Memorie.al publikon historinë e panjohur të professor, Fejzi Dikës, poetit dhe përkthyesit të famshëm i cili në periudhën e Monarkisë së Zogut ishte diplomuar për Filozofi në Montpelié, ku jetoi në një dhomë me Enverin, por pas mbarimit të Luftës rrugët e tyre u ndanë përgjithmonë pasi Fejziu kishte bindje antikomuniste dhe si rezultat, në vitin 1983 kur Enveri i dërgoi Sulo Gradecin për t’i kërkuar që të shkruante kujtimet për periudhën e studimeve në Francë, ai refuzoi në mënyrë kategorike. Pas kësaj në shënjë hakmarrje i arrestuan djalin, Nilsin dhe ja dënuan me 8 vjet burg politik, kurse ditën që vdiq Enveri, i arrestuan dhe bashkëshorten, Nora Prosi Dika, pasi ajo u vesh mirë dhe u lye me buzkuq të ndezur duke bërë xhiro në bulevardin kryesor të Tiranës në mënyrë demonstrative….
Nga Dashnor Kaloçi
Ndonëse Fejzi Dika e kishte pasur Enver Hoxhën shok klase që nga Liceu i Korçës dhe gjithashtu edhe gjatë periudhës së studimeve në Francë, ku ata të dy banuan në të njëjtën bujtinë për më shumë se dy vite, Fejziu nuk kishte konsiderate pozitive për Enverin. Përkundrazi ai fliste keq për ish- shokun e tij të klasës, duke thënë se gjatë kohës kur ata ishin në Francë, Enveri nuk studjonte fare dhe e kalonte të gjithë kohën duke u marrë me femra. Po kështu Fejziu na tregonte se Enveri jo vetëm që nuk ulej të studionte, por ai mundohej të vinte në lojë shokët e tij student që rrnin gjithë kohën mbi libra, duke u thënë se ata ishin të marrë. Këto gjëra Fejziu na i ka treguar që nga koha kur Enveri erdhi në pushtet në 1945-ën dhe kur binte biseda rreth tij, ai shprehej: ”Unë çuditem se si arriti ky person të dilte në krye të lëvizjes popullore, dhe të qëndrojë në krye të shtetit për disa dekada duke sunduar në mënyrë diktatoriale”. Aty nga fillimi i viteve 1970-të, Enver Hoxha me anë të njerëzve që shërbenin pranë tij, i dërgoi fjalë Fejziut, duke i thënë se e priste në zyrën e tij.
Por Fejziu nuk kishte asnjë dëshirë që të shkonte për t’u takuar me të, dhe u tha atyre se ishte i sëmurë e nuk dilte dot nga shtëpia. Pas kësaj Enveri i dërgoi Fejziut, Sulo Gradecin, i cili i tha atij që po të donte të shkruante kujtimet e tija për periudhën që kishte qënë në Francë me Enver Hoxhën. Por Fejziu refuzoi në mënyrë kategorike të shkruante kujtimet e tij për Enverin, duke thënë se nuk i kujtohej asgjë nga ajo kohë. Në atë kohë që ne e morëm vesh se Enveri e kishte kërkuar Fejziun, shkova menjëherë në shtëpinë e tij dhe i thashë: ”Meqense Enveri ka kërkuar të takohet me të gjithë ish-shokët e tij të vjetër, shko takoje dhe ti”. Pas kësaj Fejziu m’u përgjigj: ”Po rri moj Drita se nuk e njihni ju Enver Hoxhën, atë e njoh unë”.
Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është Drita Dika (Morava) vajza e xhaxhait e ish- profesorit të frengjishtes Fejzi Dika, e cila rrëfen gjithë historinë e panjohur të kushëririt të saj dhe marëdhëniet e tij me Enver Hoxhën, të cilin e kishte pasur shok klase që nga Liceu i Korçës dhe për dy vite kishin banuar së bashku në një bujtinë në Monpelié të Francës.
