Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji u paraqit mëngjesin e kësaj të premteje te Shërbimi i Provës, i shoqëruar nga avokati Ledio Braho, në kuadër të lirimit të tij me kusht. Ish deputeti demokrat u lirua nga qelia më 8 korrik, pasi Gjykata e Fierit pranoi kërkesën e tij për liri me kusht pasi kreu 9 muaj e gjysmë nga dënimi me 1 vit shtatorin e kaluar.
Në dalje, Salianji tha se ishte prezent në respekt të institucionit, pavarësisht se dënimi i tij ishte politik.
Ai tha se betejën e tij do ta vazhdojë në Gjykatë Kushtetuese sapo të marrë vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë dhe nëse nuk gjen zgjidhje në vend, do t’i drejtohet Strasburgut.
“Jam në respekt të institucionit, pavarësisht se jemi në kushtet e një regjimi ku dënimi im politik konfirmon se për interesa politike dhe çdo interes tjetër që bie ndesh me vullnetin personal të Ramës për të mbajtur pushtetin, përdoren të gjitha institucionet dhe instrumentet ekstra politikë për të krijuar klimë terrori. Do të jem përsëri edhe njëherë këtë muaj, dhe më pas do të krijohet një program individual. Pres zbardhjen e vendimit të Gjykatës së Lartë për të vazhduar në Kushtetuese, dhe mezi pres përballjen në regjimin në Gjykatën e Strasburgut. “, u shpreh Salianji.
Salianji nuk i shpëtoi pyetjeve të gazetarëve edhe sa i përket faktit që nuk u prit nga asnjë drejtues i PD-së në selinë blu. Ish-deputeti u justifikua duke thënë se ka pasur kontakte të vazhdueshme dhe se shumë deputetë ishin të pranishëm në burgun e Fierit, kur ai doli nga qelia.
“E dini që dënimi im është politik. Nuk kam pasur asnjë interes personal dhe nuk kam përfituar. Akuzohem siç edhe e ka shkruar në vendim gjykate, gjykatësi i famshëm që nëpërmjet këtij veprimi kam dashur të rrëzoj qeverinë. Ka pasur një pritje të jashtëzakonshme nga qytetarët dhe sidomos nga kolegët që kam takuar. Dua t’i falënderoj një nga një për vizitat e shpeshta në burgun e Fierit, për shkak të cilësisë së tyre si deputet kanë pasur mundësinë të vijnë më shpesh”, tha Salianji.











