nuk kam biseduar kurrë me të. I shkrova vetëm një herë, kur filloi komedia zgjedhore për shefin e ri të PD-së dhe i kujtoja vargjet e Majakovskit, “ njëshi zero e fyl..”, duke ia përshtatur se Njëshi i sotëm, që ka ende në krye të partisë së tij, ndryshe nga poeti rus, “ të bën zero e hiç”. Gati njëzet vite pluralizëm kishin dëshmuar se cilido, edhe nëse do të ishte grup i njohur, do i dilte para Njëshit demokrat, ai e bënte të paqenë dhe duhej të kishte kujdes kokën. Një zot e di se si kishte shpëtuar dikur Eduard Selami, që edhe pse kishte fatin të mbijetonte, ëndrrat iu thyen dhe bashkë me to, si duket edhe më shumë se kaq. Nuk e kishte patur këtë fat Azem Hajdari, që guxoi në një çast të fliste kokë më kokë me plakun e Haklajve dhe t’i përbetohej se njeriu që i kishte vrarë djalin e tij, Shkëlqimin, ndodhej një kat më sipër, duke i treguar me gisht zyrën e Berishës dhe duke i dhënë një kasetë , ku dallohej zëri i çjerrë i shefit që e kërkonte “ gjallë a vdekur” njërin nga Haklajt që do të vritej i pari. Të tjerë nuk kishin guxuar.
I pari që do të guxonte do të ishte Olldashi. Me mendimin se po i kundërvihej jo vetë atij, por sozisë së tij,ai , si duket, kishte marrë parasysh gjithçka dhe i ishte futur një gare që e kishte ditur se mund të fitohej në struktura, por jo në votimin e sajuar “një njeri, një votë”, ku vota ishte e personalizuar dhe kur pas hijes së një njeriu qesharak në sjelljet e tij dendy, por i përbindshëm në zhvatjen e shtetit, qëndronte Njëshi, i cili përmbyste gjithçka.
Nuk është temë e kësaj analize përse Berisha zgjodhi Bashën në vend të Olldashit. Janë thënë shumë gjëra për këtë zgjedhje, që nga lidhjet e tij, Bashës, me vajzën e Berishës në Kosovë, grupi i Kosovës u transferua më pas thuajse i gjithi në PD, nga bindja e verbër e Bashës ndaj shefit dhe parrezishmëria e familjes me ardhjen e tij në krye të SHQUP-asve, bizneset e përbashkëta ku i kishte futur Fazlliçi, e deri tek sinjali i dhënë nga shërbimet jashtë Shqipërisë për këtë zgjedhje politike.
Olldashi ishte njeriu që e dinte humbjen, megjithatë iu fut një përplasje, ndoshta edhe me mendimin se në këtë përballje, edhe pse nuk mund të fitonte gjithçka, të paktën të mos i humbisnin të gjitha.
Në fakt, me largimin e tij, janë humbur të gjitha. Gara qesharake mes Bashës e Selamit, ku i dyti ndoshta edhe vetë ka votuar për rivalin e tij, dëshmoi se tani, më shumë se kurrë më parë, e gjithë ajo strukturë politike është kthyer në një brum politik, që mund të përdridhet si e sa herë të duash.
Kjo për një fakt të vetëm: PD-ja nuk ka më “Olldashë”, ajo ka vetëm të frustuar, mediokër politikë, njerëz që, pasi kanë bërë para, mendojnë se përmes politikës mund të ruajnë paratë e tyre, të paktë kanë personalitetin e tyre ku mund të shfaqin vlera dhe tek të cilët kundërshtimi ndaj një ideje, mendimi a vizioni politik, është temë tabu.
Jashtë elitës së saj drejtuese kanë betuar disa emra të njohur: Topalli, Patozi, Bode, Ruli,Imami, Bregu – e njëjta histori kur mbeteshin jashtë saj Çeka, Zogaj, Mustafaj, Teta, Meksi, përsëri Imami, në fakt të leçiturit dhe të dëbuarit janë më të shumtë se të ardhurit.
Përse mendoj se PD-së i mungon Olldashi?
Nuk e kam fjalën thjesht për Sokol Olldashin. Si shkrova më sipër, nuk e kam njohur, nuk kam folur kurrë me të, i kam shkruar një herë të vetme dhe kam marrë një përgjigje të shkurtër, ndoshta nga stafi i tij, sepse ishte krejt e zakonshme, rutinë e përditshme.
Sokol Olldashi, si figurë politike kishte më shumë dinjitet se sa rivali i tij, Basha. Kjo as që mund të diskutohet, por, po ashtu, kishte edhe më shumë dinamizëm dhe e ndjente nevojën e përplasjeve. Si ministër i Punëve të Brendshme ishte përplasur fort me disa nga bandat e Shqipërisë së Mesme, por nuk e kishin lënë të bënte më tutje. Ishte njeri i besuar i shefit të tij, por, si duket, besnikërinë ndaj një njeriu nuk e kishte në gjak.