Po cila është e kaluara e Fejzi Dikës, si arriti ai të diplomohej në Francë dhe cili ishte qëndrimi i tij, pas kthimit në Shqipëri në periudhën e Monarkisë e gjatë viteve të pushtimit fashist? Cilat ishin arsyet që ai nuk u pajtua me politikën e regjimit komunist që erdhi në fuqi në vitin 1945 dhe përse ai e ndërpreu pasionin e tij të rinisë, poezinë, dhe nuk shkroi më asnjë varg deri sa vdiq në 1983-in. Si u arrestua ai në incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike në 1950-ën, dhe përse ambasadori sovjetik ndërhyri për lirimin e tij?
Cilat ishin mardhëniet e profesorit të frengjishtes me ish-shokun e klasës Enver Hoxhën dhe përse ai refuzoi të shkruante kujtimet për të? Përse bashkëshortja e Fejziut, Nora Prosi, doli me buzë të kuqe ditën që vdiq Enveri, dhe cila ishte përgjigja që u dha ajo njerëzve të Sigurimit të Shtetit, të cilët në shenjë hakmarrje i dënuan djalin me 8 vite burg politik. Lidhur me këto histori të panjohura të Fejzi Dikës e familjes së tij, na njeh me dëshminë e saj kushërira e tij, Drita Dika, si dhe bashkangjitur me këto dëshmi, po publikojmë edhe disa nga shënimet autobiografike që Fejziu ka lënë të shkruara me dorën e tij.
Pasioni e Fejziut për poezinë
Sipas dëshmive të të afërmve të Fejzi Dikës dhe të njohurve të tij të ngushtë, përveçse një zgjuarsie natyrale, ai ishte dhe shumë studjoz, gjë e cila u vu re që në bankat e Liceut të Korçës ku ai doli me rezultate të larta dhe fitoi të drejtën e studimit për në Francë. Periudha e qëndrimit në Francë e ndihmoi atë dhe në formimin e mëtejshëm si intelektual, pasi ai përveç fushës së Filozofisë ku dhe u diplomua, studjoi letërsinë botërore dhe arriti të njihte dhe përvetësonte më së miri kryeveprat e asaj letërsie.
Por një nga pasionet më të mëdha që kishte Fejzi Dika, ishte poezia, pas së cilës ai shkëlqeu që kur ishte në Liceun e Korçës në fundin e viteve ‘20-të. Lidhur me këtë, Drita Dika (Morava) dëshmon: “Pasionin e tij për poezinë Fejziu e ushtroi edhe gjatë viteve që studio në Francë, por periudha më e artë e krijimtarisë së tij ka qenë në vitet 30-të, kur ai nisi të botojë poezitë e tij të para në gazetat e revistat letrare të asaj kohe. Që me prezantimet e tij të para në shtyp, ai u bë shumë i njohur si poet lirik dhe kritika e asaj kohe e krahasonte atë me Lasgush Poradecin, të cilin Fejziu e kishte mik të ngushtë.
Ndarja me Enver Hoxhën
Ndonëse Fejzi Dika e kishte pasur Enver Hoxhën shok klase që në bankat e Liceut dhe gjithashtu edhe në Francë ku jetuan për afro dy vjet në të njëjtin ambient, Fejziu nuk kishte asnjë lloj konsiderate për Enverin dhe rrugët e tyre u ndanë që pas kthimit nga Franca. Si gjatë viteve të Monarkisë ashtu dhe në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë, ndryshe nga shoku i tij Enver Hoxha, Fejziu nuk u përzie fare në politikë, por ai iu përkushtua vetëm poezisë dhe studimeve në fushën e Filozofisë e Pedagogjisë. Ndonëse Fejziu kishte bindje antifashiste, gjë e cila bëhet e ditur edhe nga dëshmitë e të afërmve të tij e nga shënimet autobiografikeqë ai ka lënë të shkruara, ai po ashtu ishte edhe një antikomunist i vendosur. Këtë qëndrim ai e mbajti edhe pas vitit 1944 ku komunistët erdhën në pushtet dhe ish-shoku i tij u bë numri një i shtetit shqiptar.
