Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses një operacion antidrogë në fushën e shpërndarjes së drogave të forta.
Oreacioni i koduar “Hostage” ka çuar në prangosjen e një 41-vjeçari që ushtronte këtë veprimtari kriminale, ndërsa janë sekuestruar lëndë narkotike kokainë, telefona celularë dhe para të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë marrë informacione në rrugë operative se një shtetas u shiste personave të ndryshëm, përdorues të lëndëve narkotike, në qytetin e Tiranës, lëndë narkotike droga të forta, kryesisht kokainë, të cilën e siguronte jashtë qytetit të Tiranës.
Mbi bazën e këtyre informacioneve dhe pas një pune intensive, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “HOSTAGE”, si rezualtat i të cilit u kap në flagrancë shtetasi E. J., 41 vjeç, banues në Tiranë” njofton policia.
Ky shtetas është kapur në flagrancë, gjatë operacionit, me doza lënde narkotike kokainë, e gatshme për t’u hedhur në treg në rrugën e Durrësit.
Pas kontrollit të ushtruar më pas në banesën e të dyshuarit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy qese më kokainë (306.6 gramë).
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesë iu gjetën 1 500 euro dhe 46 000 lekë të reja, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike, si edhe 14 telefona smartfon, që poseduesi i lëndës narkotike ia mbante si peng për lëndën narkotike personave të ndryshëm, në shkëmbim të kokainës.
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike.”