Ka disa ditë, më saktë, që kur mbetën jashtë listave të deputetëve, një pjesë e të “mërguarve” politikë të PD-së, kanë mprehur shpatën dhe po bëjnë kërdinë kundër politikës së ndjekur nga Basha dhe ndaj atij vetë. Nuk them se nuk kanë të drejtë, në atë që shkruajnë dhe që thonë, bile ata dëshmojnë tepër pak, pasi dinë shumë më tepër, por janë të vonuar. Tepër të vonuar. Jashtëzakonisht.
Që në fillimin e vitit 2005 ata e kanë brenda vetes fenomenin “Basha”, që do të thotë transplantimin politik të një njeriu nga askush në gjithkush. Njeriu i panjohur, befas u bë zëdhënësi politik i një fushate, drejtuesi i një formacioni shpresëdhënës, formësuar nga të rinj, që veç emrit nuk kishte më pas asgjë të mirë. Ai u bë tri herë ministër. Herën e parë vodhi qindra milionë euro dhe nuk vajti as në gjyq, dosja e prokurorisë që shkonte pasdite në gjykatë, në mëngjes gjendej përsëri e hedhur në dyert e prokurorisë. Herën e dytë nënshkroi marrëveshjen e turpshme, dhe jo vetëm të turpshme, të dhurimit të detit shqiptar, ndërsa herën e tretë ishte pjesë e vrasjes së katërfishtë në mesin e bulevardit të Tiranës. Asnjëri nga opozitarët e sotëm të opozitës, pra të dëbuarit, pasi Basha i dëboi me kamzhikun e pushtetit që i dha Berisha, asaj kohe, jo vetëm që nuk thanë një fjalë të vetme, por e mbështetën, vrapuan në studio televizive, dhanë intervista, ngritën zërin në parlament, i rrahën shpatullat, e fshehën lakminë e tyre për djathin që u bë pushtetar, por ama i shkuan nga pas si manarët e politikës.
Mungoi dhe vazhdon të mungojë zëri i njeriut të politikës që thotë mendimin e tij në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe me seriozitetin e duhur. Nëse Olldashi kishte të paktën meritën që u fut në një garë denjësisht, megjithëse e dinte vazhdimin, këto të sotmit as nuk mendojnë se mund të kenë një mendim ndryshe, se mund të lëvizin nga rruga e dhënë prej shefit të tyre. Edhe ata që sot janë të pranishëm në studioi televizive, si grupi anti-Bashë, në fakt janë të djeshmit që nuk kishin një zë të tyre, vetjak, sido që të ishte, por ama i ndryshëm.
Olldashi nuk ishte një fenomen, ama kishte meritën që në një çast gjeti forcë të rebelohej, megjithëse e pagoi shumë shtrenjtë rebelimin e tij. Ai u bë një përjashtim nga rregulli që sundon edhe sot në forcën ku ai ishte pjesë e politikës dhe, si duket, do të jetë njëri nga përjashtimet e pakta. Të sotmit duket sikur janë vazhdim i tij, kurse në fakt janë vetëm hija që ai, jo si njeri, por si koncept politik, la pas vetes.
Nuk është fjala për mungesën e një njeriu, në këtë rast të Olldashit. Është për më tepër se kaq. Një opozitë që mbijetoi vitin 1997 nga mëshira budallaqe e socialistëve të djeshëm, kur duhej të nxirrej jashtë ligjit si forca politike që përgatiti vëllavrasjen dhe luftën mes veriut dhe jugut, si duket, edhe sot e kësaj dite, nuk do të ketë luksin të ketë brenda vetes forcën e një mendimi ndryshe, dhe, do të jetë kohë e largët kur mund të mund të ndodhë kjo.
Loja e tashme politike mes Berishës dhe Bashës është diçka që të ndjell të vjelltë. Njeriu i plotfuqishëm, hija e të cilit bën gjëmën ose të hap portat e parasë, duke u shfaqur si i jashtëm aty ku është i plotfuqishëm, paralajmëron të tjerët se duhet të sillen si ai, por me ndryshimin që kritikat e pambukta mund të jenë vetëm të tij dhe të askujt tjetër. Mendimi se mos Basha po e sposton Berishën, duke marrë primarin, është thjesht një halucinacion politik, i krijuar nga vetë rrethi i familjes politike, për t’i dhënë forcë pushtetit që kërkon të vendosë drejtuesi jo real i kësaj force politike dhe për të lënë në fuqi kartën e vjetër të një politike të prapshtë.
Që të dy, si Berisha dhe njerëzit rreth tij, si Basha dhe të afërmit që e rrethojnë, janë objekt i Vettingut, por mund të jenë edhe përtej tij.
Në kufirin që ndan pushtetin e tyre janë bërë aq shumë krime mbi pushtetin dhe rrënuar shtetin, sa nuk do të ishte i mjaftueshëm një Vetting i vetëm.
Ata që sot heshtin brenda PD-së, pra që nuk mund të jenë “Olldashë” në kohën e duhur, nesër do të krakavitin, ashtu si sot bredhi duke krakuar opozitarët e opozitës së sotme, të cilët, me heshtjen dhe fërkimin e duarve nga përfitimet, e lanë të rritet brenda tyre një hibrid i çuditshëm politik, që tashmë po u zë frymën.
Janë vetë fajtorë.
Edhe kur u duk se po lind një shembull, ata e braktisën atë, qoftë edhe me heshtjen e tyre.(DITA)