Lidhur me këtë, vajza e xhaxhait të tij, Drita Dika (Morava) dëshmon: ”Fejziu jo vetëm që nuk ushqente asnjë lloj simpatie për Enver Hoxhën, por përkundrazi ai e urrente atë dhe bënte habi se si ai njeri me karakter e moral të dobët, e me shumë mungesa në formim e kulturë, që nuk kishte hapur asnjë libër në Francë, u bë udhëheqësi kryesor i Shqipërisë. Fejziu kur na tregonte për periudhën e Francës, na thoshte shpesh se Enveri jo vetëm që nuk ulej asnjëherë të studionte, por ai i përbuzte dhe mundohej t’i vinte në lojë shokët e tij, të cilët i quante dhespot. Këtë qëndrim ndaj Enverit, ai e mbajti edhe në atë kohë që Enveri erdhi në pushtet dhe nuk i shkoi asnjëherë për t’u ankuar për padrejtësitë e shumta që i bëheshin.
Duke qenë se Fejziu e urrente shumë regjimin komunist që erdhi në fuqi në vitin 1944, ai (martesën e dytë) e lidhi me familjen Prosi, e cila konsiderohej një familje borgjeze dhe reaksionare. Në vitin 1951, (pasi gruaja e parë pati një sëmundje të pashërueshme dhe ndërroi jetë) Fejziu u martua me një vajzë të re, të quajtur Nora Prosi, ndonëse e dinte mjaft mirë se ajo martesë do t’ia rëndonte akoma dhe më shumë pozitën e tij në sytë e regjimit në fuqi. Nora rridhte nga një familje e njohur aristokrate, Prosi (të cilët e kishin shtëpinë aty ku sot është Muzeu Kombëtar) dhe babai i saj, Athanas Prosi, kishte mbaruar për Stomatologji dhe kishte një klinikë private. Në atë kohë pas martesës, Fejziu së bashku me Norën, u vendosën me banim tek shtëpitë e Prosëve, pasi ai nuk kishte një banesë të tijën në Tiranë”, kujton Drita Dika (Morava) lidhur me martesën e kushëririt të saj me Nora Prosin.
Arrestimi për incidentin e Ambasadës
Pak kohë pas martesës me Fejziun, Nora Prosin e hoqën nga puna si spikere e Radio – Tiranës, duke e cilësuar si pinjolle të një familje borgjeze e reaksionare. Lidhur me peripecitë që e ndoqën Fejzi Dikës në atë kohë, Drita dëshmon: “Aty nga fillimi i vitit 1951 kur ndodhi incidenti i bombës në Ambasadën Sovjetike, në mes shumë të arrestuarve, gjoja si të implikuar në atë ngjarje, ishte dhe Fezi Dika, i cili në atë kohë u jepte mësime private të gjuhës shqipe disa nënpunësve të asaj ambasade.
Atë ditë që mësuam arrestimin e Fejziut, unë dhe motrat e mija u mërzitëm shumë dhe duke ditur problemet e tij me Enver Hoxhën, mëndja na shkonte vetëm për keq. Duke qenë se ne nuk kishim vëlla dhe Fejziun e kishte rritur babai ynë Asimi, ne e konsideronim atë si vëllanë tonë dhe ai na quante motra. Fejziu mundi të lirohej, vetëm një ditë para se 22 personat e arrestuar t’i çonin drejt pushkatimit dhe kjo gjë u bë e mundur vetëm në sajë të ndërhyrjes së vetë ambasadorit sovjetik tek Enver Hoxha, i cili i doli atij garant se Profesor Fejzi Dika, nuk mund të ishte i implikuar në hedhjen e bombës në ambasadën e tyre.
Po të mos kishte qenë ambasadori sovjetik, pushkatimi i Fejziut do të ishte i pashmangshëm, për arsye se në grupin e 22 personave që u pushkatuan gjoja si të implikuar për hedhjen e bombës, një pjesë e tyre kishin studiuar me Enverin në Francë. Atë ditë që u lirua ai, të gjitha ne motrat kishim dalë për ta pritur në qendër të Tiranës, aty ku ka qenë”Kursali” dhe sapo u takuam, ai na tha: ‘Shpëtova dhe këtë herë”, kujton Drita Dika, lidhur me arrestimin e Fejziut për incidentin e Ambasadës Sovjetike në Tiranë në marsin e vitit 1951.
Në shoqërinë e Lasgush Poradecit
Pas ngjarjes së “bombës në ambasadën sovjetike”, me urdhër të qeverisë shqiptare, profesor Fejzi Dikën e larguan nga ajo ambasadë ku ai u jepte mësime private disa nënpunësve të saj. Kjo gjë dëshmohet edhe nga shënimet autobiografike që Fejziu i ka shkruar vetë pak kohë para vdekjes. Në atë kohë edhe gruaja e tij Nora ishte pushuar nga puna dhe gjëndja e tyre ekonomike ishte mjaft e vështirë, pasi u kishte lindur dhe fëmija i parë, Edgari. Lidhur me këtë gjë, Drita Dika dëshmon: ”Pasi ngelën të dy pa punë, Nora u detyrua dhe filloi të qepte me makinë për të përballuar jetesën dhe gjëndjen e vështirë në të cilën ndodheshin.
Në atë punë filloi ta ndihmonte edhe Fejziu, pasi në atë kohë atë nuk e lejuan që të jepte mësime private për gjuhët e huaja. Pas disa kohësh, në varësi të konjukturave politike të kohës, Fejziut i dhanë të drejtën të punonte si profesor i frengjishtes në disa nga gjimnazet e kryeqytetit. Por edhe pse u lejua të punonte në arsim, Fejziu hoqi dorë njëherë e përgjithmonë nga pasioni i për poezinë, sepse ai nuk mund të pajtohej me frymën e realizmit socialist që në atë kohë kishte pllakosur letërsinë dhe të gjitha fushat e artit. Përveç njohjes së Filozofisë dhe Letërsisë botërore, ai kishte njohuri të shumta edhe për pikturën, skulpturën, muzikën, dramaturgjinë etj.
Fejziu nga natyra ishte një tip romantik, me ndjenja të holla dhe shumë sentimental. Në ato vite pjesën më të madhe të kohës ai e kalonte në shtëpi duke studiuar, apo duke biseduar me babanë tim Asimin që kishte qenë mësues. Edhe pse ishte në një gjendje të vështirë ekonomike, Fejziu e mbante shumë veten. Gjatë dimrit ai dilte i veshur shik. Kur dilte nga shtëpia ai shkonte në kafe “Kursal“ ku e prisnin miqtë e tij të vjetër, Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi, Petro Marko, Sterio Spase, Mal Osmani etj, me të cilët bënte diskutime të gjatë për Filozofinë dhe Letërsinë. Përveç Lasgush Poradecit me të cilin kishte një miqësi të hershme, Fejziu kishte një shoqëri të ngushtë edhe me Profesor Skënder Luarasin, me të cilin kalonte pjesën më të madhe të kohës”, kujton Drita Dika për kushëririn e tij.
I refuzon Enverit kujtimet
Profesori dhe përkthyesi i famshëm i frengjishtes Fejzi Dika, pasi punoi si mësues i letërsisë dhe frengjishtes në disa nga gjimnazet e kryeqytetit, në vitin 1967 doli në pension. Aty nga viti 1973-‘74, ish-shoku tij i klasës, Enver Hoxha, i cili kishte filluar të shkruante kujtimet, u kujtua se një nga shokët e tij të Francës që jetonte ende dhe mund ta ndihmonte në atë punë, ishte dhe Fejzi Dika. Lidhur me këtë, Drita Dika dëshmon: ”Në atë periudhë me anë të njerëzve që shërbenin pranë tij, Enveri i dërgoi fjalë Fejziut, që të shkonte për ta takuar në zyrën e tij.
Por Fejziu nuk kishte asnjë dëshirë për ta takuar dhe refuzoi në mënyrë kategorike, duke u thënë atyre se ai ishte i sëmurë dhe nuk dilte dot nga shtëpia. Pas kësaj Enveri dërgoi Sulo Gradecin, në shtëpinë e Fejziut dhe i tha se po të kishte mundësi të shkruante disa kujtime nga Franca, ku ai kishte qenë bashkë me Enverin. Por përsëri Fejziu nuk pranoi të shkruante kujtimet, duke i thënë Sulos se nuk i kujtohej asgjë nga ajo kohë. Në atë kohë që ne e mësuam se atë e kishte kërkuar Enveri, unë shkova menjëherë në shtëpinë e tij dhe i thashë:”Fejzi, meqënse Enveri i ka takuar të gjithë ish-shokët e tij të Francës, shko takoje dhe ti”.
Pas fjalëve të mia, ai m’u përgjigj: ’Po rri moj Drita se nuk e njeh ti Enver Hoxhën, atë e njoh unë…! Fejziu nuk kishte asnjë dëshirë që të shkruante kujtimet për Enver Hoxhën, sepse ai nuk kishte asnjëlloj konsiderate pozitive për të, përkundraziai bënte çudi dhe na thoshte se si ishte e mundur që një njeri që nuk hapi asnjë libër në Francë, të vinte në krye të shtetit shqiptar. Pas refuzimit të Fejziut për të shkruar kujtimet, në shenjë hakmarrje, dy djemve të tij, Edgarit dhe Nilsit, nuk ua dhanë të drejtën për të vazhduar studimet e larta dhe ata punuan si punëtor në ndërmarrje të ndryshme”, kujton Drita lidhur me refuzimin që Fejziu i bëri Enver Hoxhës, për të shkruar kujtimet e Francës dhe hakmarrjen e tij duke ia lënë dy fëmijët pa shkollë.
Burgosja e djalit, Nilsit
Pasi kaloi një jetë plot peripecira dhe incidente, Profesori Fejzi Dika, ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare, me 16 janar të vitit 1983. Lidhur me vdekjen e tij, Drita dëshmon: ”Ndonëse Fejziu e familja e tij shiheshin me sy të keq nga rregjimi komunist që i konsideronte ata borgjez dhe reaksionar, në vdekjen e tij, përveç ne të afërmëve të familjes, nuk munguan dhe disa nga shokët e tij që kishin mbetur ende gjallë. Fjalën e fundit mbi trupin e tij e mbajti Petro Marko, i cili foli me superlativa për ish-shokun e tij.
Afro dy vjet e gjysëm më vonë, ditën që u mësua lajmi i vdekjes së Enver Hoxhës, e veja e Fejziut, Nora Prosi, pasi u vesh mirë dhe u lye me buzëkuq të ndezur, doli në shëtitje në Tiranë në mënyrë demonstrative që ta shikonin të gjithë. Në atë kohë Nora njihej mirë nga organet e Sigurimit, sepse familja e babait të saj, me dy vëllezërit Serafinin e Vlashin ishin të internuar në Dumre. Po kështu, i vëllai tjetër i saj Tonini, (muzikant i njohur, njeriu që i mësoi fizarmonikën Agim Krajkës) pasi kishte bërë dhjetë vjet burg, ishte arratisur nga Shqipëria. Nisur nga këto, dalja e Nora Prosit me buzë të kuqe ditën e vdekjes së Enver Hoxhës, ra menjëherë në sy të oficerëve të Sigurimit, të cilët e arrestuan menjëherë atë, në afërsi të Gjykatës së Lartë dhe e izoluan në një nga zyrat e saj.
Aty oficerët e Sigurimit i thanë: ”Pse nuk mban zi për Enver Hoxhën, po je veshur kështu dhe del me buzë të kuqe?! ”Pas kësaj Nora iu përgjigj: ‘Unë jam veshur si i ka hije një intelektuale dhe sa për zinë për Enverin, atij le t’ia mbaj Nexhmija zinë’. Sigurimi i Shtetit e liroi Norën sepse ajo ishte në një moshë të thyer, por atë që bëri nuk do t’ia falte kollaj. Në shënjë hakmarrje, ata i arrestuan djalin e dytë Nilsin, të cilin e dënuan me shtatë vjet burg politik”, kujton Drita lidhur me dënimin e djalit të Fejziut, për arsye se nëna e tij Nora, doli në shëtitje me buzë të lyera, ditën e vdekjes së Enver Hoxhës. Në varrezat publike të Tufinës, ku prehet trupi i Fejzi Dikës, sipas amanetit që ai ka lënë, ndodhet i shkruar një epitapf, ku thuhet:
”Hodha trupin si lëvere
dhe qëndroj si shpirt i lire
në ç’do vënd në hapsirë
në botën pa mister.
I njehsuar krejt me jetën
përshkoj mbarë gjithësinë
bimën, shtazën dhe njerinë
Tani rroj me të vërtetën
mora formën e paprekshme
e gjeta qetësinë”.
Kush ishte Fejzi Dika, shoku i Enverit që s’u pajtua kurrë me të
shënime autobiografike
Linda në Gostivisht të Kolonjës më 15 dhjetor 1907. Im atë Axhemi, i biri i Ajdinit, ishte një besimtar i bindur bektashi, me arsim shtatëvjeçar. Pas ardhjes sime në këtë botë, ai pati edhe dy fëmijë të tjerë, një vajzë dhe një djalë, të cilët vdiqën të vegjël, në ullishtat e Vlorës më 1914. Mëma ime, Zembereja, ishte bijë nga fshati. Ajo shquhej nga pamja, si punëtore dhe grua e urtë. Si gjithë kolonjarët, edhe familja ime e braktisi ç’kishte, për t’u shpëtuar mizorive greke dhe zuri ullishtat e Vlorës. U end andej- këtej në rrethin e Vlorës dhe atë të Beratit. Me t’u tërhequr grekët nga Kolonja dhe me ardhjen e italianëve, u kthye në fshat më 1916. Në atë kohë mamaja ime vuajti shumë: Banonte në një plevicë duke u ushqyer me barishte të kriposura me një dorë miell, të cilave u hidhte disa pika vaj. Gripi spanjoll rrëmbeu dy prindërit e mi dhe unë mbeta vetëm në mes të udhës.
Një fqinj i familjes sime më strehoi, sepse kësisoj bëhej zot i tokave që më takonin mua. Unë kisha dy ungjër: Etemin dhe Asimin. Njëri ndodhej në Amerikë, tjetri në pjesën e Shqipërisë të okupuar nga ushtria austriake. Kështu që asnjeri prej tyre nuk mund të më vinte në ndihmë. Me mbarimin e luftës, Asimi i cili ishte mësues më mori në mbrojtjen e tij. Ai erdhi në Ersekë. Unë banoja më atë dhe nën drejtimin e tij kreva shkollën fillore pesë klasë më 1921. Kërkova bursë për të vazhduar në Liceun e Korçës, i cili kishte një vit që ishte hapur dhe preferohej nga të gjithë, sepsë profesorët ishin francezë dhe tekstet e lëndëve ishin po ato që përdoreshin në Francë. Lutja ime për të plotësuar arsimimin tim, mbeti pa përgjigje. Ndejta një vit pa shkollë. Vitin tjetër, im ungj, duke më parë vazhdimisht të mërzitur, më shpuri në Korçë dhe më la të banoja në “Hanin me dy porta”, në një dhomë bashkë me një shok të fillores, e më caktoi njëzet franga si shpenzime mujore. Kjo shumë, në shtrejtësinë e pasluftës, ishte e mjaftueshme për një jetesë të mjerueshme.
U regjistrova në Lice, në klasën e shtatë. Punoja me zell të madh dhe qëndroja në një nivel të mirë të klasës, sa çdo muaj më jepnin tabelën e nderit. Gjatë kësaj kohe që vazhdoja mësimet në Lice, erdhi dhe më takoi drejtori, zoti Leon Monbayrran dhe duke më pyetur imtësisht, mësoi nga unë gjendjen time të mjerueshme. Ai përdori të gjithë autoritetine tij pranë Ministrisë së Arsimit që të më jepej bursa, dhe pati rezultat. M’u sigurua jetesa në internat. Vazhdova rregullisht mësimet e mesme deri sa i kreva. Në shtator 1930, shkova në Francë, në Monpelié, si bursist, për të studjuar histori e gjeografi. Ky drejtim studimesh m’u inponua, kurse mua më pëlqente Filozofia. Një vit frekuentova fakultetin në degën e caktuar dhe vitin e dytë u futa në degën e Filozofisë ku pata rezultate përfundimtare të mira. Por inisiativa ime më vuri në rrezik të më pritej bursa. U ktheva në Shqipëri, ku, me ndërhyrjen e dy njerëzve shpirt mirë dhe me një rekomandim të zjarrtë të profesorit tim të Filozofisë, Marcel Foucault, dola nga kjo situatë e vështirë. Ministri i Arsimit, Hil Mosi, ma njohu të drejtën të kryeja studimet në Filozofi, por me kusht, bashkë me ato të Pedagogjisë. Pikërisht ashtu ndodhi.
Në gusht të vitit 1934, kthehem në Shqipëri. Martohem me një mësuese të ve, Bahire Kasimati, një moshatare me mua, i tërhequr nga kultura e saj. Në tetor, emërohem profesor i gjuhës frënge në Elbasan, ku jap mësime mbi sociologjinë, gjithashtu dhe në lëndë pedagogjike. Invadimi i Shqipërisë nga forcat fashiste italiane më tronditi shumë. Bashkë me gruan lamë ç’kishim, me qëllim që të largoheshim nga atdheu sepse na tmerronte zgjedha e huaj. Kur mbrimë në Korçë, kufiri me Greqinë, i cili qëndroi hapur 24 orë, sapo ishte mbyllur. U detyruam të ktheheshim në krye të detyrës. Në dhjetor 1939, u transferova në Liceun e Korçës si profesor i frengjishtes dhe i filozofisë. Atje më gjeti lufta italo-greke. Dy ditë para hyrjes së grekëve në Korçë bashkë me gruan, ika me rrëmbim, sepse i kisha të gjalla mizoritë e tyre të 1914-ës.
Me t’u dëbuar ata nga trualli i Shqipërisë, e zura përsëri vëndin që mbajta në Lice dhe më pas më emëruan si drejtor. Nuk më pëlqeu aspakqë të mbaja ofiqe nën okupatorin. Luftova për t’u shkarkuar nga përgjegjësia dhe ia mbërrita qëllimit duke mbetur si arsimtar i thjeshtë. Në fund të qershorit 1942 m’u sëmur gruaja dhe e shpura në Romë për ta kuruar, ku qëndrova dhe vetë me të. Pas katër muajsh erdhëm në Shqipëri, ku gjetëm transferimin për në Tiranë. Me çlirimin e Shqipërisë, të gjithë arsimtarët u konsideruan të pushuar. Kur dualën riemërimet, unë isha caktuar si profesor i frengjishtes në shkollën Tregtare të Vlorës. Nuk pranova të largohem nga Tirana, sepse gruaja ime vazhdonte të ishte e sëmurë.
Qëndrova tre muaj pa punë, pastaj u dërgova në Vlorë i mobilizuar. Atje shërbeva tre muajtë e fundit të vitit shkollorë 1944-1945. Vitin shkollorë 1945-1946 e bëra në shkollën Pedagogjike të Elbasanit. U riktheva në gjimnazin e Tiranës si profesor i frengjishtes. Me heqjen e frengjishtes nga shkollat, u ngarkova të jepja Letërsi në Politeknikumin “17 Nëntori”. Aty pata rastin t’u mësoja gjuhën shqipe katër profesorëve sovjetik brënda një viti. Suksesi që pata me ta, bëri që të konsiderohesha si një person i aftë për t’u mësuar shqipen të huajve në kohë rekord, gjë që më siguroi një të ardhme të mirë përveç rrogës. Mirpo Shemsi Totozani, zëvëndës ministëri i Arsimit më transferoi në Liceun e Gjirokastrës, në vitin 1949, ku vajta si i mobilizuar.
Në fillim të vitit shkollor 1950-1951 m’u komunikua pushimi. U ktheva në Tiranë, ku kisha gruan e sëmurë. Pasi ajo u nda nga jeta, u martova me Nora Prosin, të cilën e kisha njohur nja pesëmbëdhjet muaj më parë kur ajo ishte koriste në Teatrin e Shtetit. Tani ajo ishtej pa punë sikurse edhe unë. Lumturisht u thirra në Ambasadën Sovjetike për t’u mësuar shqipen disa punonjësve të saj, i paguar me orë. Atje fillova të jap mësime edhe në gjuhën frënge. Këtë punë e bëra dhe me rusë të tjerë, të ardhur me shërbim në Tiranë. Të ardhurat nga kjo punë ishin të trefishta nga ato si profesor.
Por pas tre vjetësh e gjysëm, me ndërrimin e gjithë personelit të Ambasadës, me ndërhyrjen e qeverisë sonë, më larguan, dhe mbeta si peshku pa ujë. Gruaja ime Nora, kishte hapur një rrobaqepsi dhe kishte mjaft klientë, unë u bëra ndihmësi i saj në të qepur, në pastrim shtëpie dhe në të gatuar, për t’i shpëtuar punës së krahut. Në këtë mënyrë jetova një vit e gjysëm. Kishim një djalë pesë vjeç dhe ishim në pritje të ardhjes dhe të një fëmije tjetër të dytë. Pikërisht në këtë kohë, hyra në punë si përkthyes i gjuhës frënge në Kryesinë e Bashkimit të Grave.
Ngarkesa e punës intensive dhe mërzitja më sëmurën: Fillova të vuaja nga hipertensioni dhe zemra. Me kërkesën time, u shqyrtua ç’ështja e punësimit tim si profesor dhe m’u njoh e drejta të kthehesha në Arsim, pas katër vitesh punë në Kryesinë e Bashkimit të Grave. Kësisoj e mbylla veprimtarinë time si profesor, duke dalë në pension në moshën gjashtëdhjet vjeç.
Këtë shënim autobiografik që Fejzi Dika i ka shkruar pak kohë para vitit 1983 kur ai u nda nga kjo jetë dhe ia ka lënë në ruajtje familjes, nuk e pasqyrojnë plotësisht gjithë tabllonë e vërtetë të jetës së tij. Sipas dëshmive të familjarëve dhe të afërmve të tij, ai ka pasur një jetë plot vuajtje dhe peripeci. Profesori rebel i gjuhës frënge Fejzi Dika, duke dashur që të mos u sillte më telashe familjes, në kujtimet e tij nuk flet asnjë fjalë për ish-shokun e tij të klasës, Enver Hoxhën, gjë e cila tregon se ai i qëndroi besnik fjalës që i kishte dhënë vetes, që të mos shkruante asgjë për të. Ai gjithashtu përveç autobiografisë, ka lënë në dorëshkrim edhe 99 poezi, me amanet që ato të ruhen, duke thënë se:”Do të vij koha që të botohen një ditë”
Memorie.al